Nexhbedin Basha-Në libër jam unë


NË LIBËR JAM UNË

JE EDHE TI!

E hapa fletën e librit zverdhur,

Aty isha unë, ishe edhe ti,

Në të gjeta vetvehten,

Gjeta të bukurën magji…

Aty gjeta fjalë që si gjen askund,

Gjeta një vend ku të mbështes kokën,

Aty është jeta është universi

Aty është dashuria për Tokën.

Në vargje e rreshta është kujtesa,

Kënga dhe muzika në pentagrame,

Është hëna, dielli dhe e vërteta,

Është jehona e kreshnikëve në male.

Aty janë ëndrrat, është galektika,

Ku njerëzimi luan me jetën,

Është fizika dhe matematika,

Paqa dhe lulet në bjeshkë.

Një libër është si fëmija,

Një lindje e ëmbël, si mjaltë,

Nëpër fletë vjen dashuria,

E të fton në vals çdo varg.

Nexhbedin Basha

25.10.2024

Shënim: Marrë nga libri i pa botuar “Ujvarë dashurie”