SHËNIM KRITIK
NGA ANGELA KOSTA – LIBRI: ZËRI YNË ËSHTË AVOKATI YNËSHËNIM KRITIK
Kur mora në duar librin: “ZËRI YNË ËSHTË AVOKATI YNË”, ishte me të vërtetë shumë emocionuese. Duke lexuar dhe duke vështruar nëpërmjet vargjeve këta djem të rinj dhe vajza të reja, ndjeva forcën e brendshme që buron dhe evokon dëshirën dhe dritën e madhe ndaj asaj rruge që i udhëzon dhe i udhëheq të lumtur drejt krijimtarisë së tyre, e vetmja mënyrë kjo, për t’i nxjerrë në sipërfaqe dëshirën e pandalshme për të pasur një të ardhme sa më të mirë e jo vetëm për ta, por edhe për të gjithë qeniet njerëzore në botë. Pothuajse të gjithë autorët e këtij libri, vijnë nga kampi i refugjatëve në Malawi, të cilët jetojnë në kushte vërtet të mjerueshme dhe të tmerrshme. Çdo poete dhe poet i grupit AYAP në këto vargje thekson, jo vetëm dëshirën për të shkruar dhe krijuar, por edhe për të shpërndarë, dhuruar dhe nxjerrë në pah, një mesazh të fortë dhe të qartë: poezia është shpëtimi i të gjithëve! Nëpërmjet poezisë, ne mund të kapërcejmë vështirësitë, pengesat, kufizimet dhe problemet që jeta na ofron dhe na vë përpara në përditshmërinë tonë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me kushtet e vështira në të cilat jetojnë, pasi ata e dinë fare mirë se çfarë është gjëja pozitive që i bashkon, edhe pse mund të jenë larg njëri-tjetrit fizikisht, apo nga ne lexuesit, ashtu sikurse nga ata që mendojnë dhe i bashkohen mendimit të tyre. Nuk mund të rri pa përgëzuar Charles, ashtu sikurse Salvador, të cilët bënë të mundur, jo vetëm realizimin e një ëndrre të madhe të këtyre të rinjve në botimin e këtij libri, që po shpërndahet dhe po përkthehet në shumë gjuhë, por edhe për angazhimin e madh, për vlerësimin dhe besimin ndaj vetes, për inkurajimin dhe nxitjen në krijimin dhe vënien në zbatim të asaj çka nuk u krijon siklet apo frikë, drejt një të ardhmeje premtuese dhe adhuruese.
Si përkthyese në dygjuhësh të këtij libri, si në shqip, po ashtu edhe në italisht, edhe pse në gjuhë të ndryshme, në kompozimin njëzërësh, u zhyta në oqeanin e botës së tyre së përvuajtur, dashurisë dhe ambicieve, në secilin varg të çdo autori, duke jetuar me ta, me emocionet, dhembjet dhe peshat e tyre. Unë preka pikërisht atë pikë kulminante, që më bëri të rrokullisesha me ta, në humnerën e territ dhe tmerrit e pavarësisht gjithçkaje, isha dhe qëndrova, jam ende së bashku me ta, në pragun e portës së madhe, i cili na shtyn dhe na shpie drejt udhëkryqeve të së nesërmes.
Asgjë nuk mund të fshijë, madje as mundet t’i vërë pengesa, dëshirës së tyre për të përparuar jo vetëm drejt dijes por edhe drejt një të ardhmeje të bukur.
Ftoj të gjithë lexuesit t’i lexojnë këto poezi, që nuk janë thjesht vargje, por janë thelbi i ekzistencës së çdo poeteje dhe poeti, të cilët kanë shumë nevojë për mbështetjen tonë.
Nuk është e nevojshme që ata të përdorin metafora apo retorika në krijimet e tyre, sepse ata përdorin dhe vënë në dukshmëri alegorinë, e cila paraqet dhe pasqyron vetë jetën e tyre.
Uria dhe etja zhduken menjëherë nga sytë e tyre, sepse të gjithë së bashku, kapur dorë për dore, ata formojnë rrethin e globit, duke filluar të këndojnë këngën e paqes dhe të lirisë.
Zëri i tyre bëhet edhe i yni, vargjet e tyre bëhen këngë të lira dhe të gjitha këto bëhen poezia e tyre dhe e jona, mbrojtja e tyre dhe e jona.
Uroj që këtyre krijuesve të mrekullueshëm Zoti t’i bekojë të gjithë një e nga një si dhe të kenë shumë fat në jetën e tyre.
Nga: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese