Nga: ” Udhëtimi i përfolur i Penelopës”Gerta Bandilli


– Iku dhe një shekull! Edhe një shekull tjetër që udhëtoj nëpër botë. Një shekull!!!- fishklllëu Odiseu si për të treguar madhështinë e rrjedhës së kohës.

– Sa zgjat një shekull, Penelopë?

– Sipas historianëve?

– Jo, jo, ata me siguri i matin shekujt me luftëra…

– Sipas filozofëve?- vazhdoi të bënte hokataren ajo.

Jo, as ata nuk më bindin. Përgjigjet e tyre zgjatin më shumë se një shekull.

– Sipas priftërinjve atëherë?

– Ata i besoj më pak se gjithçka, por sipas teje sa zgjat?

– Për mua një shekull zgjat sa një pritje.

– E çfarë bën ti gjatë një pritjeje, Penelopë?

– Thurr pëlhurën e mendimeve natën dhe e shthurr ditën….

– Të gjitha gratë thurin?

– Jo, vetëm Penelopat!