NJË DALLGË FATI
Lëkura jonë e regjur kripësisë së detit
Mban emrin e kohës së përçudnuar
E kohës satanike.
Aty na nxjerr si bizhdile të lagura
Në vendin qorr
Ku dita vdes pa paralajmërim.
Aty na flak, në një bashkësi molusqesh
Strukur nëpër rërë.
Kujdestarët kllounë të fatit tonë
Vetëm qeshin
Dhe zgërdhihen si të marrë.
Kokrriza rëre jemi,
që notojnë si pikla uji.
Shkulur rrënjësh si bimë deti
Duke parë metamorfozën kronike.
Një fluromë jete.
Si një spektakël pa shije, shkumë zemërimi
Mbi sipërfaqe me kurriz uji.
Ku do të përplasesh, o ushtar i fundit i Poseidonit?!
Ndoshta kemi lindur mbi ato dallgë
Në mitrën e detit plot mistere
Dhe krahët i lëvizim
Si rrema të molisun
Duke parë mbi kryet tanë qiellin kur përflaket
Nga një sinjal i kuq, SOS.
ll@gjoka
26.11.2024