Një mijë e një vjeshta-Arben Iliazi


Më prit se ika,

erdha

si një ëndërr

e fshehur

pas mesnate,

mbi njëmijë

e një

vjeshta

nomade,

ku rri një mall

i thinjur

i ngrënë

dhe qentë kuisin

xhelozë

mbi parmakë

të praruar

hëne…

LUMI I PADUKSHËM

Nëse je ëndërr

që pluskon drejt meje,

imazh a psherëtimë

e një reje,

një lumë i bardhë

do të të dalë përpara,

i dehur me shkëlqim

rrufeje.

Është lumë i lashtë

është lumë i ri

e ndjej kur rrjedh në gji.

Është lumi im i fëminisë

Ka kohë që të pret ty…

DASHURIA E PARË

Më ra

U çvar

dashuria e parë,

si lule mendjelehtë

qershize

që çel në janar…

Vijnë e ikin ditët

mes yjesh fikur,

pa jetë,

një zë i erëmitur

s’e di seç më flet…

PRAPË E PRAPË

…Prapë e prapë toka rrotullohet rreth tokës

Dhe mizat sjellin rropullitë nga fundi i botës…

EPILOG

O botë e mbushur dingas me zhuzhakë!

Me toka kimeriane me fat e pa fat

Sa pak ta njoha dashurinë, sa pak!

Sa shumë fjetëm bashkë në mëkat…