Pak natë, pak zjarr, pak dru të thatë
Pak natë, pak zjarr, pak dru të thatë,
pak flakë…
Ku t’i lë fjalët,
nga shkoi frymëzimi që më mbajti lart,
pse të flas përqart!
Pasi dielli më la e muzgu më pa nga larg,
u vesha me borë,
akulli më hyri në gjak,
zjarrin e ndeza përmbi hijen time,
pastaj e mblodha nga pak,
me copë e thërrime.
Pak natë, pak zjarr, pak dru të thatë,
u bë një kohë e gjatë,
që shtëpisë po i lëkunden trarët,
toka po më rrëshqet nën këmbë,
ç’është kjo mënxyrë, kjo gjëmë!
Po kalon edhe kjo natë,
yjet po ftohen, po ndizen zjarret,
dritat i shuajnë kalimtarët…
Po ti veç sheh e të plaken sytë,
në akull bie shikimi yt,
një hënë e re bën dritë…
Në vend të luleve
Edhe mungesat kanë domethënie,
pse të mungojnë lule dimrit në një park,
pse të mungojë shpresa në një pragmbrëmje,
pse të mungojë fryma në një fllad!
Edhe mungesat kanë domethënie,
ti i mungon kohës pak nga pak,
deri sa vjen dita e kthehesh në dhembje,
mungesa jote të kthehet në plagë.
Në vendin tënd as dritë as hije,
nuk do të gjejsh as kohë as vend,
veç nëpër parqe e ndër kopshtije,
lulet përmendin emrin tënd.
Dhimbja
Një klithmë
mbetet brenda shpirtit
ofshamë,
rrjetë e territ
zgjatet fije-fije,
nëpër lara dielli
e në sytë tanë,
dita përplas veten
pa vetëdije.
Në horizonte
një dritë shuhet e ndizet,
koha shëron plagë
me lotin ëndrrimtar,
kur jeta nis
të pastrojë gjirizet,
terri derdhet
diku në një ujvarë.
Po zemra ec
në rrugë të shkelura vjeshte,
mendja tretet
në ndryshkun vjeshtak,
ku dhimbjen e ndjen
në brymë mëngjesesh,
te gjethet që bien
pak ngapak.
Prej gjetheve që bien
nën ritmin e erës
që shfryn…,
dhimbja vjen
si mjegull a si brymë.