Partizanë antifashistë italian që ranë dëshmorë në Shqipëri-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

…sabotoni fashizmin, bashkëpunoni me partizanët

Në thirrjen e Shtabit të Përgjithshëm drejtuar popullit shqiptar me rastin e kapitullimit të italisë fashiste, thuhej se “…mobilizimi duhet të bëhet nën flamurin e alenacës sonë me BS, me SHBA, me Anglinë”… “demaskoni e goditni pa mëshirë, bashkë me ushtarët Italian”. Ndërsa në “apel ushtrisë italiane” të drejtur nga Shtabi i Përgjithshëm thuhej se “të luftoni së bashku me ne kundër trupave gjermane”. Ende dhe sot pas 81 vitesh dëgjohet dhe është aktuale thirrja e ushtarit Maroi Cristina të Regj. 1 Xhenier, “ju flet nga malet e Shqipërisë një zemër e vërtetë italiane … sabotoni fashizmin, bashkëpunoni me partizanët që luftojnë për lirinë e çdo populli”.

Ishin rreth 137 antifashistët italianë të bp “Antonio Gramshi” që u organizuan në tre kompani dhe në shtabin e batalionit që ishin komandanti, komisari, intedenti dhe korrieri. Komandant i batalionit u caktua Tercilio Kardinali (Terzillio Cardinali) nga San Giovani Valdarno, një oficer me eksperiencë që kishte luftuar në Afrikë; komisar u caktua një ushtar i Divizionit “Arezzo” me mbiemër Del Ponte, i cili pas një muaji dezertoi nga batalionit dhe humbi gjurmët; indedent u caktua Ermano Vasari (Ermanno Vasari) nga Montevarchi, një oficer i rangut “graduato” i Divizionit “Arezzo”; dhe korrier u caktua Oskar Nepi (Oscar Nepi), ushtar i thjesht nga Lastra a Signa. Nga komandanti i BrIS, Mehmet Shehu, u orientuan të vepronim të pavarur, por duke iu përmbajtur gjithmonë urdhrave të Komandës së Përgjithshme shqiptare (Shtabit të Përgjithshëm), duke treguar displinë të rreptë partizane, si dhe komandantët duhet të shërbenin si shembull. Për t’u orientuar me terrenin dhe për të mësuar taktikën partizane, çdo kompani u shoqërua nga partizanë shqiptarë. Luftimet e para i zhvilloi kundër ballistëve dhe xhandarmërisë shqiptare, për shkak se, njësitë balliste e të xhandarmërisë nuk kishin aftësi të mëdha luftarake dhe thyheshin shpejt. Detyrat kryesore ishin veprime tipike të luftës guerile, si afrimi pranë kazermave apo postë rojave, asgjësimi i rojave, kapja rob e personelit ushtarak, marrja e materialit ushtarak dhe bërja e propagandës për t’i bindur ushtarët ose ballistët që t’u bashkoheshin njësive partizane.

Nga fundi i nëntorit 1943 bp “Antonio Gramshi” ishte pothuajse gati për të organizuar aksione në mënyrë të pavarur. Mirëpo kjo nuk ishte dhe aq e lehtë sepse ushtarët italianë ishin mësuar që të merrnin urdhra nga oficerët, ndërsa tani duhej të vepronin me iniciativën e tyre dhe të merrnin vendime rrufe. Shtabi i Përgjithshëm ju kishte dhënë direktivën dhe njësitë luftarake shqiptare si BrS dhe bp kishin mëvetësi në luftime dhe manovronin me shpejtës për t’ju shmangur azgjësimit. Në faqet e ditarit të bp “Antonio Gramshi” lexojmë se “Shokët janë shumë të kënaqur dhe japin fjalën se do ta kryejnë detyrën deri në fund. Partizanët shqiptarë janë shumë të dashur me ne dhe bëjnë çmos për të na treguar miqësinë e tyre të çiltër, megjithëse kanë vuajtur aq shumë nga fashizmi gjatë pushtimit Italian. Me realizimin me sukses të këtyre sulmeve stërvitëse, batalionit mori detyë për ngritjen e pritave kundër autokolonave gjermane. Prita e parë u organizua në bashkëpunim me njësitë të tjera të BrIS në rrugën Peqin-Elbasan kundër një autokolone merreth 20 kamionë të shoqëruar nga një autoblind.

Dëshmorët e parë ranë në mbrojtje të qytetit Berat

Në mbrojtjen e qytetit të Beratit, bp “Antonio Gramshi”, duke qenë të papërgatitur dhe pa eksperiencë për t’u tërhequr me rregull përballë një force të madhe mësymëse gjermane, kompanitë partizane italiane e humbën toruan shpejt dhe u tërhoqën në rrëmujë duke humbur krejt aftësinë luftarake. Batalioni nuk lëvizi në sektorin që mbronte, në hyrjen veriore të Beratit, kështu që i tëri ra në kurthin e ngritur nga nazistët. Ranë në luftime komisari i batalionit Leo Dalponte dhe partizanët italianë Antonio Pertola, Nino Dino, Ciani Osvaldo, Giusseppe Bonovolte, Guisseppe Voipata, Nikolla Rroka,Vincesko Antonio etj. Partizani italiani Rajko Giusseppe ra në Çepan duke qenë në detyrë infermier që shërbente si ndihmës i mjekut italian që kuronte e shëronte partizanët e plagosur shqiptare, në spitalin partizan të Çepanit, të dy u pushkatuan nga forcat balliste me urdhër të komandantit të batalionit ballist, Xhelal Staraveckës.

Komandanti Tercilio Kardinali tregoi trimëri dhe drejtoi batalionin me mjeshtëri derisa batalioni doli nga rrethimi. Pas rrethimit, në atë gjendje jashtëzakonisht të rëndë që u krijua, e pati vështirësi të ruante disiplinën e rregullin. Kështu mbrojtja u shthur dha qëndresa mori fund. Batalioni u copëtua në grupe të vogla dhe secili grup bëri përpjekje për të dalë jashtë qytetit nga drejtime të ndryshme. Por hitlerianët e ballistët kishin zënë të gjitha shtigjet. Duke rënë në këto shtigje shumë veta u vranë ose u kapën robër. Nga bp “Antonio Gramshi” kishin mundur të dilnin jashtë rrethimit, natën, gjithsejt 48 veta me komandantin e batalionit. Të tërë ata që kishin rënë robër, nazistët gjermanë i pushkatuan pa gjyq.

BrIS së bashku me bp “Antonio Gramshi” u gjendën në zonën e operacionit gjerman të koduar me emrin “Horridoh” në zonën Vlorë-Gjirokastër, që zhvillohej në kuadër të operacionit gjerman të dimrit. Pas disa manovrave të suksesshme, forcat partizane arritën të çajnë rrethimin. Por çarja e rrethimit ishte meritë e partizanëve shqiptarë, të cilët në luftë guerile ishin të paarritshëm. Për më tepër një pjesë e tyre vepronin në krahinat ku jetonin e për këtë ata njihnin çdo shteg, do të shkruante autori italian Batista Kavaloto në librin e tij “Si u bëra partizan”.

Për atmosferën shoqërore që ekzistonte mes partizanëve shqiptarë, veçanërisht me vajzat partizane, ata i kishin vënë vetes detyrë që të mbanin lart moralin partizan me buzëqeshjet e tyre, mirësjelljen, këngët, etj. Autori tregon se duke ndenjur shpesh herë me partizanët shqiptarë edhe në bp “Antonio Gramshi” u zhvillua një atmosferë shoqërore që në kohë të tjera nuk kishte ekzistuar kurrë. “Ne u detyruam që të linim mënjanë egoizmin tonë personal dhe të ndanim me shokët çdo gjë. Mes nesh sundonte parimi “Të gjithë për një dhe një për të gjithë”.

Ra dëshmor komandanti trim, Kardinal Terzilio

Gjatë një sulmi kundër forcave balliste në datë 7 korrik 1944ra në luftime komandanti i batalionit Tercilio Kardinali. Kardinali ishte vënë në krye të kompanive së parë dhe të dytë të batalionit dhe në përpjekje për t’ju marrë krahun forcave balliste mori një plumb në ballë. Duke luftuar në Çerenec, afër Dibrës, për pushtimin e një kuote, ra në krye të batalionit komandanti trim, Kardinal Terzilio. Prej 10 tetorit 1943 gjer më 20 nëntor 1944 nga bp “Antonio Gramshi” kanë rënë dëshmorë të Shqipërisë 15 partizanë dhe 24 të tjerë u plagosën.

Në ditarin e një partizani italian efektiv i bp “Antonio Gramshi”, përshkruhet momenti i rënies heroike të komandant Kardinali. BrIS e DIS gjendet në Gollobordë të Dibrës. Forca të armikut të vendosura në Cerenecin e Sipërm godasin në befasi b1p të BrIS, që ndodhej në rrugë. Aty afër ishte edhe bp “Antonio Gramshi”. Ky u hodh në sulm me dy kompani, me komandantin Kardinali në krye, kundër 860 xhandarëve dhe ballistave, të udhëhequr nga gjermanët. E pashë Kardinalin para se të nisej në mësymje. Ishte tërë gëzim. I shkëlqenin sytë dhe ishte i kënaqur për misionin që i ish ngarkuar në një sektor të rëndësishëm.

-Do t’i zhdukim me mësymjen tonë, më tha. Kompania e parë u hodh tri herë në mësymje dhe pengoi tri herë kundërmësymjet e armikut. Në krye të kompanisë, që mësynte vetëm, turej Kardinali, duke u bërë shëmbull për partizanët. Luftimet zhvillohen të rrepta, por Kardinali nuk tërhiqet. Duke qenë ai vetë në krye, vazhdojnë të goditin armikun në këtë sektor të rrezikshëm.

“Në sulm, shokë”, dëgjohet. Është zëri i Kardinalit që, pas pak minutave, ishte gati i vdekur. Tre partizanë e ngrejnë dhe e heqin prej atij vendi. “Vazhdoni mësymjen, shokë… unë po vdes… Jam i lumtur… Vdes për idealin… Kardinali me luftën e tij në brigadë… vdiq si një hero, larg atdheut të tij, duke u treguar shokëve partizanë të batalionit të tij rrugën e lavdisë. Në këtë betejë, bashkë me komandantin Kardinali ranë dhe partizanët italianë Roko Konsilio (Rocco Consiglio) dhe Renato Donini, të cilët u përpoqën t’i vinin në ndihmë komandantit të tyre të dashur. Ballistët u shpartalluan. Beteja u fitua por me çmim të lartë. Dëshmori Tercilio Kardinali u dekorua pas vdekjes me medaljen “Ylli partizan” e Klasit të Parë” dhe mori titullin “Hero i Popullit” nga qeveria shqiptare. Në ditën e vdekjes së tij komandanti Kardinali mbushi 31 vjeç.

Dëshmorë italianë të rënë në luftime me njësitë partizane

Partizanët italianë ishin shpërndarë sipas dëshirës së tyre edhe në BrS. Në betejën e Tendës së Qypit të zhvilluar më 20 janar 1944 ranë dëshmorë italianët Franko Tenda, Mario Kronika dhe Xhyzepe Riki. Në luftimet e zhvilluara më pas më 25 janar 1944 dhe ra dhe Osvaldo Kjani Kajcë. Ndërsa në mars 1944 ra Euxhenio Toriçeli në Martanesh. Ndërsa në Belsh më 20 maj 1944 ra për liri edhe Staroçi Aurelio. Gjatë muajve korrik dhe gusht 1944 kanë rënë në luftime me pushtuesit nazistë në zonën e Dibrës partizanët italianë Antonio Entolo, në Fushallaj, Alfred Sebastiano në Peshkopi, Mario Polisi, në Dibër, Xhovani Taçini po në Dibër dhe Xhuro Mikeli. Më 14 tetor 1944, në luftimet e zhvilluara në kalanë e Prezës ra komandant toge Salvatore Umberto dhe në luftimet për çlirimin e kryeqytetit Tiranë ranë Ernesto Tagistino. Janë shpallur dëshmorë të Shqipërisë 114 ushtarakë italinë që me vullnetin e tyre u rreshtuan në formacionet partizane shqiptare, por dhe në njësitë e tyre luftarake si bp “Antonio Gramshi”, “Matteoti” dhe në formacionet e pushtetit të prapavijave shqiptare.

Luftëtarë të huaj që luftuan për Shqipërinë, dëshmorë të Atdheut

Në radhët e UNÇSH kanë luftuar dhe luftëtarë të tjerë të huaj, të cilët erdhën me pushtuesi, por u kthyen kundra tij. Një nderim i veçantë dhe përkujtimor shkon dhe për ish-ushtarakët britanike, amerikanë, izraelitë, armenë, etj., që merituan mirënjohje dhe vlerësim nga Shqipëria dhe shqiptarët. Për luftëtarë armenë që janë shpallur dëshmorë të Atdheut, janë Undenberg Mosareli rënë në Tiranë në nëntor 1944, në kompaninë armere në BrIS, për partizanët armenë që luftuan në radhët e BrIVS e rënë dëshmorë në Shqipëri janë Profik Imesopi, Mesogi Mestorja, Serjan Koçiviani, Mikele Armeni, Degran Akopian dhe Harami Zvuami. Për 10 ushtarakët amerikanë që ranë dëshmorë në Shqipëri për kauzën e madhe antifashiste gjatë luftës, kur një avion ushtarak amerikan u rrëzua në malet e Sheperit të Zagorisë. Për 46 ushtarakë britanikë, që ranë në vende të ndryshme të Shqipërisë për kauzën antifashiste dhe për lirinë e popujve. Për bij të kombit izraelit që u bashkuan me strukturat e forcave antifashiste shqiptare dhe 9 hebrenj ranë dëshmorë në Shqipëri.

Titulli “Dëshmor i Atdheut” për luftëtarët e huaj që luftuan bashkë me partizanët shqiptarë është vlerësim, nderim, detyrim dhe respekt për vlerat e antifashizmit botëror.