Përse-Myrteza Mara


PËRSE?

Përse nata kaq e zezë

Dita humbur në greminë?

Fjala e urtë pikon helm,

Oxhak ka, por nuk ka tym.

Përse gurët janë të lehtë,

Hapi ynë bërë i rëndë?

Përse gjuha si tel i nxehtë,

Zogj ka, por nuk ka këngë.

Përse rrugët s’kanë shteg?

Bukë plot, ne të uritur;

Pse mbi lule s’ka më bletë,

Pse dhe dielli i djersitur?

Pse ata që votojnë ligjet,

Kuvendojnë si në pazar?

Për të mbrojtur ato karrige

I lyejnë dhe gishtat me zjarr…

Ne e dimë, ngremë supet kot,

Ushqehemi me fat të stisur;

Zogj shtegtarë nëpër botë,

Nëpër erë si flamur i grisur.