Pjesë nga dorëshkrimi i romanit “ RRUGA PA KTHIM “- Petro Sota


Kapitulli II
————–

Në aeroport arritëm më shtatë e njëzet e pesë. Kisha një orë kohë për të bërë çekinin dhe kontrollin e pasaportës nga ana e punonjësve të shërbimit. Gjatë rrugës, Ana ishte e përqëndruar më shumë tek udhëtimi, kishte një heshtje jo të zakonëshme dhe këtë mundohej të kalonte gjoja duke dëgjuar ndonjë këngë nga radio e makinës. Por edhe mua sikur më pengonte një ngërç, i bllokuar, s’më dilnin fjalët dhe herë pas herë e shikoja në fytyrë. Njëqind mendime më vinin në ato çaste. Po udhëtonim në heshtje dhe po më ngjante sikur ishim dy të huaj. Sikur po shkonim në një funeral, të heshtur të dy. Kur ndaloi, mori frymë thellë duke e mbështetur kokën tek timoni, ndoshta për të mos më treguar sytë e saj të trishtuar. Çfarë po ndjente ato çaste Ana, pse ishte e trishtuar.?
Ne nuk kishim asnjë lloj lidhje bashkë. Mos vallë kishte filluar të lindte diçka në shpirtin e saj,? Diçka kisha kuptuar edhe unë, por nuk i kisha dhënë të kuptonte se të njëjtat ndjenja po trokistin edhe në shpirtin tim. Mendoja gjithmonë se mund të ishin dëshira të çastit, që lindin kur pranë nesh kemi një pemë me fruta të ëmbla dhe mendojmë për ta shijuar këtë lloj fruti por, pasi e kemi bërë këtë harrojmë ta vlerësojmë. Apo mos vallë është një ego maskiliste për të provuar një femër.?
Jo, nuk ishte as e para dhe as e dyta. Ne ishim të qetë si gjithmonë. Nuk i kisha dhënë asnjë shkak Anës që ajo të mendonte për ndonjë lidhje apo për ndonjë flirt. Por fjalët e bukura nuk më kishin munguar kur e shihja që fytyra e saj shkëlqente nga bukuria. Ajo më gjithmonë më falenderonte me një buzëqeshje të veçantë që vetëm ajo dinte të godiste në shpirt, me një lëvizje të lehtë të kokës, si një grua e dashuruar, që priste diçka më shumë se një kompliment.
Ndonjëherë kur ishim shumë pranë njëri tjetrit, duke më treguar diçka nga celulari, më prekte pa dashje me gjurin e saj dhe e largonte menjëherë sikur kishte prekur një rrymë elektrike. Pastaj e vinte re që s’kishte bërë mirë dhe e mbështeste me ngadalë si ndonjë gjë normale. Të njëjtën gjë e ndjeja edhe unë, sikur më turbullonte pak ajo prekje e gjunjëve të saj.
E shikoja në fytyrë dhe vija re që ndryshonte, merrte një pamje ngjyrë rozë të çelur, dhe mbas disa minutave kthehej në gjëndje normale. Kisha lexuar diku se një femër kur të prek, ajo me siguri po flirton me ty. Ndërsa kur të prek, jo me qëllim, por aksidentalisht, duhet treguar kujdes,se kjo tregon se është duke të tërhequr vëmëndjen dhe për të mos e ofenduar duhet t’ja ktheni flirtin në se ju pëlqen ajo femër. Ajo kishte një lloj ngurimi, sepse më ngjante si një zog i trembur që përpëlitet në folenë e vetë dhe është e frikësuar nga fluturimi, se mos e ze ndonjë furtunë dhe e rrëzon në tokë, por që ka dëshirë shumë të fluturoj. Përpëlitet duke shikuar me sytë e bukur botën që e rrethon.
-Bota është e çuditëshme, – më thoshte, kur ti mendon se ke arritur diçka të del përpara një humnerë dhe po të mos kesh kujdes, bije brënda dhe nuk del dot më. Sado të tregohesh e kujdesëshme nuk i shpëton dot kurtheve që të ngre jeta.
Më thoshte një shprehje të Gëtes: -Për tu arratisur nga bota, nuk ka vënd më të sigurtë se arti, dhe asgjë nuk është më e mirë apo e sigurtë se arti për të ruajtur lidhjen me botën”.
Kur më fliste për artin, në sytë e saj të bukur shihja dritë, shkëlqim, sikur ishte e lumtur, ndërsa ajo vetë nuk e shihte atë që shihja unë tek sytë e saj. Herë, herë pyesja veten. Çfarë është e bukura. ? Është një koncept absolut apo relativ, dhe përgjigjen e gjeja tek sytë e Anës. Nuk kisha parë sy më të bukur se të saj. Dikur kisha njohur një vajzë me sy shumë të bukur, por si sytë e Anës nuk ishin, ato kishin diçka të veçantë. Edhe kur ishin të trishtuar pasqyronin dy ngjyra, një ngjyrë në të qielltë çeleste dhe tjetra në një blu trasparente në thellësi,
Kushdo që ka nuanca të tilla në sytë e tyre edhe kur janë të trishtuar, janë persona të shoqërueshëm , i pëlqen shoqëria e të tjerëve, zakonisht janë optimistë dhe nuk e lenë veten të dekurajohen nga pengesat që u dalin në jetën e tyre. Kështu Ishte edhe Ana.
Ndërsa unë isha duke pritur Anën që të ngrinte kokën e mbështetur nga timoni dhe të dilte nga kjo gjëndje e turbullt, më iknin dhe më vinin një qind mendime. Kur e ngriti kokën më buzëqeshi dhe doli nga makina për të më përshëndetur. E hapi bagazhin dhe po priste që të merrja valixhen. I futi të dy duart tek flokët me gishtrinjtë të hapur si krëhër, duke i rregulluar. Por më shumë e bëri këtë veprim për të nxjerr nga shpiri një duf, një psherëtimë, një “ ah “ si një çlirim që i doli nga gjoksi.
E mbylli bagazhin e makinës kur unë nxora valixhen, më shoqëroj dy tre metra deri aty ku unë ndalova. Kur e përqafova, e shtrëngova fort duke e falenderuar dhe e putha në faqe me cepin e buzës. Të njëjtën gjë bëri edhe ajo, duke më puthur me cepin e buzës dhe qe një moment që të dy cepat e buzëve tona u afruan aq afër sa e ndjen që po takoheshin dhe në një të qind e sekondës u bashkuan. Qe një puthje aq e dëshiruar, pasionante, që nuk donin të shqiteshin më, turbulluese, sa që u shkëputëm menjëherë të dy sikur po bënim ndonjë gjë të ndaluar, të frikëshme, që do të na çfaqej çdo natë, para se të na zinte gjumi.
– Nuk e kisha menduar se ne të dy do të putheshim kështu, – do të më thoshte pas disa kohësh vetë Ana.
Iku Ana pa e kthyer kokën pas, vetëm kur shkoi tek makina, më përshëndeti me dorë, me fytyrën të skuqur.
Tërhoqa valixhen dhe bëra dhjetë hapa përpara deri tek porta kryesore. Kur u hap sikur po më priste mua që të hyja brënda. U ngjita me ashensor për në katin e dytë, që të bëja çekinin, për të lënë valixhen dhe për kontrollin e pasaportës. Radha ishte e gjatë dhe po lëviznin me ngadalë. Nga që ishte fundi i korrikut dhe shumë emigrantë ktheheshin në atdhe për të kaluar pushimet, disa ditë në vit pranë njerëzve të tyre në vendlindje.
Para meje Ishte një çift i martuar me një djalë dyvjeçar biond bukurosh, që herë pas herë kthente kokën pas duke më shikuar mua dhe më buzëqeshte. Djalin e mbante për dore i jati, një burrë tridhjetë e pesë vjeçar, shtatë lart, pak të përkulur kurrizin, duke më lënë përshtypjen, se kishte luajtur basketboll disa vite më parë. Ndërsa djali herë pas herë belbëzonte papa, papà, sepse sapo kishte filluar të fliste fjalët e para. I jati e përkëdhelte dhe tentonte që ta merrte në krah por djali refuzonte, donte që të ecte vetë në këmbë Ndërsa e ëma e djalit, një grua me flokë të zeza lisho, të prera shkurt përpara sipër vetullave, me fytyrë gjithë inat, sikur i kishte ngrënë qeni bukën, më ngjante si ato shtrigat në filmat vizatimor që shikonte nipi im Ejden, sepse i bërtiste ndonjëherë me inat vogëlushit, sa e bënte për të qarë. Por nga përkëdhelja e të jatin ndryshonte, më buzëqeshte edhe mua duke shikuar mbrapa. Ajo femër grua, ( o zot thashë mos të zënë rrugën ) më la një përshtypje shumë të keqe me pamjen dhe sjelljen e saj karshi fëmijësh, sikur nuk ishte e ëma por njerka,
Kur do të kalonim kontrollin me lazër dhe kur po kalonte ajo, i ra sinjali i alarmit dhe atë e kthyem dy tre herë duke ja hequr edhe këpucët. Më ngjante se dhe zemrën e kishte prej metali që binte sinjali. Unë kisha kaluar dhe u largova prej tyre duke shkuar tek salla ku do të prisnin për të gjetur një vënd dhe u ula pranë një çifti të moshuar. Zura vend pranë tyre dhe në të djathtën time ishte një vënd bosh, aty mbështeta çantën e dorës dhe po shikoja rreth e rrotull njerëzit që po zinin vënd dhe bisedonin ndërmjet tyre. Shumica prej tyre ishin të shoqëruar dhe njiheshin me njeri tjetrin, ndërsa unë nuk kisha asnjë të njohur. I hodha sytë se mos njihja ndonjë që ta thërrisja të ulej pranë meje por nuk pashë asnjë. Nxora telefonin nga xhepi që të kaloja kohën duke lexuar ndonjë gjë. Në atë moment po vinte drejt meje vogëlushi biond duke vrapuar sepse e ndiqte nga mbrapa i jati që ta kapte. Vogëlushi qeshte dhe vraponte i gëzuar në botën e tij fëminore, ndërsa dy stola më tutje kishte zënë vënd e ëma vogëlushit që akoma po rrinte me fytyre të nevrikosur gjithë inat. Kur vogëlushi kalonte pranë meje, më buzëqeshi dhe duke shikuar mbrapa thërriste , papa, papà , sikur më thoshte mua, që po më ndjek babai.
Në këtë kohë u shfaq diku nga fundi një femër e bukur, që tërhoqi vëmëndjen e të gjithëve duke e ndjekun me vështrim. Nuk mund të ishte më shumë se tridhjetë e pesë vjeçe, por të binte në sy menjëherë, për elegancën dhe me veshjen e saj të thjeshtë, sepse i rrinte bukur në trupin e saj shtatlartë. Binin në sy këmbët e drejta. Kishte veshur pantallona të shkurtra, të holla në ngjyrë të bardhë, që të jepnin përshtypje si fund, sa kishte zbuluar pak ngjunjët, dhe një këmishë kremi në ngjyrë të kaltër, me mëngë të shkurtëra, ku dukeshin krahët e bukur. Në këmbë kishte veshur atlete të bardha sportive. Në dorën e djathtë kishte një byzylykë të hollë floriri, ndërsa në të majtën një orë të bukur që shkëlqente. Këtë veshje të tillë mund ta kishte edhe ndonjë femër tjetër, por nuk do të dukej kështu kaq e bukur.
– E bukura është sinonim i proporcione perfekte për t’u pëlqyer nga të tjerët, – më thoshte Ana kur bisedonim për bukurinë njerzore dhe bukurinë e portreteve në pikturë. Po shikonte në të gjitha drejtimet. Mendova se po kërkonte shoqëruesin e saj, ndoshta ndonjë shoqe ose ndonjë shok. Por nuk po kërkonte asnjë nga të dyja. Po kërkonte një vënd bosh për të ulur. Më zgjuan instiktet, ndoshta telepatia dhe e mendova, se kjo bukuroshe do të ulet pranë meje. Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Ajo po vinte vërtetë drejt meje, ashtu si e kisha menduar unë, për tek vëndi që ishte bosh, duke u ndjekur nga dhjetra sy që e shoqëronin.
Nuk po e besoja, sepse kishte dhe vënde të tjera tek tuk të pa zëna por zgjodhi atë vënd që ishte pranë meje.
-E zgjodha atë vënd jo rastësisht, do të më thoshte më vonë ajo, por vura re se aty afër dilte ajri i freskët i kondicionuar dhe ishte më në cep, afër dritares ku mund shikoja edhe jashtë.
E ndjekur nga vështrimet e shumta sidomos të meshkujve, por edhe të grave, ( disa duke përdredhur buzët, nga që shumë vështrime të meshkujve shkonin në drejtim të saj )u afrua afër meje dhe më foli: -Më fal mund të ulen këtu.?
-Patjetër i thashë, – është i lirë.
Në fillim hoqi nga supi një çantë të vogël në ngjyrë të zezë, u ul dhe çantën e vendosi sipër gjunjëve. Në dorë kishte një fletë të bardhë që e tundte e përdorte si freskuese nga që ishte shumë vapë. Ktheu kokën nga unë dhe më tha; – Sa vapë që bënë, nuk durohet. Nuk priti që t’i ktheja përgjigje por hapi çantën dhe nxori një shishe të vogël me ujë dhe filloj të pinte. Duke pirë ujë e ktheu kokën disi mënjanë nga ana tjetër, ndërsa gërsheti takoi supin tim. Për dreq, kisha një dobësi të veçantë, të çuditshme për gërshetat, më pëlqenin femrat që i lidhnin flokët duke thurur një gërshet mbrapa, duke nxjerrë në pah bukurinë e qafës, sidomos ato femra që e kishin qafën të gjatë. Ishte bionde. Kishin një ngjyrë natyrale flokët e saj, sikur shkëlqenin kur u binte drita, të jepnin një ndjesi të çuditshme, sikur shikoje shkarkime elektrike në ato flokë.
-Po shumë vapë është, i thashë, – jemi në korrik dhe ka kohën tani. E miratoi me kokë shprehjen time, duke pirë edhe një gllënjkë tjetër ujë. E futi shishen në çantë dhe nxori që aty, një çantë dore të vogël, si duket mbante portofolin dhe gjërat intime duke m’u drejtuar;
– Mund ta lë çantën sa të vete deri në banjo, – më tha, dhe u ngrit
-Po, patjetër, mund të keni besim, – i thash. Duke më thënë faleminderit, ajo u largua për në banjo duke lënë aromën parfumit të saj aty dhe duke marr me vete vështrimet e njerëzve
Kur u largua, çantën e la pak të hapur, ndoshta nga pakujdesia, por mua më shkuan sytë tek kopertina e një libri. Më çuditi dhe nuk po më besohej që tek kjo grua simpatike, të shikoja një nga librat e mi që kishja botuar në internet para dy vjetësh. E shikova edhe njëherë me shumë vëmëndje pa rënë në sy tek të tjerët, se po shikoja në brëndësi të çantës së saj ( mos të dukesha si hajdut çantash, ) dhe u binda që ishte libri im. Titulli i librit dhe emri im me gërma të mëdha Mark Tosa. Do ta kishte blerë patjetër tek Amazon. Isha në kureshtje për të mësuar gjithçka për këtë grua se çfarë e kishte shtyrë për të blerë librin tim. Nuk e kisha parë në asnjë vënd këtë grua dhe nuk besoja se mund ta kishja mike në fb. që mund lexonte poezitë e mija që herë pas herë i publikoja në profilin tim. Ajo as më njeh edhe pse u ul afër meje nuk e di se kush jam, nuk e di se në çantën e saj mban librin tim. Duhet të ketë qenë ndonjë shkak, ose duhet të jetë porosi e dikujt tjetër libri, ndoshta ndonjë shkak tjetër që së shpejti do ta marr vesh. Ardhja e saj dhe ulja në një vënd afër meje mund të jetë një rastësi apo diçka tjetër si ato që ndodhin shumë rrallë. ?
Po prisja me padurim që të vinte ajo dhe të përqëndrohesha mirë nga kurioziteti që po shihja librin tim në çantën e saj, po më ngjante si një bombë, që s’mund ta prekja se mos më shpërthente. E pashë që po vinte më e freskët në fytyrë , si një shpëtimtare që do të çaktivizonte minën që ndodhej brënda në çantë, dhe ndoshta do të ishte e shqetësuar për këtë. Por ajo nuk dukej e shqetësuar fare, ajo ishte shumë e qetë dhe nuk dinte asgjë se çfarë po përpunonte truri im. Ajo ishte e qetë ashtu sikur erdhi dhe u ul pranë meje. Ajo nuk di asgjë se ai objekt që ka brënda në çantë ka të bëjë vetëm me mua.
Ajo nuk di asgjë që ky libër njëkohësisht më gëzonte por, do të jetë një shkak për të hyrë në bisedë me këtë grua, për të mësuar të vërtetën që po më duket si një enigmë.
“ -Bukuria është kjo enigmë magjepëse që magjeps shikimin tonë dhe zgjon shpirtin tonë. “ shprehej me të drejtë Viktor Hygo.
Në atë moment, sapo të ulej do të pyesja për enigmën këtë bukuri që ishte ulur përpara meje, që po magjepsëse jo vetëm mua por të gjithë ata që ishin aty rrotull nuk ja hiqnim sytë.
Ashtu e zhdërvjellët erdhi duke më buzëqeshur, më falenderoj dhe u ul në vëndin pranë meje. Po bëhesha gati që të hyja në bisedë dhe s’do ta pyesja që në fillim për librin, por për dreq, në atë çast, më erdhi një mesazh tek mesaxheri në telefon dhe kur e hapa pashë që më kishte shkruar dikush, një femër, Lindita Todi dhe më shkruante kështu; – Jam ulur përball juve , në stolin pranë hyrjes, unë ju njoh se jemi miq në fb, dua t’ju takoj. Faleminderit.
U habita pak kur e lexova dhe e ngrita kokën që të shihja, kur përpara meje po vinte një vajzë, pak si e ndrojtur rreth të njëzetave me pantallona të shkurtëra xhins, me bluzë po xhins si jelek, pa mëngë, veshur me atlete të bardha, flokët i kishte kaçurrela në ngjyrë kafe të dëndura sa ja mbulonte fytyrën e rrumbullakët dhe herë pas here i jepte me dorë anash për të zbuluar sytë. Sytë i kishte po në ngjyrë të kafe që i shkëlqenin kur buzëqeshte, duke formuar dy gropëza të vogla në faqe ku shprehte gëzimin që kishte. E kuptova që ishte ajo Lindita Todi, se po më shikonte me një buzëqeshje të lehtë sa i dukeshin pak dhëmbët e bardhë të sipërme. Unë u ngrita dhe kur u afrua pranë meje më përshëndeti, në të njëjtën kohë ja ktheva përshëndetjen duke i zgjatur dorën. Kur ja preka dorën, mu duk sikur po prekja një sfungjer të butë, me lëkurën e bardhë të lëmuar, një dorë e kuruar, me thonjë të bërë me manikyr. Pasi e pyeta , se nga ishte, çfarë bënte në Itali. Mu përgjigj, se ishte nga Fieri, studente në vitin e dytë për psikologji në universitetin e Padovës dhe lexonte shumë libra, i pëlqente dhe poezia, më kishte ndjekur dhe i lexonte poezitë që publikoja në profilin tim. Me ndrojtje më kërkoj të bënim një foto bashkë. Pasi bëmë foton nxora nga çanta ime një kopje të librit që kishja botuar kohët e fundit, se kisha marrë me vete tre kopje për të ja dhënë dy miqëve të mi në Tiranë. Ja dhurova me një autograf të nënshkruar me firmën time, U gëzua si një fëmijë, duke më përqafuar dhe falenderuar për librin. U largua kokë ulur për në vëndin e vet, ku po e prisnin dy shoqet e saja duke shtrënguar librin si një gjë të shtrenjtë me të dy duart në gjoks.
Kur u ula në vëndin tim, gruaja pranë meje ( as emrin nuk ia kisha mësuar se nuk qemë prezantuar ) po më shikonte si e çuditur kur pa emrin tim në kopertinën e librit që i dhurova vajzës me emrin Lindita Todi, duke parë se i njëjti emër ishte edhe në kopertinën e librit që ajo mbante në çantën e saj. Me një zë që mezi i doli nga goja tha;
-O zot,,,, po ju qënkeni Mark Tosi,! dhe më zgjati dorën duke m’u prezantuar me emrin e saj, por në atë moment një mesoburrë me mustaqe dhe pak mjekër si të një cjapi me vetulla të trasha, lexoi në monitor se avioni që nisej për në Tiranë, do të niset një orë me vonesë. U bë një gjullurdi në atë moment nga njerëzit duke sharë, duke bërtitur me zë të lartë kompaninë ajrore, sa që unë nuk e mora vesh dot emrin e gruas që mu prezantua.

( vijon …..)
——————————————————
Petro Sota