Po the Raq Paskali, ke thënë Gjirokastra-Engjell Serjani


Po the Raq Paskali, ke thënë Gjirokastra.
Mësova sot ikjen nga kjo jetë të “enciklopedisë së gjallë” Sotiraq Paskali. U trishtova pa masë. Në çast mendova se bukuria dhe lezeti i Gjirokastrës nuk kanë guret e sokakët, arkitektura dhe urbanistika e papërsëritshme. Bukuria e vërtetë, janë gjirokastritët si Rad Paskali. Profesionalist i rrallë në shumë fusha të artit dhe sportit. Mjek veteriner, themelues i cirkut, sportist, eksplorator, kompozitor, piktor, sculptor, poet, romancier. Njeri me inisiativë, kurajo dhe guxim të jashtëzakonshëm. “Ashtu si karbonet ndahen në grafite dhe diamante, edhe njerëzit metaforikisht ndahen përkatësisht kështu. E padyshim, Raq Paskal u takon diamanteve se ka bërë “mrekullira”, – do të shkruante në 26 Dhjetor të vitit 2010 Sokrat Papadhopuli, një tjetër legjendë e galerisë së personazhve diamantin të Gjirokastrës. Tani ata do të jenë bashkë atje lartë, prandaj zgjodha këtë profil të Sokratit për Raq Paskalin. Legjenda shkruan për legjendën,
PROFI: Raqi Paskal, “fenomeni” i rrallë i “Sokakut të të marrëve”.
Jeta e themeluesit të cirkut të Gjirokastrës, pasioni për sportin dhe aventurat.
Ai erdhi dhe u vendos në “Sokakun e të marrëve” të Gjirokastrës, lagjen “Palorto” dhe shumë shpejt u shndërrua në një ndër eruditët më të shquar të këtij qyteti antik, njeriu më poliedrik i tij, por dhe më gjerë si për të sfiduar krahas egërsisë të natyrës dhe aspekteve të shoqërisë, me plot bëma dhe aventura. Para ca kohe shkrimtari i madh, Ismail Kadare, shkoi në shtëpinë e Raqit të kthyer në një “Luvër” modest ku shkëmbyen dhe batuta.Ambienti rrethues i shtëpisë është me mure kështjelle dhe në verë lë përshtypjen e një “xhungle” tropikale, kurse në dimër të një “taige” siberiane, oborri i së cilës shpesh kthehet në arenë cirku ku dhe sot Raqi stërvit brezin e 5-të të fëmijëve për të.
FËMIRIA
E pagëzuan Sotir, që sikundër thotë vetë do të thotë “shpëtimtar”, e disa herë u bë i tillë në emër të mbrojtjes së mirësisë së jetës. Qysh fëmijë ka pas “aventura” me maçok, gjarpër dhe një oficer gjerman që e shkelmoi si top, kur iu afrua për një çokollatë. Pas disa vitesh, kur studionte në Tiranë, u njoh me Telat Agollin dhe nisi të ushtronte gjimnastikën, shtangën etj. Në vitin 1962, pas mbarimit të studimeve, e dërguan të punonte si veteriner fillimisht në Përmet ku krijoi dhe grup akrobatësh dhe pastaj për shumicën e kohës në Gjirokastër.
FAMILJA
“Dashuria e parë nuk harrohet…” është kënga e dashur e tij që kujton” ishin sytë e një vajzë 15-vjeçare nga Korça, flokëverdhë, e quanin Ana, që e goditi si “harku i Voltës”, por nuk e ndoqi pas në Shkodër. Kështu, në shpirtin dhe zemrën e Sotiraqit, që së fundi e ka amerikanizuar emrin në Raq Paskal, hyri Frida (Ida) gjirokastrite. Pas duelit mes “sulltan Mehmetit” (babait të saj) dhe “shën” Thomait (babai i tij) çoi në rrëmbimin e saj më 16 janar 1958. Historia botërore njeh rrëmbimin e Helenës nga Paridi kurse në Gjirokastër ai i Fridës nga Raqi, që u bënë dhe bashkëpunëtor në cirk. Ajo, ashtu si Beatriçja shoqëroi Danten në parajsë, shoqëroi të dashurin e saj në çdo veprimtari dhe lindën Arturin, Djanën dhe Mikelin që u bënë dhe këta aktorë të cirkut.
SPORTET
Ai konsiderohet si një “fenomen” i rrallë në botën e sporteve. Ka ushtruar 21 disiplina sportive individuale. Ka dhënë shfaqje në mundjen greko-romake duke elektrizuar sportdashësit gjirokastritë, por dhe në Pallatin e Sportit në Tiranë në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1969. Ai ka lënë mbresa në Atletikën e lehtë dhe të rëndë, sportet e ujit, hipizëm, motoçiklizëm, ndërkohë që ka qenë i pari që lëvroi bodybuilding në Gjirokastër. Çuditërisht ai nuk ka thyer rekorde, por ka arritur rekordin si sportist polivalent, ndaj është i “papërsëritshëm”.
CIRKU
Cirku në tërësi dhe numrat e veçantë që bëjnë aktorët e tij, duke u mbështetur kryesisht në ligjet e fizikës, funksionon si vetë universi ku trupat qiellorë bashkëveprojnë në harmoni. Guximi, intelekti, gjakftohtësia, mprehtësia, sinkronizimi, hipnotizimi, janë të pranishëm për të krijuar emocione, ndoshta më shumë sesa janë të nevojshëm ndonjëherë. Raq Paskali është themeluesi i cirkut të Gjirokastrës, në bërthamën e të cilit ishte “dinastia” Paskal me 10 pjesëmarrës me “perandor” Raqin që për tri dekada i dha qytetit gjallëri duke argëtuar njerëzit në ato vite para 1990-s, të diktaturës proletare që vuanin radhëve dhe për gjërat më elementare. Cirku në fjalë, me disa numra të nivelit botëror, u bë i njohur anembanë vendit tonë. Historia e Gjirokastrës, domosdo një kapitull do ia kushtojë cirkut dhe regjisorit të tij që nxënësit e thirrën “Xhek i Madh”.
VJOSA
Kur ishte vetëm 24 vjeç, bashkë me një mikun e tij, ndërmorën aventurën unikale, duke u nisur me “t’rap” nga ura e Përmetit për të dalë në Adriatik, duke përshkuar Vjosën si për të kërkuar dimensione të reja të lirisë. Pas peripecish dhe aventurash, pas 3 ditësh, arritën në urën e Mifolit ku dikush i ndali, i quajtën diversantë. I çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit, u njoftua edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë… Por kjo nuk ishte e vetmja aventurë e tij. Ende sot, ai përmendet për hedhjen nga treni në lëvizje, ku u tronditën shumë pasagjerë të linjës Tiranë–Durrës. Në Përmet, në pyllin e Hotovës, rrëmbeu një këlysh ariu. Në Gjirokastër shpëtoi 15 aksioniste, duke mos lejuar përmbysjen e qerres ku ishin hipur brenda lumit të rrëmbyeshëm. Ashtu si karbonet ndahen në grafite dhe diamante, edhe njerëzit metaforikisht ndahen përkatësisht kështu. E padyshim Raq Paskal u takon diamanteve se ka bërë “mrekullira”.
Gjirokastër 26/12/2010