Poetja Allison Grayhurst – përktheu Irma Kurti


ALLISON GRAYHURST është emëruar pesë herë si “Poetja më e mirë online”. Ajo ka mbi 1,400 poezi të botuara në mbi 530 revista ndërkombëtare revista, duke përfshirë edhe përkthime të veprës së saj. Ka botuar 25 libra me poezi dhe 6 libra xhepi. Allison jeton në Toronto me familjen e saj. Ajo punon gjithashtu edhe me argjilë.

Çfarë është fundi

përveçse një vendimi që merret

në një ballkon, gjatë një stuhie,

në vetmi – duke evokuar,

në një lëvizje të shpejtë,

të kufizuarën dhe të përjetshmen si një?

Çfarë është paqja

përveçse një peizazhi

me pemë satelitore dhe një hënë të butë

që përkëdhel fushë dhe lumë

pranë kullotave që mërmërijnë

tingullin e nervit elektrik

të ekzistencës së saj?

Çfarë është fillimi

përveçse zbrazëti

pas një përmbytjeje ose zjarri, duke i kthyer

Zotit atë që ka qenë gjithmonë e Zotit

dhe pastaj duke u ngritur, ndoshta duke shkelur,

të lirë e të pambrojtur nga koha

dhe graviteti?

Çfarë është kjo ndjesi tani

të shoh nënën time teksa ndryshon,

që përkeqësohet, ka nevojë gjithnjë e më shumë,

që vuan gjithnjë e më shumë?

Të jesh e privilegjuar ta duash, të jesh

dielli, ylli, dhe bija

që shpirti i saj i madh meriton ndërsa përgatitet

të niset, të ndërmarrë këtë udhëtim përgjithmonë –

teksa shfaqet e kthjellët një minutë dhe e përhumbur

më pas, ndërsa nënvizon përthyerjen në libra,

duke lexuar fjalët e Jezusit tonë me zë të lartë –

Zot i madh dhe hyjnor, është e tmerrshme

për ne të dyja, të dimë se çfarë na pret,

duke besuar se ajo dashuri e madhe do ta përcjellë atë

me mëshirë, madje dhe me ngrohtësi,

përmes portës së fundit.