Si në vegim-Vjollca Aliu


SI NË VEGIM

Për një puthje që s’u dha

Për një fjalë që s’u tha

Mbeti një zog i vrarë

Si lulja pa ujë u tha.

Pranvera erdhi pa diell

Fushat nuk gjelbëruan

Lumi nuk gurgulloi më

As lulevjollcat nuk lulëzuan.

Qiellit i humbi kaltërsia

Hëna del si e vrarë

Ylberit i humbën ngjyrat

Asgjë s’është si më parë.

Jeta ka thyerje të shumta

Siç thehet dhe rrezja e dritës

Nga ikja e zogut në pakthim

Venitet zemra e çikës.

Kujtimet mbesin e s’vdesin

Vitet shtohen, malli dhe më shumë

Mes një kopshti dy zogj shtrirë

Të përqafuar bënin gjumë.