Tim eti…Rovena Shuteriqi


Nata mbuloi dhenë ngado. Manteli i saj i zi më rëndon prej një kohe 5 mujore. Ndihem kaq shumë bosh, saqë asgjë nuk mund të mbushi sadopak shpirtin tim. Edhe oksigjeni sikur është mbaruar, mushkëritë mezi punojnë. Sytë janë kthyer në qelqe të krisura, ku loti rrjedh dhimbshëm dhe rreshk çdo pore në faqe. Ngulçi në stomak ngjan me një zog në grahmat e fundit. Duart vetvetiu dridhen e drejtohen duke kërkuar për pak gjurmë hije që mund të ketë ngelur nëpër qoshet e shtëpisë. E kot çdo përpjekje. Çdo hije e zbehtë tashmë, zhduket menjëherë.

Atëherë, e drobitur nga zhgënjimi, çapitem me hapa të rënduara drejt ballkonit. Hedh vështrimin tej në horizont. Hëna me dritëzbehjen e saj, mundohet të skicojë linjat e “Qytetit të të fjeturve”. Lotët kësaj here nuk pyesin, ia kalojnë edhe nëse ekziston akoma diku, lumit Nil.

Eh! Si ka mundësi të shndërrohet gjithçka në hi?!

Jo, jo, nuk dua ta pranoj! Dua të ulëras, por zëri më është tretur nga gërvishtjet e fytit këto kohë prej qarjeve me dënesë.

Çdo ditë e më shumë nuk më besohet! Çdo ditë e më shumë ndihem fajtore, që nuk shpreha aq sa dëshiroja, aq sa ndieja thellë në shpirt. Si qënka jeta e ndërtuar kështu?! Tamam si kështjella ranore në breg të detit, që vetëm përplasja në të, e valëve të heshtura, e përmbysin ngadalë duke e sjellë në trajtën po të dikurshme, atë të rërës në kokrra të imta. Kështu edhe ti sonte vjen në mendimet e mia.

Dikur më dukeshe si kollosët e legjendave. Kishe një pamje, që rrallë gjendej në ato kohëra. Kultura, dijet dhe dëshirat e tua, ishin të panumërta. U përballe për 40 vjet me puset më të vështira të naftënxjerrjes. Nuk u dërëzove kurrë, përkundrazi, në grupin tënd të punës, merrje pranë vetes, ata të sapodalurit nga burgjet e sistemit komunist, sepse askush tjetër nuk guxonte të rrezikonte postin e tij. Ishe ti ai që u jepje dorën e miqësisë, mirësisë. Ndihesha krenare me ty, sepse me të vërtetë ishe më i veçanti ndër shokë. Ishe ai, që edhe bukën e gojës do e ndaje me punëtorë, e dashurinë dhe respektin e tyre e shihja çdo herë, kur më flisnin me mirënjohje për Ty. Edhe pse puna ishte e vështirë dhe me plot lodhje, nuk e le pas ëndërrën tënde të aktrimit. Paralelisht aktroje me trupin e teatrit të ndërmarrjes tënde, duke qënë gjithmonë në rolet kryesore. Shumë herë regjisurën e ndërtoje vetë. Shumë herë do nderoheshit edhe me çmimin e parë nëpër konkurime. Kaq shumë ishe i apasionuar me këtë art të interpretimit, saqë fillove të jepje ndihmesën tënde edhe për moshat e fëmijëve në pallatin e kulturës së qytetit. Besoj se të njihnin mirë edhe gurët e qytetit. Çdo përpjekje tënden për të lënë gjurmë pozitive në jetë, shpresoj se i realizove me sukses. Por sonte….!

Sonte po më mungojnë edhe ato grimcat që ndërruam sa herë që nuk u kuptuam këto 17 muajt e fundit. Edhe pse shumë herë zemëroheshim për moskomunikimin normal, përsëri qeshnim dhe buzëqeshje jote shtrihej mbi buzë, si një fëmijë i pafaj. T’u deshën 78 vjet që të ktheheshe, atje, si dikur motak, që mundoheshe të hidhje hapat e para, por kësaj here nuk ishte dora e nënës tënde të dashur, por dora e fëmijëve të tu, që i mëkove me ndjenjën e dhembshurisë e të dashurisë. Sa herë që të ngrija në këmbë nga krevati, ku ti dergjeshe (s’kam për t’i harruar), më puthje duart për të më falenderuar.

Do dëshiroja, sikur edhe një herë të vetme të më shfaqesh, ashtu i qeshur, me kostumin dhe kravatën që aq shumë të shkonte. Do doja, ah sa shumë do doja …!