Trëndafili i dymbëdhjetë erërave-Gladiola Jorbus


Krahët hap drejt qiellit,

pas angështisë së mostingëllimit.

Aroma jote,

bëhet hyjnore dhe e përjetshme.

Erërat e tua enden pa busull.

Nga njëshi te dymbëdhjeta,

secila syresh mbart një emër –

e acartë, e tërbuar, e ngrohtë, flladitëse,

e lehtë, e butë, e lagësht, e fortë,

e lindjes, e jugut, e veriut, e perëndimit…

Dhe trëndafili i tyre –

një tjetër krijim i përkryer i Zotit,

si trupi i hijshëm i gruas,

vishet me drithërima mëkati.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave!

Eremit i vetmuar i gjithësisë!

Llamburin mbi shpresat e përlotura

në yjësinë e mallit.

Petalet e tua ngjajnë si tafta e mëndafshtë,

me faqe të shndritshme.

Të çmuara – si qumështi i derdhur nga gjiri i Herës

mbi dritësinë spirale të Via Lacteas.