Vjeshta-Kastriot Mahilaj


Nga facebook i poetit Kastriot Mahilaj po publikojmë këtë poezi:

Një fletë ra, pastaj një tjetër
Prej dege lehtë u këput;
Të ngrejë fole nxiton një ketër
Dhe një lejlek mes resh u zhduk.

Ngjit malin stina flokëverdhë
Mbi gjeth, mbi barin në rudinë
(Por një limon, ulli, a bredh
Sekretin e pranverës dinë)

Nga vreshtat del, hidhet mbi mollë,
Kokrrat i tund si vath në vesh,
Te një bajame vishet hollë,
Te një e çarë shege qesh.

Një bubullimë vjen që larg
(Daullen vjeshta sjell mbi shpinë).
Moj mike, a kupton ndopak?
Do ta ndërrojë ajo shtëpinë.

Në gishtin tim zverdhon unaza,
Do hyjmë e dalim nga një derë.
Po hidhet fara nëpër brazda,
Vjeshtë e ngjizur me pranverë.