Vllasova Musta – dinjiteti njerëzor dhe letrar si model-MSc. Albert Habazaj


            “Një grusht diell” – vëllimi me poezi të zgjedhura i autores së njohur shqiptare Vllasova Musta, një botim i merituar në formë dhe në përmbajtje jo vetëm për poeten, që na nderon Vlorën me pjesëmarrjen e saj, por sepse libri është një vlerë e nevojshme për letërsinë femërore dhe për mbarë letërsinë shqipe, na mblodhi më 3 Tetor 2024 në një festë letrare, organizuar nga Biblioteka shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Qendra e Kulturës dhe Artit Bashkia Vlorë në mjediset e Bibliotekës universitare të qytetit bregdetar. Poetja dhe skenaristja  e njohur ka bërë shumë veprimtari në Tiranë e gjektë, por zgjodhi Vlorës, sepse qyteti i Flamurit është vendlindja e nënës së saj dhe pikërisht më 3 tetor, sepse 60 vjet më parë, më 3 Tetor 1964 Vllasova Musta ka botuar dy poezitë e para “Mendime” dhe “Fishekzjarre” në gazetën “Drita”, kur Sova ishte vetëm 15 vjeçe. Erdhi të festojë kulturalisht me dajot ditën e botimit të dy poezive parë…

Sova shfaqet në poezi ajo që është në fakt, në realitet, në jetën e përditshme, por, domosdoshmërisht, thurur me art, me filigran shpirti, ndjenje e mendimi.

Vllasova Musta është Poete e Vërtetë e Dashurisë Njerëzore, sepse tek “Një grusht diell” kemi poezi për babain e për nënën, për vëllain e për miqtë, për Gjirokastrën e gurtë e për Vlorën detare, për të parët e për At-Mëmëdheun, për pulëbardhat e për xixëllonjën, për zogjtë e për lulet, mall për fëmijërinë e elegji për dashurinë, nderim për dëshmorët e lirisë dhe mesazh historik arbëror, për gruan me butësinë engjëllore dhe për lahutarin si lumë i hidhur, për lirikat në shi dhe vetminë e trishtë dhe lamtumirën epike…. Kemi shumë motive të bukura, me strukturë e gjetje poetike, me  trajtesë artistike të admirueshme.  Tek “Një grusht diell” Sova ka derdhur shpirtin e saj të bukur me vargjet për Anin, vajzën e saj si drita dhe për nipin kapedan me emrin simbolik, kuptim plotë e gjithëjetësor Timin – në kujtim të gjyshit të ndritshëm Kujtim Spahivogli.

Vllasova Musta është Poete e Vërtetë e Dashurisë Njerëzore, veçanërisht për trininë e shenjtë: Besnikërinë, dhembjen dhe krenarinë deri në kufijtë e tejskajshëm të sublimes ndaj ATIJ – gjigandit tragjik – Kujtim Spahivogli.

Ky libër është mushti poetik i 60 vjetëve krijimtari letrare të botuar të autores. 60 vjet në krahët e vargjeve lirike, 60 vjet lundërtare në anijen e bardhë me vela të poezisë identitare nëpër detin e egër me dallgë të papritura dhe të tërbuara gjatë jetës, që i përballoi si në timoniere e sprovuar, me dinjitet dhe integritet, e qartë dhe e kthjellët, gjakftohte dhe me tejshikim, e matur dhe e qetë, e palëkundshme dhe pa e humbur toruan kurrë. Kurrë. As në vitet e liga 1972-’73…

Në këtë vëllim gjejmë bulëza kujtimesh të përmallshem nga poezitë e fillimeve romantike të autores, qysh kur ishte gjimnaziste në Gjirokastër, siç janë: “Kujtimi” (f. 151, botuar në vitin 1966), “Kur shkruan zemra” (f. 150, bot. në vitin 1967), “Alternativë” (f. 152-153, bot. në vitin 1969) apo “Pa kopertinë” (f. 90, bot. në vitin 1967), e cila për kohën dhe moshën është e guximshme, moderne, shprehur nëpërmjet kontrastit me lakonizëm, si një zhbiruese e hollë e realitetit njerëzor. Po e citoj, sepse më pëlqen, ngaqë vihet përballë hipokrizia e lustruar me thjeshtësinë e ndershme, ndërkohë që është dhe e shkurtër: “E urrej atë botë të vockël,/ Lustrën e syve,/ Mimikën xhentile/ Në zemër,/ Si zambak/ Kam mbjellë theshtësinë/ E, mes vargjesh,/ Para jush,/ Vij/ Pa kopertinë”. Dhe, të mos harrojmë që ishte vetëm aty tek mosha e ëndrrave të kaltra fluturake, vetëm 17 vjeçe, kur është botuar kjo poezi, që pati jehonë në Gjirokastër dhe në botën letrare. Me këtë titull “Pa kopertinë është botuar edhe libërthi i parë poetik i autores në vitin 1970, kur ishte studente në Tiranë.

Vllasova Musta i përket brezit letrar të viteve 1970, atij brezi ëndërrimtarësh, të pastër e të pasur shpirtërisht, përtej ideologjisë së kohës dhe izolimit. Sova me penartët e kohës kishin modelet e tyre. Sot Vllasova Musta është një model njerëzor, letrar, qytetar, që në çdo frymëmarrje të saj shpërndan nga një grusht me diell për të ngrohur botën njerëzore.

Në librin me poezi “Një grusht diell” ndjejmë, prekim dhe motivohemi nga identiteti gjenetik dhe kulturor i Vllasova Mustës, e cila, për mendimin tim, në qiejt letrarë është një shqiponjë mali, edhe në rrafshin e antropologjisë kulturore, patjetër edhe në rrafshin e antropologjisë fizike. Fjala vjen, poezia “Autoportret” (f. 156) është mishërim i kësaj që shpreha.

Po qetësohem pak tek poezia “Autoportret”. Unë e vështroj “Autoportretin” në disa plane: edhe pse ardhur në strukturë poetike, ne, lexuesit, njihemi me një autoportret të autores, shkruar jo me gërma, por me rreze të ngrohta dielli. Them kështu, sepse shohim një autoportret në vargje të autores, sa fisnik, aq elegant, me eshtër vërtetësie, me frymë mirësie, si të ishte një ambasadore e virtytshme e paqes njerëzore. 

Si në legjenda, Sova u lidh aq e re me Princin e regjisurës shqiptare, Kujtim Spahivoglin, 55 vjeçarin e përhershëm, përjetësisht të  pavdekshëm elbasanlliun bujar, lindur në Lushnjë më 30 qershor 1932 dhe mbyllur synë në Tiranë më 7 Korrikun  e zi 1987,  por që jo, asnjë herë nuk e humbi emrin e famën. Ai la gjurmë në përjetësi si aktor dhe regjisor i famshëm, ndër regjisorët më të njohur shqiptar, dramaturg  e poet, eseist dhe gazetar e autor, por së pari njeri me botë të madhe, kolos si artist, shumë njerëzor në përditshmërinë e tij, të falte gëzim e të dhuronte krenari. Ai ishte burrë, i zoti, i drejtë, i ndershëm, që nuk dinte të bënte keq e nuk mund të hante pas krahëve kënd. Çfarë kishte ta thoshte në sy dhe jo dy herë. Me besim vijonte udhën e lartë, por e hëngrën të pabesët. Madhështori si njeri, si pedagog, si drejtues, si artist, si familjar, i përbuzte deri në neveri të poshtrit. Po përse po i përmend, do të thoni ju e ndoshta dhe Sova mund të ligështohet, por jo, nuk trishtohet Kapedania jonë, se ka përballuar vërtet suferina në jetë dhe ja tek është në krahun tonë me dritë të bukur, ballëlartë, hijerëndë, me vështrimin përpara tej, tutje. I përmend këto cilësi dhe virtyte të Gjigandit tragjik të skenës, sepse edhe Sova ka marrë shumë nga AI. Vllasova Musta është Kujtim Spahivogli i gjinisë femërore, falë edhe edukatës së saj familjare, edukimit universitar, formimit qytetar, karakterit të fortë, personalitetit optimist dhe qëndrestarisë së saj stoike në jetë.

Vërtet Sova ka marrë shumë nga Ai, sikur ta kishte vëlla binjak. Po i thonë një fjale këtyre hënave: “Ngjan miqësia, pra bëhet”, edhe pse barbarët e prenë në mes dashurinë e shëndetshme, të ëmbël e besnike.

Poezia e Sovës “7 Korrik” është lakonike, ka ndjenjë, besë, art e përçon mesazhe tek ne dhe tek brezat që vijnë. Ajo është mbresëlënëse, nuk mund të harrohet se na është gdhendur në kujtesë, edhe pse ia thotë Anit, në ditëmortin e të paharruarit Kujtim Spahivogli: “Është e kotë/ Të të them:/ Në këtë datë,/ Ndize një qiri, / Në dritë ktheje!/ U bë një jetë,/ Qiriri i përflakur/ Digjet / Brenda teje” (f.195), apo tek këshillohet me shoqen e saj të ngushtë, motrën, bijën, Anin – dritën e syrit ku merr në çdo frymëmarrje një grusht me diell: “Ti mos më pyet ç’më ka ndodhur/ Pse jam mërzitur, pse nuk qesh/ Ndër qindra ditë që ka viti,/ Ndosh dhe mërzitje që të kesh”. Kaq. Komentet nuk vlejnë.

Sikurse në jetë, edhe në vargjet e saj Sova aq sa di të falë, aq edhe shpërfill deri në neveri. Duke shijuar vlerat njohëse, artistike dhe estetike të kësaj poezie me ngjyra të arta vjeshte, në ekranin e kujtesës më shfaqen disa visare të moçme, fjalë të urta popullore, si “Fisi do vejë në fis, rigoni nuk bëhet lis” apo “Nuk malen shqiponjat e malit me zhabat e moçalit” etj.

Bota poetike e Sovës shfaqet në Trininë e vargut guximtar, si : Poete qyetare, poete universale dhe poete atdhetare, e cila e ka zanafillën tek dashuria për familjen, vendlindjen, atmëmëdheun, historinë e tij, të rënët dhe të dinjitetshmit e udhëtimit jetësor. Shprehem kështu, sepse, Sova, sikurse në jetë, edhe në vargje, me poezinë e saj ka arritur dinjitetin artistik të thurjes dhe mesazheve me dritë që përçon.

Që të njohësh poezinë e Sovës, duhet të njohësh jetën e saj, sepse vjershërimi i poetes aristokrate Vllasova Musta është jeta e saj shkruar me art në diell e në furtunë, sidomos në tramundanat e saj tronditëse që në themel, por që nuk ia shkatërruan dot shtrenjtërinë dhe shenjtërinë e familjes. Vllasova Musta mbeti një shqiponjë një furtunë dhe kam besim se e tillë do të jetë deri në fluturimin e fundit, mbas 75 vjetësh të tjerë…

BASHKIA VLORË

QENDRA E KULTURES DHE ARTIT

QENDRA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE DHE BALLKANISTIKE

SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO” VLORË

PROGRAM I VEPRIMTARISË

Përurim i librave poetikë

“NJË GRUSHT DIELL”

i poetes së njohur Vllasova Musta

Aktiviteti do të zhvillohet:

Vendi: Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Data: 3 Tetor 2024, e enjte, ora 11:00

Organizatorë: Qendra e Kulturës dhe Artit, Bashkia Vlorë; Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë (Suzana ZISI, Albert HABAZAJ)

  1. Moderator dhe fjala e hapjes: Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali”;

Po sikur ta thyejmë pakëz strukturën standarde të programit dhe të pyesim autoren që ka bërë boll veprimtari në Tiranë, përse kërkoi ta përuronte pikërisht në Vlorë këtë “Grusht me diell”?! Sova, Fjala për ju.

  • Suzana Zisi, poete, metodiste e kulturës në Qendrën e Kulturës dhe Artit, Bashkia Vlorë;
  • Eqerem Canaj, shkrimtar, kritik letrar, mësues veteran, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë;
  • Prof. dr. Bardhosh Gaçe, pedagog, përgjegjës i Qendrës së studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, FSHH, Universiteti “Ismail Qemali”;
  • Ing. Laureta Petoshati, poete, përkthyese, gazetare;

Përshëndetje të lira

  • Enrieta Sina, poete, shkrimtare, botuese, mikeshë e autores;
  • Luljeta Gjini Gërmenji, intelektuale,autore, motra e Migjenit të Pentagramit Shqiptar, mikeshë e Sovës;
  • Lavdie Bisha, Aktore e teatrit “Petro Marko”, Vlorë reciton poezinë “Relikte të vogla të botës së madhe” (f. 233-234);

    7. Dy fjalë falënderimi nga autorja Vllasova MUSTA.

PANELI:

Vllasova MUSTA

Suzana ZISI

Eqerem CANAJ

Albert HABAZAJ

I urojmë mirësi dhe begati shëndetsore, studimore dhe financiare!

MIRUPAFSHIM NË VEPRIMTARI TË TJERA!

Drejtor i Qendrës së Kulturës dhe Artit                          Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore MSc. Albert HABAZAJ

Bashkia Vlorë                                                                                             

Genc DEMIRAJ