Në vend të një buqete-Nga Ymer Hysa


NË VEND TË NJË BUQETE.

-Poetit dhe shkrimtarit Spasse Thanasi në 60-të vjetorin e lindjes-

Nga Ymer Hysa

Jeta e publicistit dhe poetit Spasse Thanasi i ngjan një peme gjysëm shekullore, e rritur dhe e krasitur me kujdes duke marrë një kurorë të bukur, ku çdo degë do të prodhonte fruta të shijshëm dhe erëmirë. Mbase klima buzë liqenit, flladi dhe valët e atyre viseve, janë dhe mbeten rrënjët e jetës së tij. “Këtu mes malesh ka frymë shprese e verë dashurie, do të shprehej vetë Spassja duke vazhduar më tej, mbi “dallgë mendimesh” e nis këtë rrugëtim në gjurmët e muzës sime me nimfë hyjnore, me shpirtë të trazuar e drithërimë jete”.

Spasse Thanasi, jo vetëm do të mahnitej me bukuritë e vendlindjes, por nga shpirti poetik i lindur do ti kushtonte asaj shkrime dhe vargje të artë. Ja sa bukur dhe me sa dashuri do të shprehej ai “Nga ballkoni i shtëpisë prindërore në fshatin tim Zaroshkë, shikoja gjithmonë pamje të bukura e tërheqëse, ndjeja kënaqësi teksa kundroja syrin e kaltër të liqenit, dhe kopështin botanik të pemëve e bimëve që mbushnin bahçen rreth shtëpisë. Fshati im ёshtё njё ndёr nëntë fshatrat e Prespёs dhe ka njё natyrё tё artё, ai “fsheh” bukuri e legjenda të rralla dhe është si një “parajsë e vërtetë natyrore buzë liqenit !”.

Dhe si mund të ndodhte ndryshe, si mund ti shpëtonin syrit të tij bukuritë përrallore, ato male të vargёzuara mbi Zaroshkë, apo liqeni si njё “diamant” i çmuar që pasqyron në reflektimet ujore ndёrtimet e bukura plot nuanca drite.

Aty në Zaroshkë do të niste udhëtimin e tij të gjatë drejtë rrugës së dijes duke ruajtur në kujtesë ngjarje tepër interesante të atyre viteve si fotografinë para shkollës së fshatit ku ka dalë buzagaz dhe i ndrojtur, apo kujtimin me gjyshen Kristina (Ristana) e cila i kish thënë se kur ka lindur ai në atë muaj të nxehtë Korriku të vitit 1963, i kish vënë nën jastëk një libër që ai të fitonte dituri dhe shkollë në jetë. Kjo ëndërr dhe traditë e familjes dhe fisit të tij tashmë është realizuar dhe ai numëron plot 18 vjet shkollim në të gjitha ciklet e plota të shkollës (Shkolla fillore në Zaroshkë, Shkolla 8-vjaçare në Liqenas (Pustec), Shkolla e Mesme Ekonomike në Berat dhe Shkolla e Lartë në Universitetin Bujqësor të Tiranës) të gjitha këto në harkun kohor 1970 – 1986.

Tepër mbreslënës është kujtimi që Spasse shpreh kur në Qershor të vitit 1982 merr Dëftesën e Pjekurisë pranë Shkollës së mesme ekonomiko-bujqësore “Kristo Isak”. I vlerësuar shkëlqyer me të gjitha notat 10-ta. Ndjehesha i mrekulluar do të shprehej.

Si çdo i ri që ëndërronte te bëhej në jetë njeri i ditur përmes shkollës, Spasse Thanasi nga shkolla e mesme e Beratit do të shtegëtonte në Tirane për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë Agrare në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz. Vetë Spasse i kënaqur do të shprehej “E kisha me dëshirë profesionin e ekonomistit ku Kontabiliteti ishte “arti” më i veçantë që ndërthurte bukur dëshirat e mia krijuese e letrare. Një profesion që më jepte një sadisfaksion të lartë të natyrës dhe shoqërisë. Ngjyrat e mjedisit të Universitetit plot lule, pemë dekorative, akacie e kurora të vreshtave mbi kodër, më dhanë një ndjesi shpërthyese në shpirtë, se unë tani asimiloja si ndjesi të bukura pamjen liqenore të vendlindjes, pamjen muzeale e historike të Beratit dhe mjedisin natyror të Universitetit të “skalitur në gur” në Kodër- Kamëz. Sa dashuri e artë në shpirtë, sa bukuri e vyer nga udhëtimet e dijes!”.

Për ne miqtë e tij të hershëm, nxënës dhe studentë apo edhe ata të mëvonëshmit dhe të tashmit, Spassja mbetet gjithnjë ai që ka qënë që në moshën e fëmijërisë, kur zbriti nga brigjet e Prespës, nga rrëza e Malit të Thatë dhe nisi rrugën e dijes në shkollën e mesme ekonomiko-bujqësore të Beratit, të cilën e lartësoi dhe kurorëzoi me diplomiomin si specialist i lartë ekonomist në Instititin e Lartë Bujqësor të Tiranës më 1986. Spassja student ishte një model, një pasqyrë nga merrnin shembull shokët e shoqet. Në ndërgjegjen e tij kishte bërë betimin solemn për objektivat e qarta në rrugët e mëdha të jetës. Aftësitë e mëdha akumuluese të moshës, nga të cilët varet pozita dhe perespektiva e intelektualit të ardhshëm, ai i përdori shkëlqyeshëm. Studjoi jo vetëm për momentin, por për jetën, me vullnet të lartë për punë dhe në mënyrë sistematike. Gjithnjë ishte kërkues, asnjëherë i kënaqur me çdo nivel të arritur, gjithnjë kërkon e guxon, me bibliotekë personale dhe me kartelë të pasur në Bibliotekën e Institutit, me punë shkencore dhe përgatitje referatesh, me mësimin e gjuhëve të huaja dhe veprimtar rinie, në Qendrën e Zërit dhe në gazetën “Studenti i Bujqësisë”, krijues në prozë e në poezi, me artikuj e reportazhe, vlerësues i lartë dhe përdorues me efeikasitet i kohës. E çmonim dhe e donim Spassen, edhe ai i vlerëson dhe dëgjon shokët e shoqet.

Jeta krijuese e intelektualit të shquar Spasse Thanasi nuk mund të kuptohet pa kujtimet e tij në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, pa atë jetë të vrullshme formuese, pa atë moshë të bukur rinore, qe kujtimet do i skaliteshin thellë në kujtesë, nga e cila do të lindnin tre libra me kohështrirje njëzetë vjeçare për të ngelur si thesar i përjetshëm ndër breza studentësh dhe profesoresh.

Si asnjë universitet tjetër në vënd, Universiteti Bujqësor i Kamzës, me një jetë 70-vjeçare, e ka të shkruar “historinë e dijes” bujqësore dhe radhitet me dinjitet në krenarinë kombëtare të diturisë dhe shkencës. Brenda 20-vjeçarit të fundit 2001-2021 u botuan tre libra të bukur universitar, ku spikat fuqishëm zëri rinor, atmosfera e dijes nëpër dejet kombëtare nga një armatë specialistësh të kualifikuar, ngjarje e histori të patreguara më parë. Duke qenë “monument kulturor” në Kodër-Kamëz, ai ka tërhequr vëmendjen e disa “penave letrare” dhe nxit përherë krijimtari të bukura.

Monografia e parë historike “Universiteti i Blertë” (1951 – 2001), botuar nga autorët Prof. Dr. Hulusi Hako dhe ekonomisti agrar, Spasse Thanasi, tregon hapat e mëdhenj dhe të sigurt të një “gjigandi” në jetën tonë kombëtare. Libri sjell të plotë me detaje kronikën e përurimit, gjenezën e Institutit të Lartë Bujqësor (sot Universiteti Bujqësor i Tiranës), hapësirën dimensionale të dijes nëpër degë e fakultete, frymëmarrjen e shkrimeve dhe botimeve në gazetën “Studenti i Bujqësisë” dhe homazhin për figurat e shquara që punuan për lartësimin e përparimin e Universitetit e që lanë aty veprën e tyre fisnike.

Libri i dytë memorial: “Rrëkezat e kujtimeve” (1951–2011), me bashkautor Spasse Thanasi dhe Rexhep Çullhaj, sjell “histori brezash” dhe “kujtime rinore” nga vitet në Universitetin Bujqësor që në vite e dekada ka pritur e përcjell “banorët” e tij të rinj me moshë 20-vjeçare.

Kjo kolanë librash në vazhdimësi u pasua me librin e tretë të titulluar “Monumenti i Dijes” (1951 – 2021), që do të vargëzoj “magji të reja” universitare dhe ploteson “hapin” e universitetit me evenimente të rëndësishme të historisë bujqësore shqiptare. Libri i botuar nga bashkautorët Spasse Thanasi e Gani Moka dhe ka “gjurmë” të reja në rrugën e specialistëve të bujqësisë, që janë një pasuri e paçmueshme që përgatiti Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Me një botim të tillë domethënës “fytyra” e Universitetit ndriçohet edhe më shumë, portreti i tij lartësohet më tepër përball zhvillimeve te vrullshme të demokracisë. Edhe në festën e 70-vjetorit të Themelimit Universiteti ynë e meritoi plotësisht një “fjalë lapidare” për dashurinë e lirisë dhe demokracinë monumentale, e ka të nevojshme “bukurinë e fjalës” artistike, ashtu si “dekori i luleve” me ngjyra të ndezura që shton gjelbërimin dhe “flladin” e peizazhit.

Prof. Dr. Hulusi Hako do te shkruante “Nisma e ndërmarë për të pasqyruar shpirtin e bukur të dijes, zemrën e dashur të shokëve e shoqeve të shkollës, ndjenjat e ndezura njerëzore nga kujtimet e shumta me “dritë trëndafili”, është një punë e madhe e bërë nga autori i librit Spasse Thanasi. Duke gjallëruar me dëshirë të madhe atë kohë që ka ikur nga muzgu i ditëve shkollore e konviktore, duke rifreskuar kujtime e ngjarje shkollore të brezave të maturës në shkollën e mesme “Kristo Isak” të Beratit, libri memorial i kujtimeve shkollore merr vlerën e një diamanti, që shkëlqen nëpër kohë me një ndriçim të fuqishëm shpirtëror, kulturor e ndjesor. Ne të gjithë kemi nevojë për këtë ndriçim vlerash harmonike të dijes e të jetës së denjë. Kujtimet janë përhapur faqe më faqe me një buzëqeshje të çlirët dhe autori me një stil të thjeshtë e domethënës krijon një atmosferë prekëse në shpirtë dhe një nostalgji që apelon me ndjeshmëri kohën e kaluar të viteve studimore në shkollën e madhe e të bukur profesionale “Kristo Isak”.

Ky është njeriu model dhe shembullor Spasse Thanasi, intelektuali i plotesuar si bashkëshort i Bozhankës, si prind i Anës, si mik, si poet, si studiues dhe shkrimtar, ky është njeriu i mirë në 60-të vjetorin e tij të lindjes, që kushdo dëshironte ta kishte mik pranë vetes.