“Për një jetë më të mirë”-Tregim nga Robert Shkurti


Ky është një tregim i shkëputur nga vëllimi me tregime “Udha e shpresës”. Për arësye të gjatësisë së tij, kam menduar ta ndaj në tre pjesë.

Pjesa e parë

Për një jetë më të mirë

Ishte fillimi i muajit mars të vitit 1996. Dimri ishte në grahmat e fundit. Një gomone me njerëz po i afrohej bregut me shpejtësi. Ishin nisur nga Vlora. Tani ndodheshin pranë brigjeve të Brindisit. Ngushticën e Otrantos gomonia e përshkoi për treçerek ore. Dy skafistët ishin djem të rinj, tek të njëzetepestat. Para se të fillonin të merreshin me këtë punë, njëri prej tyre punonte në portin e qytetit. Tjetri vazhdonte studimet në Tiranë. Përmbysja e regjimit bëri që t’i ndërpriste studimet. Tani bënte skafistin, duke vënë kokën në rrezik. Flisnin pak, por qartë dhe prerë. Këtë e vërtetonte më së miri vështrimi i tyre i vrazhdë tek hidhnin sytë gjithë mosbesim mbi gomone.

Astriti gjatë gjithë udhëtimit qëndroi në fund të gomones. Kishte veshur një xhup të zi me kapuç. Rreth qafës kishte hedhur një shall të trashë. Kishte lënë jashtë vetëm sytë. Në errësirën e thellë të natës dukeshin si dy thëngjij gati në të shuar. I heshtur dhe i mbledhur kruspull, i lutej Zotit, edhe pse nuk kishte besuar kurrë në të, që të arrinin në bregun tjetër sa më shpejt dhe shëndoshë e mirë. Numëroi njerëzit që ndodheshin në gomone, përfshirë edhe dy skafistët, bëheshin shtatëmbëdhjetë. Që në nisje i hodhi një vështrim gomones nga kreu deri në fund. I tërhoqën vëmendjen dy çifte. Flisnin me një fjalor banal midis tyre. Kishte shumë të ngjarë që femrat të ishin prostituta dhe djemtë që i shoqëronin tutorët e tyre. E bënin këtë rrugë për të disatën herë. Ishin nga Veriu i Shqipërisë. Astriti e kuptoi nga dialekti, pasi flisnin me zë të lartë. Pranë tyre qëndronte një burrë mbi të pesëdhjetat. Ishte i heshtur dhe shumë i menduar. Sytë e futur brenda zgavrave dukeshin të shuar. Nga mesi i gomones ishte një çift me një fëmijë të sëmurë. Djali ishte afro dymbëdhjetë vjeç. Herë pas here qante me të madhe. Kishte shumë frikë nga deti dhe nata. Ngjitur me ta ishin tre djem të tjerë: dy nga Fieri dhe një nga Peqini. Pak më tej, një djalë i ri tek të tridhjetat, me një qëndrim të ftohtë e të dyshimtë. Astriti nuk kishte dëshirë të fliste me askënd. Mendjen e kishte te Flora dhe dy djemtë. U kishte lënë pak të holla sa për të kaluar disa ditë. “Vetëm këto kam. Të tjerat duhet t’ia jap skafistit”, i kishte thënë ai.

“Mos u shqetëso! Po ngela keq, do të shkoj nga babai. Shpresoj të të shkojë mbarë dhe të gjesh ndonjë punë sa më shpejt”, ia kishte kthyer ajo.

Duke hedhur sytë në ujin e detit, që në errësirën e natës dukej edhe më i zi, tha me vete: “Eh, si u katandisëm ne shqiptarët! Të jesh mirë e bukur në shtëpinë tënde, pranë gruas e fëmijëve, dhe të marrësh rrugën e vdekjes nëpër këtë det të frikshëm është çmenduri!”. Mornicat ia përshkuan trupin. E mendoi veten në fund të detit. Shtrëngoi dhëmbët, që i kërcëllinin nga të ftohtët. I dha guxim vetes me shpresën tek Ai lart. Në mes të këmbëve kishte çantën. Brenda saj e shoqja i kishte futur rroba të reja. Ia kishte blerë para se të nisej. Skafi çante errësirën dhe rrëshqiste mbi sipërfaqen e ujit. Skafistët kishin përvojë. Kishte nga ata që gjatë natës e bënin dy herë rrugën vajtje-ardhje nga Vlora në Brindisi.

Në mendime e sipër dalloi në horizont disa drita të zbehta. Duhej të ishte qyteti i Brindisit ose ndonjë provincë e tij. Zemra i rrahu fort. Iu duk vetja si një zog që pret të dalë nga kafazi. Papritmas, e sheh veten të lirë. Ndihet i frikësuar, pasi nuk di se ç’të bëjë. Ndjeu t’i shkarkohej nga trupi gjithë ankthi i grumbulluar. Iu duk sikur po e hidhte në det lodhjen dhe frikën e udhëtimit të rrezikshëm. Kishte mbetur edhe pak fare për të zbritur në tokë. Zemra vazhdonte t’i rrihte ende. Vëmendjen ia tërhoqi burri që ndodhej para tij. Ai u çua dhe shkoi te skafisti. Foli me të për disa sekonda. U kthye përsëri në vendin e tij. Nxori paketën nga xhepi i brendshëm i xhupit. Ndezi një cigare. Astriti vuri re duart e tij: i kishte të mëdha dhe të mbushura me unaza. Tek ngriti kokën, ndeshi vështrimin e tij. Kishte sy të kaltër, me një shikim të akullt. Nuk i pëlqeu shikimi i tij, por nuk ia hoqi sytë. Gjatë udhëtimit nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë. Papritmas, tek thithte cigaren, ai e pyeti:

– Nga cili qytet je, se më dukesh fytyrë e parë?

Astriti ngurroi për një çast. Nuk dinte si të bënte. T’i tregonte të vërtetën, apo ta gënjente? Gënjeshtra nuk ishte në natyrën e tij. Kur ke të bësh me njerëz të panjohur e të dyshimtë, gënjeshtra ndonjëherë mund të jetë më e vlefshme sesa e vërteta. Nuk doli nga natyra e tij. Me zë të ulët iu përgjigj:

– Jam nga Tirona.

– Po fol, mor plak, se ene unë tirons jam! – tha ai dhe fytyra iu çel. – Ku do të shkosh?

Astriti i hodhi një vështrim të habitur. Vështrimi i tij dukej sikur thoshte: “Në Itali po shkoj, kaq nuk ta pret kaploqja?”.

– Si? – pyeti Astriti duke u hequr sikur nuk e kishte dëgjuar mirë pyetjen.

– Në ç’qytet do të shkosh? – pyeti ai duke e ngritur zërin këtë radhë.

– Aha! – ia bëri Astriti, duke i lënë tjetrit të kuptonte se tani e kishte kuptuar pyetjen. – Në Milano do të shkoj.

– A ke nonji atje?

“Po ky ç’dreqin ka që pyet kaq shumë?! Si t’ia bëj?”, tha me vete Astriti, pasi nuk kishte fare dëshirë të bisedonte me të.

– Kam një shok fëminie. Më ka premtu se do të përpiqet të më gjejë punë, – shpjegoi Astriti.

– Osht hera parë që vjen në Itali?

– Po.

– Ene unë në Milano po shkoj. Ohu, sa herë kom ardh në Itali unë!

– Ashtu?! – tha i çuditur Astriti.

– Po, po! Çar pune do bosh?

– Ai shoku im punon murator, kështu që si fillim do bëj këtë punë.

– Murator?! Ça flet, mor plak! Gjithë ky çun?! Po ai shoku yt ça shoku qeka, mor jahu! Ai dashka me t’vdek nëpër kantiere ndërtimi! Ça bohet, ore! Hajde budalla, hajde! – ia bëri ai duke tundur kokën.

Astritit nuk i erdhi mirë nga fjalët e tij. U mblodh në vetvete dhe hodhi vështrimin tutje. Dritat e Brindisit vinin në drejtim të tyre. “Me sa duket, merret me drogë dhe prostitucion. E ç’më duhet mua?! Të merret me ç’të dojë. S’paska nxjerrë sytë, vetëm të më lërë rehat”, tha me vete.

Heshtjen e theu zëri i fortë i njërit prej skafistëve:

– Bëhuni gati! Për dy-tri minuta arrijmë. Do t’ju lëmë në breg. Sa të zbrisni, jepuni këmbëve dhe o burra! Kur të mbërrini, lajmëroni në Shqipëri. Ata na njoftojnë ne, që të bëjmë likuidimin e pagesës. Qartë?!

Skafistët u treguan të mirë në këtë rast. E çuan gomonen mu në breg. Nuk e patën të vështirë për t’i zbritur njerëzit prej saj. Madje, njëri prej tyre mori fëmijën e sëmurë në kurriz dhe e nxori deri në rërë, ndërsa babai i fëmijës mbante në kurriz të shoqen. Astritit i erdhi shumë keq për çiftin me fëmijën e sëmurë. Filloi të qante e ngulte këmbë si mushka për të mos vazhduar më tej. I lodhur, burri ndaloi të mbushej me frymë. Astriti vazhdoi përpara me të shpejtë dhe nuk mori vesh se çfarë u bë me ta. Bashkë me të tjerët çau errësirën nëpër bregun me rërë të lagur, vende-vende të shndërruar në llucë. Më pas morën nëpër disa fusha të mbjella. Aty i priti një person. Ishte shqiptar. Kishte vite në Itali. Merrej vetëm me këtë punë. Të ardhurit nga Shqipëria i shoqëronte deri te stacioni i trenit. Aq ishte detyra e tij. Rasti e solli që Astriti të udhëtonte me të njëjtën makinë me djalin nga Tirana. “Dreqin, s’m’u nda ky hale!”, tha me vete kur e pa pranë tij në ndenjësen e pasme të makinës. Pas disa sekondash arriti edhe një tjetër, i cili zuri vend në të njëjtën ndenjëse.

– Nisu! – e urdhëroi shoferin e taksisë shoqëruesi që ishte ulur në ndenjësen në krah të tij. U kthye nga udhëtarët, që rrinin si të tulatur e që ende nuk e kishin mbledhur veten, ca nga të ftohtët e ca nga errësira, dhe u tha:

– Bëni gati liretat! Nga njëqind mijë.

Pasi mori liretat, iu drejtua përsëri shoferit:

– Në rregull! Tani shpejto sa të mundesh. Liretat i ndajmë te vendi.

Shoferi ishte një burrë te të pesëdhjetat, zeshkan, me flokë të dendur plot me thinja. Sytë i kishte të zinj. Vinte i shëndoshë. Sapo pa që bashkëpunëtori mori liretat, e shkeli më shumë pedalin e gazit. Makina fluturoi. Pas disa minutave mbërritën në një shtëpi të vjetër fshati. Hynë brenda. Dhoma ishte e pajisur me tre shtretër, një dollap rrobash dhe një komo. Mbi të ishte vendosur një televizor i zi “Samsung”. Astriti lëshoi çantën e shpinës përdhe. U ul në njërin nga shtretërit. Të njëjtin veprim bënë edhe të tjerët. Shoqëruesi qëndroi më këmbë.

– Mundohuni të flini nja dy orë. Kur të zbardhet, do t’ju çojmë në stacion, – u tha ai dhe shkoi në dhomën tjetër, ku e priste shoferi.

Djali nga Tirana nxori një cigare nga paketa dhe e ndezi. Më pas ua drejtoi paketën Astritit dhe udhëtarit tjetër. – Jo, faleminderit! – ia ktheu Astriti. – As unë nuk e pi, – tha ai tjetri dhe u plas mbi krevat ashtu siç ishte. – Jam i lodhur dhe dua të fle tani. Dhoma ishte e ftohtë. Astritit i kaluan mornica nëpër trup. Ndihej i lodhur. Sytë po i mbylleshin. Vendosi të shtrihej dhe shpresonte të merrte një sy gjumë. Shkoi te dollapi. Nxori që andej tri batanije në ngjyrë kafe të errët. Njërën ia hodhi udhëtarit që u shtri në krevat, të cilin e zuri gjumi menjëherë. Njërën e mbajti për vete dhe tjetrën ia zgjati djalit nga Tirana.

– Falemnerit! – i tha ai dhe pastaj e pyeti: – Si e ke emrin, plako, se harrova me t’pyt?

– Astrit!

– Mu m’qujn Kastriot!

– Ta gëzosh! – ia ktheu Astriti dhe u shtri menjëherë. Deshi të mbyllte sytë për të fjetur, por Kastrioti, i cili vazhdonte të thithte cigaren, i tha:

– Po të dush, nesër e bojmë rrugën bashkë për n’Milano.

Astriti u mendua një hop. Nuk kishte dëshirë të udhëtonte me të, por mendoi se do të ishte më mirë të ishte i shoqëruar. Ishte hera e parë që vinte në Itali dhe ndoshta ndihma e tij mund t’i nevojitej. Dinte pak italisht, por ndoshta kjo nuk i mjaftonte.

– Mirë! – iu përgjigj me një zë gati në të shuar dhe e mundi gjumi.

Në orën gjashtë e tridhjetë minuta në dhomë hyri shqiptari që do t’i çonte te stacioni i trenit. Astriti u zgjua dhe ndenji për disa çaste me sytë ngulur në tavan. “Ku jam?”, tha me vete, por menjëherë u kujtua. U ngrit rrëmbimthi dhe u drejtua për në banjë. Ato dy-tri orë gjumë sikur e kishin sjellë në vete.