Një vështrim i shkurtër mbi Dibrën dhe gjenezën e saj-Nga Sakip Cami



Nga Sakip Cami


Një varg enciklopedish të vendeve fqinje apo të popujve të hershëm europianë e rendisin Dibrën si bastion qëndrese e përkushtimi, brenda saj bujaria e trimëria, mikpritja e zgjuarësia, eleganca dhe shpirti i bardhë.
Dibra është një trevë, kultura materiale e së cilës përfaqëson epokën më të herëshme të gurit në truallin shqiptar.
Gjurmët më të vjetra arkeologjike janë zbuluar në Burim të Maqellarës dhe sipas specialistëve i përkasin një periudhe të herëshme rreth 6000-7000 vjeçare.
Trualli i Dibrës në të dy anët e luginës së Drinit të Zi banohej nga fiset e lashta ilire.
Jo vetëm nga studimet e autorëve tanë por edhe nga enciklopedia e madhe greke gjejmë të tilla të dhëna bindëse se Penestët, populli i Ilirisë verilindore banonte në të djathtë të lumit Drilon, mbi malet të cilët ndanin krahinën e tyre nga Paionia dhe Dardania.
Sipas historianit vendor Vahid Kormaku, bashkëpunëtor i Aleks Budës, Qyteti ilir i Albanopolisit nuk ndodhet në Zgërdhesh të Krujës, por në rrjedhën e djathtë të lumit të Drinit të Zi, në Jabllanicë të Dibrës së Epërme, sot RMV.
Sipas studiuesit Arqile Josifi që i referohet Ptolemeut, qyteti ilir i Albanopolisit ndodhet në Trojk (Trojak, Sllovë të Dibrës së Poshtme, dhe zë një sipërfaqe 4 herë më të madhe se qyteti i sotëm i Peshkopisë.
Sipas Uikipedias, emri i Dibrës rrjedh nga emri i fisit ilir Dober. Që në shekullin e V para Krishtit, Herodoti përmend emrin Dibër si dhe më vonë në shekullin e parë të erës së re nga Streboni dhe Plini. Në shekullin e II të erës sonë Klaudio Ptolemeu konfirmon me hartat e tij vendndodhjen e qytetit ilir të Albanopolisit dhe banorët e Doberit (Dibrës).
Në Shek.IV para Krishtit ndërtohet kalaja e Grezhdanit. Në vitet 170 para Krishtit autorët antikë përmendin emrin ilir të Penestëve me banim në zonën e Dibrës. Në vitet 292-306 të erës sonë Dibra bie nën pushtimin romak. Në vitin 395 Dibra bie nën sundimin e Bizantit. Në vitin 1020 ngrihet Episkopata e Dibrës me seli në Dobrovë.Në vitin 1192 Dibra shkëputet nga sundimi bizantin. Në vitin 1257 Oraniku ose Shehri i sotëm përmendet si qytet. Në vitin 1270 është ndrtuar kisha e Kërcishtit të Epër (Monument kulture). Në vitin 1355 Pal Gropa merr në zotërim Ohrin dhe Dibrën.Në vitin 1375 Dibra kalon nën zotërimin e Balshajve.Në vitin 1385 Dibra bie nën sundimin osman. Në qershor 1389 në Fushë të Kosovës merr pjesë në luftë Gjergj Kastrioti i parë, katragjyshi i Skënderbeut. Në vitin 1440 Gjergj Kastrioti Skënderbeu emërohet sanxhakbej në Dibër.
Periudhën e mëvonëshme do ta trajtojmë më në gjërësi, por thelbi i këtij studimi historik është periudha 1821-1921, ngarjet historike dhe luftëtarët e saj, të cilët dibranët i kanë në mes tyre, i kanë gjyshër, stërgjyshër e katragjyshër. .
Dibra si krahinë filloi të ngrihet e të dallohet aty nga çereku i parë i shekullit të XV kur në ballë të luftës kundër turqve dolën Kastriotët. Po në këtë kohë flitet për një ndarje ndërkrahinore të Dibrës, në Dibër të Epërme dhe në Dibër të Poshtme.
Kufiri përëndimor i Dibrës zë fill nga Maja e Draganit në Malin e Gurit, në atë të Prodanit sipas rrjedhës së ujërave duke u kufizuar me Malin e Kaptinës së Martaneshit. Që andej përfshirë Tërnovën vazhdon me Malin e Duriçit në Qafë Buall të Bulqizës, Majën e Ballgjajt të Allamanit, Masdejë, Nezhdë, Kurora e Lurës, në Qafë-Mërkurth e deri në Gur të Kuq. Në veri ajo shtrihet nga Vlashaj, Tejmolla e që këtej sipas rrjedhës së Mallës e në Qafë –Draj të Reçit, për ujë të Veleshicës e në majë të Korabit.
Kufijtë lindorë të Dibrës zbresin nga Maja e Korabit ku dhe nis Gryka e Radikës, majave të bistrave duke përfshirë brenda të dy Rekat.
Kurse kufiri jugor nis nga maja e Elicës, përfshirë sipas rrjedhës së ujrave fshatrat rreth Koxhaxhikut, ku futet Drini në grykë, në fund të fushës së Strugës e deri tek Kryqi i Belicës.
“Dibra e Epërme “ dhe “Dibra e Poshtme” janë emërtuar kështu duke u nisur nga rrjedha e lumit Drin. Ato ndahen në malin e Inoskës, kodrat e Qenokut deri në Drinin e Zi, vazhdon në anën e majtë të Drinit të Zi, në kodrën e Grepit, Gjurrën e Mazhicës, ngjitet në Gjuras deri në majën e Arape, ku ndahet kufiri i malit të Luznisë me atë të Grykës së Vogël. Nga Muqilla në majën e Tollës e në Qaf-Helm, në majën e Allamanit, ndahen Grykët e Murrës me Grykën e Vogël duke lënë brenda Murrën me liqenjtë e Kacnisë.Malet janë këto: Korabi, Skërteci, Inoska, Kërçini, Jabllanica, Pllaja, Xhaxhishti e Kreja.
Por si Nandë Malet e Dibrës kanë hyrë në histori krahinat përbërëse të saj që janë: Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Bulqiza, Golloborda, (mal i mbështetur ) Çidhna, Reçi, Dardha, Muhurri, Luznia, Katër Grykët.
Lura njihet si bajrak dhe si një nga nandë malet e gegërisë shqiptare.

KËSHTJELLAT NË ZONËN E DIBRËS
Albanopolis , Jabllanicë
Lladimericë (Pasinkë) Jasharaj
Tuçep, Xhepishtë
Kojavec, (kalaja e Kojavecit)
Ostren i Madh (kalaja e gurit)
Trebisht
Drenok
Modriç (kalaja e Modriçit)
Prodan
Zabzun – Borovë (kalaja e Meçadit)
Jabllanicë – Bezovë
Koxhaxhik (Sfetigrad)
Homesh, afër zallit
Valikardhë
Sofraçan
Grazhdan
Stelush, Lukan, Katër Grykët
Kalaja e Zhugrit
Kalaja e Cidhnës
Kalaja e Skudrinës (Mavrovë)
Kalaja e Ohrit
Kalaja e Petralbës, Mat

Dibra në studimet e dijetarëve të huaj

Dibra është një trevë e lashtë që ka ngjallur prej kohësh edhe interesin e dijetarëve dhe udhëtarëve të huaj.
Ata përmendin me admirim në shënimet e tyre virtytet e dibranëve duke çmuar veçanërisht bujarinë e tyre, por pa lënë jashtë vemendjes edhe bukuritë e natyrës, përshkrimet me karakter gjeografik, historik , ekonomik etj.
Dijetari austriak Hahn i ka quajtur shqiptarët “aristokratë të Ballkanit” dhe ka përshkruar itinerarin e “Udhës së Madhe”. Duke ndjekur itinerarin e “Udhës së Madhe” ai arrin në Peshkopi e në Grazhdan, në kryeqendrën e hershme të të dy Dibrave. Pas disa kohësh ai shkon në qytetin e Dibrës së Madhe, i cili i lë mbresa për arkitekturën e veçantë dhe origjinale, sado që në atë kohë shehri i Dibrës ishte vetëm një fshat i madh.
Shënime të vlefshme për Dibrën ka lënë edhe francezi A.Bue, i cili ka botuar një libër katër vëllimësh me vëzhgime studimore që u përkasin viteve 1838-1839.
Të dhënat e Buesë janë të karakterit gjuhësor, etnografik, historik dhe gjeografik. Edhe Bue e përshkruan qytetin e Dibrës së Madhe që përveç bukurisë ka patur dhe ka llixha natyrale kurative.
Dibrën e ka patur vizituar shpesh edhe konsulli rus Hitrov, i cili për të hyrë në Dibër, bëri rrugën Shën Naum-Ohër-Strugë. Ai përshkruan me hollësi jo vetëm rrugën por edhe kështjellat, hanet, urat etj.
Edhe konsulli tjetër rus Jastrebov e ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe në veprën e tij për Ballkanin Jugor flet për Dibrën dhe Kalanë e Grazhdanit të cilën e quan një qendër të rëndësishme të periudhës romake.
Edit Durham në librin e saj “Brenga e Ballkanit “ shkruan : “Dibra ka vuajtur rëndë si pasojë e luftës, sepse kufiri është vendosur ndërmjet dibranëve dhe qytetit të Dibrës që është tregu i tyre. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në të dy anët e kufirit, madje edhe ndonjë luftim.Në asnjë rrethanë nuk duhet bërë që një kufi ta ndajë tokën e një fisi në mes në rast se ata që e caktojnë këtë kufi, dëshirojnë të vendosin paqe.”


Nga libri “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë” 2022, faqe 11-15