Arben Velo
Takohemi në një ëndërr?
Atje gjejmë kohë të luajmë me vetminë
Është ajo që di shumë e flet pak.
me trenin e agut
Lypim kohë pa humbur atë që kemi
e presim pulëbardhat si hiçe,
në muzgun e kripur.
Sqepash mban pulëbardha
mëshikza ëndrrash
ngjizur me fëmijë
të palindur….
Të pres në ëndërr !
A mbjellim pyll të ri?
Si të zbus mes pyllit,
lumin e egër të mallit
kur nuk lidhet me pe?
Sonte gëmushat mjegull kêrkojnë
I kthejmë më mirë në hëna
të zgjaten si gjirafat.
Bëhu gati ti kërkojmë falje gjithë dhimbjeve
që ende skanë ardhur.
Nga ikjet ,ne po çahemi më dysh
atdheu është plasur.
.Le të takohemi në endërr.
Ditëve,nuk mundemi.
Kthyer jemi mbiemra
pa emra
borxhe në listën
e shitësit të kujtimeve..!