Kali i bardhë-Petro Sota


KALI I BARDHË

( Poemë )

( Bazuar nga një histori e vërtetë, Vasil Shores, njeriu që kapte kuajt e egër.)

Kapedani i qetë, kafen rrufiste,

Çdo ditë, në qëndër në Divjakë

Bashkë me Beun, me qejf fliste,

Dhe luante tavëll, deri mesnatë.

Dinak qe Beu, se bënte hile pak,

Kapedani, ndonjëherë e kupton,

S’kishte tregtar tjetër në Divjakë,

Ky bënte tregti me Italinë, thonë.

Gjatë lojës, ndonjë gotë e pinin,

Me mish rose të egër dhe mëlçi,

Dhe fshatarët me leqe kur i zinin,

Beut i’a sillnin, bënin me ‘to tregti.

Me sheqer dhe vaji e këmbenin,

Për ato nevojat, që kishte fshatari,

Dhe të gjitha, aty mund t’i gjenin,

Por pak nga Beu, anonte kandari.

E gotë mbas gote, deri mesnatë,

Do zbrazej, gjithë shishja me raki,

Dhe kuleta, se kapedani s’kish fat,

Ndërsa Beu dinak, fitonte përsëri.

Me inat kapedani, dhëmbët jashtë,

Me kofshën e rosës që mbllaçiste,

Sejmenët, pranë mullarit me kashtë,

Prisnin urdhërin, kur ai t’i thërriste.

Tregonin barceleta mbas mullarit,

Dhe nata me muzgun mbërthehen

Dëgjohej kuisja e ndonjë zagarit,

Ndërsa yjet lart, nga hëna zbehen.

Dhe mustaqet laheshin nga rakia,

Dhe kofsha e rosës ngjitej në buzë,

Nuk kishte mbaruar këtu kënaqësia,

Për kapedanin, që ishte bërë shpuzë.

E kishte kapedani, njërën vejushë,

Që netët e qejfit i kalonte me atë,

Edhe hëna në qiell bëhej si prush,

E këndezi në mëngjes s’bënte zë.

I dëgjohej psherëtima vejushës,

E klithmat me zërin si të mekur,

Nga puthjet me kafshime gushës,

Sikur kofshën e rosës së pjekur.

Qejf edhe bejlereshën e kishte,

E buza i digjej sikur nga thëngjijtë,

Se vetëm me nazet ajo e prishte,

Pa i zbuluar kofshët edhe gjinjtë.

Por mesnata, sapo kaluar kishte

Gjelat, kishin filluar duke kënduar,

Kapedani, si qejfli kuajësh që ishte,

Kalin më të mirë, i kishte kërkuar.

Ndërsa Beu, siç ishte i përgjumur,

Ja premtoi, do t’ia jepte menjëherë,

Më të mirin, me që lojën kish humbur,

Dhe thirri Vasilin, që në pyll ta zerë.

Dhe Vasili, më i shpejt se një zagar,

Nuk ja mbushi syrin, kapedanit kollaj,

Për kalin e bardhë, nuk bëri pazar,

Por kur t’ia sillte, do i thoshte pastaj.

Se kuajt e egër, vetëm Vasili i zinte,

Treqind kuaj kishte Beu, në pyll azat,

Dhe sa herë, që ndonjë do të blinte,

Përveç Vasilit s’kishte tjetër në fshat.

Pylli i Divjakës, me pishat shekullore,

Kundërmonte trëndelina e gjelbërimi,

Bukuria të mahniste, dukej përrallore,

Që shtrihej nga Semani tek Shkumbini.

Një ditë e kërkoj, e gjeti kalin në pyll,

Kalin e bardhë, më të mirin hamshor,

Që ishte vërtetë, më i bukur si një yll,

Me trup të gjatë, të lartë, madhështor.

Tre ditë dhe tre netë, pas kalit vrapoi,

Nuk e la asnjë minutë që të pushonte,

Në ditën e tretë, u lodh kali dhe ndaloi,

Në sy dukej lodhja, mëshirë kërkonte.

Ngadalë iu afrua dhe ja hodhi lakun,

Dhe e përkëdheli kalin, sikur një mik,

E kuptoi menjëherë, s’ja kish merakun,

Në sytë e kalit, s’po tregohej më frikë.

Dhe ecte Vasili, para kalit i menduar,

Kalë si ky, s’kishte kapur ndonjëherë,

Po i vinte keq, se shpejt qe miqësuar,

Dhe po i dukej vetja, si një besë prerë.

Dhe e mbajti, tre ditë kalin në shtëpi,

E përkëdhelte me keqardhje në ball,

Sytë e kalit, shihnim me dhëmbshuri,

Në shpirtin e Vasilit, u ndez një mall.

Të tretën ditë u nis dhe me kalin shkoi,

Tek Beu dhe kapidani, që po e prisnin,

Por lojën në tavëll, kapedani e harroi,

Kur pa kalin e bardhë, qimet i ndrisnin.

Dhe e lidhi kalin, në plepin aty pranë,

Dhe ja përkëdheli ballin, me ëmbëlsi,

Nga retë u nxi qielli, e u bë si katran,

Gjethet e plepit tund era, sikur stuhi.

Dhe u afrua kapedani, që litarin të kap,

Por hingëllima e kalit, si buçimë treni,

Shumë i frikësuar, e u kthye me vrap,

Me dy këmbët të ngritur lart, e trembi.

Shumë e deshi këtë kalë, t’ia vinte frerin,

Ti hipte, ta shihnin të gjithë në Divjakë,

Një ëndërr kish parë, duke kapur ylberin,

E fluturon me Pegasin, qiellit nëpër natë.

Dhe e pyeti Vasilin,- se si e kapi kalin,?

-Si e do zotrote, kapedan, që unë të them,

Iu përgjigj Vasili, me dorën që fshin ballin,

-Shikoje vetë, se sa ky kalë vërtetë vlen.

Dhe i kërkoi hakun beut për mundimin,

Pak misër, që gjallë frymën të mbante,

Një gjysëm oke misër, i dha shpërblimin,

Që një ditë bukë vetëm, me atë të hante,

E la misërin në banak e me inat e pa,

-Në se kaq, sa më dhe, haku im vlen,

-Dërgo sejmenët e tu, le ta kapin ata,

-Pastaj të thonë, se sa lehtë do ta kenë.

Dhe shkoi me vrap, litarin kalit ja preu,

Hingëlliu kali, e ngriti këmbët përpjetë,

U tund edhe plepi, sa u trondit dheu,

U shkunden gjethet, sikur binte tërmet.

E me trokun e hamshorit, kali fluturoi,

U zhduk si magji nga pluhuri që aty la,

I zëmëruar kapedani, me pistoletë qëlloi,

U bërtiste sejmenëve, ta ndiqnin prapa.

Por u zhdukën Vasili edhe kali bashkë,

Por edhe në fshat disa vite nuk e panë,

Ja dogjën sejmenët kasollen me kashtë,

Thonë, se kishte shkuar malit partizanë.