LERMA SHPIRTIN TË LIRË PERËNDESHË!
Në ecjen time je ti bashkë me kohën që rrjedh në udhët e mia
dhe shtrohesh mbi lëkurë,
ku nën timen këmishë të grisur ndihet gulçima e përgjakur e zemrës.
Kjo zemër, që prej njëmijë vjetësh e shkuar dëshifron mallin për ty
e përgjithmonshmja ime, dashuria s’mund të pres e vetme përgjitmonë
dhe vjen një ditë kur vdes, ndaj më prit të jetojmë për kohën e mbetur.
Unë do të vij, si një shtjell’ e bardhë reje në çdo lindje të diellit,bashkë me
këngët e mia, që i këndoja për ty, kur shpirti të binte në dhembje.
Koha ime brenda meje i shtrinë krahët, si një degë dhe gjethet e njoma
flasin në gjumin tim me pëshpëritjen e beftë të erës.
Ti je këtu pranë varrit e ulur mbi një gurë të zi, duke pritur, që mbi udhën
e shkretë të bie hëna.
Kjo ikonë e shenjtë, dritë për ty që pret në varre, përtej jehonës së qetë
të natës, ku thekrat e lagështa prekin mollëzat e tua të ngrira.
Unë të shohë ty dashuria ime, që mbi ty rigon dhe rrjedh çurgu i ftohtë i
shiut.
Që atëherë nata ime u vesh me mjergull dhe prej trupit tim m’u shkoqën
krahët si një kalli.
E tash, që kur ti je lag me duar të zgjatura, do kuptosh se vet jeta është
një mekat, ku nëpër çdo stinë të vitit do ta kesh një tragjedi të re.
Ky zjarr që djeg, kjo flakë mbi të cilën shpirtin e lash të ndizet, si një dritë
për zogjtë e natës që rëmojnë në vramendjen time.
Mos i trazo ato! … leri që prej trupit tim të marrin lirinë tënde të shpirtit,
gjithçka të mbetur aty, që kur u largova si një shtërngatë.
Zogjtë vdesin gjithmonë në fluturim, ato jan’ shpirtra të shenjtë që çukitin
të parët në dritën e bekuar të agut.
Lerma shpirtin të lirë, për zemrën time, më mjafton veç pak të di për ty,
që jeton në stuhitë e pasionit tim, lermi duart e mia të vërshojnë në
harlisjen e zhveshur nudo, lermë të t’i puth buzët e ndezura si prushi i një
natë të ftotë dimri, të prek gjokset e shpënguara që më shpojnë thithkat
në trup.
Lermë të bie në paqe mbretëreshë, kur ti shfaqesh, uragane të fuqishme
zgjohen brenda meje dhe qiellin e shkund nga dremitja!
Lermë të të dua, a të kujtoj dhe pse gjithë gëzimet e tua u përmbysën në
vaj, që kur për ty nuk pata më tepër orë dhe çaste.