Ariu në thes-Përkthim Agim Xh.Dëshnica


        Ariu në thes 

Nga perrallat e lashta të Kazakistanit.

Perkthim Agim Xh. Dëshnica

Ariu po ecte ngadalë nëpër stepë. Pa dhelprën dhe iu qep prapa turravrap. Dhelpra, nxito e nxito, arriti te strofkulla e vet, rrotulloi bishtin dhe humbi brenda saj.
Ariu ndaloi dhe nuk dinte ç’të bënte. Ishte i lartë dhe i trashë. Ku e nxinte vrima e strofkullës! Sa nuk po plaste nga marazi, që i shpëtoi për një qime ajo e mallkuar dhelpër! U përpoq të rrasej me zor në strofkull, por qenkësh e pamundur! Mundi të fuste vetëm kokën deri te veshët, por më tej nuk po shtyhej dot. Atëherë, vendosi të tërhiqej pas, por s’po mundte. Kishte ngecur. S’lëvizte dot as para e as prapa. Dhelpra, ndërkohë, kishte dalë nga një brimë tjetër nën dhé dhe po e sodiste e kënaqur. Ngulte këmbët ariu i gjorë dhe përpiqej të shkulej, por hiç që hiç. Dukej sikur kishte zënë rrënjë ndën tokë.
I shpërtheu gazi nga hundët dhelprës. Shkoi pranë ariut ajo dhe filloi ta tallte e ta lagte me ujë. Por ai u cfilit e u cfilit dhe, më në fund, arriti ta nxirrte kokën. U mbush me frymë, shfryu dhe hodhi sytë përqark. Donte të dinte në e pati parë kush se çfarë i kishte punuar dhelpra.
Jo shumë larg njëri po ruante delet. Shkoi ariu tek ai dhe e pyeti:

  • A pe gjë ti, o bari , se ç’ndodhi atje tutje?
  • Pashë, o ari, pashë!
  • E çfarë pe?
  • Po ja, se si të bëri për ujë të ftohtë ajo shejtane dhelpër!
    Ariut sa s’i dolën sytë nga inati.
  • Mirë, – ia ktheu bariut, – meqenëse paske parë diçka, qepe dhe mos llomotit me asnjë tjetër, ndryshe të shqeva!
    Bariu u tremb dhe iu betua se nuk do të hapte gojën askund.
    Kur u nda me të, ariu e kërcënoi sërish dhe shkoi në punën e vet. Kurse bariu atë mbrëmje, sapo e futi bagëtinë në vathë, nuk iu durua e vajti ua kallzoi të gjithëve dredhinë e dhelprës. Njerëzit u gajasën, ndërsa çamarrokët seç ngritën një këngë gazmore me dhelpër dhe ari.
    Me të dëgjuar atë këngën ariu, sa s’plasi nga inati. Qimet iu ngritën përpjetë. Sytë nisën t’i nxirrnin flakërima. Në mëngjes iu afrua bariut në kullotë, duke turfulluar.
  • Ç’qe ajo që bëre, or bari!? Përse nuk e mbajte fjalën? Pse më gënjeve dhe më turpërove në tërë stepën? S’ka lumë që e lan fajin tënd! Prandaj, bëhu gati, se do të të ha!
    Bariu u drodh, derdhi lot dhe iu lut ariut t’i jepte tri ditë kohë, sa për t’u takuar e për t’u dhënë lam-tumirën e fundit njerëzve të shtëpisë dhe miqve…
  • Mirë, ashtu u bëftë! Po t’i jap tri ditë afat, mandej mos prit mëshirë nga unë!
    Me të thënë këto, ariu u largua.
    Bariu ra përtokë, mbuloi me duar fytyrën dhe qau me ngashërim. Papritur, iu afrua atij dhelpra.
  • Ç’ke kështu, o bari? Pse qan? – e pyeti.
  • Si të mos qaj! – ia ktheu ai. – Ti nuk di gjë, po unë kaq e pata, mbarova! – Dhe i tregoi se çfarë i kishte ndodhur me ariun.
  • Ashtu, hë? E po, mjaft me të qara! Ç’më jep mua, të të shpëtoj prej ariut?
  • Ua! Pyetje është kjo!? Ç’të duash të jap! Nuk të kursej asgjë!
  • Vërtet!? Atëherë, veshkat e tua dua!
  • Mirë, vetëm, aman, më nxirr nga ky hall!
    Dhe ranë kësisoj në ujdi.
    Pas pak, dhelpra i tha bariut:
  • Shko në fshatin tënd, shëtit tri ditë nga të duash, pastaj eja prapë këtu! Veç mos harro të marrësh me vete një thes të madh dhe një shkop të trashë! Unë do të të pres jo shumë larg prej këtej. Porsa të vijë ariu, lute dhe për tri ditë të tjera. Në atë kohë unë atje tek do të jem do të sjell rrotull bishtin dhe do të ngre pluhur përpjetë. Ariu do ta shohë pluhurin dhe do të të pyes ty: “Ç’po bëhet kështu ?” Ti menjëherë do t’i thuash me zë të ulët: “Gruas së hanit i ka shkrepur në kokë të mos hajë asgjë, përveçse zemër ariu! Prandaj, hani, hipur mbi kalë, me heshtë në dorë, është lëshuar nëpër stepë dhe po kërkon të gjejë një ari! Troku i kalit është që po e ngre pluhurin!” Sa të thuash këto fjalë, do të shohësh se si do të sillet ariu dhe se si do të vejë puna më tej.
    Bariu bëri siç e porositi dhelpra. Vajti në fshat dhe pas tri ditësh u kthye tek i tha ajo.
    Dhe ja, na vjen ariu! Leshtë – ngritur përpjetë, sytë – të ndezura flakë dhe goja i lëshonte jargë.
    Bariut iu drodh mishtë. Ra në gjunjë para tij dhe iu lut ta linte të lirë edhe tri ditë të tjera.
  • Mjaft më! Brodhe e brodhe sa deshe, tani më duhet të qërroj hesapet me ty! – ia ktheu ariu ashpër.
    Dhe kur po bëhej gati të hidhej mbi bariun, nga toka u ngrit gjer në qiell një shtëllungë e madhe pluhuri.
    Ariu u step.
  • Ç’po ndodh ashtu!? – pyeti me të shpejtë bariun. – Ç’është gjithë ai pluhur!?
    Bariu iu përgjigj siç e kishte mësuar dhelpra.
    Ariut i shkuan sytë shtrembër nga tmerri dhe iu lut bariut me të qara:
  • Më fshih nga hani, të lutem! Nuk do të ta harroj kurrën e kurrës të mirën!
  • Mirë! Hyr te ky thes dhe mos u ndje!
    Ariu hyri. Bariu ia lidhi grykën thesit fort e më fort. Pastaj mori shkopin e trashë dhe fut e bjer, fut e bjer, deri sa ariu nxori frymën e fundit.
    Sakaq ia mbërriti atje zonja dhelpër.
  • Ja, shpëtove! – i tha. – Nem tani shpërblimin!
    Bariu i gjorë, pa se prapë nuk po i ndahej vdekja.
    “Jetova, – mendoi, – me aq e aq vështirësi në këtë botë dhe tani u dashka të vdes kot së koti!”
    Në ato çaste, për çudi, nisën t’i kërcisnin fort barku dhe zorrët!
  • Kush po leh ashtu në barkun tënd, i dashur? – e pyeti dhelpra e habitur.
  • E di si është puna, moj zonja dhelpër? – ia ktheu bariu. – Mbrëmë më zuri një uri e padurueshme, ndaj gëlltita të gjallë një langua. Si duket, ai e paska nuhatur që ti je kaq pranë dhe ndaj po leh.
    Sapo dëgjoi dhelpra të flitet për langoin, bishti iu ngrit pas këmbëve. Kërceu si sustë dhe u zhduk si era.
    Thonë se edhe sot e kësaj dite nuk është parë më askund.