Det i tallazeve të shpirtit-Barie Çupi


Mos u xhindos det,

nga egoja ime sa një grimcë atomi e vetme,

je kaq i pafund,

i thellë sa përjetësia,

momenti yt duket hapësirë që nuk të braktis,

guralecët e tu fshehurazi më ngacmojnë nënlëkurën,

koha nuk duket se lëviz,

depërton e kryqëzohet emocionesh shtuar,

det që të ngop mendueshëm me avuj të jodizuar,

dallgësh kryeneçe,

gajasesh me valët që të lëmojnë në sipërfaqe

e shtyhesh për t’u përplasur me butësinë time,

e unë sa e sa i afrohem më shumë enigmës tënde,

hiqesh magjistar,

i plotfuqishëm në çastin tim imagjinar,

të dua det…

të kam në dejet e muzës sime

edhe kur unë nuk jam pranë teje,

është urtia ime,

guackash gjej zëra,

fjalë…

zhurmat e tua prej kraharori të blutë,

buzësh të del shkum’e bardhë,

që freskon brinjë shkëmbinjsh,

dell inatçor prej një barku aq të fryrë,

ku perëndi e lotëve të tokës e të qiellit,

t’gjitha misteret e kalimtarëve të tu,

zbarkojnë idhshëm,

trazohen në shtratin tënd,

herë përmallueshëm,

herë kobshëm,

ndërsa muzgjesh të ulet dielli në fron,

për të zbutur epërsinë tënde,

të shëllisirës që të tendos damarët,

sa herë ti egërsohesh..

…det hijerëndë,

det i tallazeve të shpirtit,

tani do bjerë nata,

hëna pret t’më përzërë mua

dhe sytë e mi të mendimit,

gjumi ngucet e më tërheq për mënge,

ndërsa vërdallosem përhumbur,

e brishtë,

e paqtë në mbretërinë tënde.