Femër-Fatmir R Gjata


Femër

Zoti krijoi gjëra të mira,
kur bëri kafshët dhe njerinë
Paçka se ishin të vështira,
edhe për vetë perëndinë.

Bëri dhe diell me rreze shumë,
bëri dhe detin plotë me valë
Bëri përrenjtë të shkojnë në lumë,
i la të derdhen dalëngadalë.

Bëri dhe lulet plotë ngjyrë,
dhe stinët të ndërrojnë përherë
Bëri gëzim edhe mënxyrë,
bëri dhe lotin mbushur vrerë.

Bëri dhe gruan e shënjtëruar,
i dha të gjitha mirësitë
I bëri faqe të praruar,
e bëri bashkë me perënditë.

Që jetë përherë të jetë mbi dhe,
i dha dhe bukuri pafaj
Nëse s’besoni më në fe,
besoni madhështinë e saj.