“Kthim në Zulumbak”-Boris Miska


Boris Miska

Tregim

Kthim në Zulumbak”

Kish shkuar mesnata kur Ford-i prodhim turk u ndal para pallatit ku banonte prej shumë vitesh P’llum Karabinaja. Furgonin e bardhë e ngiste vëllai i Pëllumbeshës, kunati i madh i cili merrej me tregëti zarzavatesh.
Komshinjtë flinin, asnjë derë nuk ishte e hapur si atë mëngjes kur e pati lënë Zulumbakun dhe ishte nisur për Amerikë. Brenda në apartamentin e pabanuar prej kohësh ndjehej ftohtësia dhe një lloj trishtimi që s’kishte të bënte me nostalgjinë, as me mallin për vendin ku ke jetuar.
Të kapitur jo vetëm nga udhëtimi i gjatë, por edhe nga këputja e ëndrrave të thurura plot fantazi, fjetën familjarisht deri mëngjesin e ditës tjetër.
Në të aguar nga jashtë nuk ndjehej asnjë zhurmë, dëgjoheshin vetëm hapat e rënda të Beçës që bariste nëpër dhoma duke u marrë me zbrazjen e valixheve dhe mbushjen e frigoriferit Obodin.
P’llum Karabinaja u vesh me tuta akreliku e atlete të bardha, ngjeshi në kokë kapelen sportive me simbolet NY, vuri syzet e diellit me xham të errët dhe doli në rrugë, donte t’i rikthehej qytezës, të ecte. Disa fëmijë që po luanin tek oborri para pallatit e kujtuan për banor të ri dhe shikonin tek dritaret me kureshti për ta gjetur hyrjen që i panjohuri pati blerë apo marrë me qera.
Filloi të çapitej jo si dikur në mes të rrugës, por në trotuar. Duart i kishte futur në xhepat e tutave të poshtme, të palidhura pas shpine.
Askush s’po e përshëndeste ish-aktorin, të gjithë njerëzit që ndeshi shikonin punën e vet, kjo e bëri të ndjehej i prosvalur në indiferencë.
Zulumbaku zhurmonte nga makina të markave më të reja, dyqanet nuk ishin më ato që ai pati lënë. Ish- mapon e ndarë në dymbëdhjetë aktivitete e bleu ai i shërbimit funeral dhe e kishte hapur të gjithë ambjentin duke e kthyer në supermarket të kohës. Teatrin, aty ku ai pati luajtur për aq vite e kishte marrë me qera Neritani, djali i vogël i Cekes, e kishte kthyer në Bingo ku argëtoheshin të gjithë pensionistët e të papunët e Zulumbakut.
Djemtë që e zbriten nga hekuri dhe e ngritën lart mbi supe ishin fuqizuar e bërë me emër.
Ylli, djali i Rakipit qe zgjedhur krytar i partisë republikane, botonte gazetën lokale me emrin ‘La Republica’.
Fahriu i biri i Shefkijes, shitëses së bulmetit qe bërë president i klubit të volejbollit dhe kishte hapur të parin televizion privat lokal, shfaqte pas mesnate filma pornografik.
Qorri, çuni i Nasit rojes së ripertitorit, hapi të parin aktivitet me lojra bixhozi, aty mblidheshin në darkë
e gjithë paria e cila zbrazte në makinat elektronike paratë e grabitura gjatë ditës.
Beni i Demetes, pastrueses vetullkaleshe të komitetit, ishte bërë shef i tatimeve.
Zyrën e P’llumit tek ish-komiteti i partisë e kishte zënë Fejziu i Behijes, ardhur nga shtresat e vuajtura, ish i dënuar ordiner për vjedhje, më pas edhe për agjitacion e propogandë sepse kishte sharë nga motra hetuesin. Qerosi, kështu e thërrisnin sepse e rruante kokën me brisk që nga koha e burgut, e pati rikonstruktuar e mobiluar kabinetin me pajisje të shtrenjta; kondicioner, kompjuter e televizor, në sfond pas karriges mbi kokë vendosi edhe fotografinë e vet krah asaj të sekretarit të parë të partisë së re. Xhipja taksisti, ish-shoferi i teatrit i zhgënjyer prej P’llumit hileqar që s’e pati marrë shofer përfaqësie siç i pati premtuar, kishte ikur në Greqi tek kunati bashkë me Nafijen dhe fëmijët. Zulumbaku ishte mbushur me fytyra të panjohura, të ardhur nga fshatrat e përreth, ata që ai i njihte kishin emigruar, disa me gomone, të tjerë me viza të blera nga matrapazët e ambasadave, tek-tuk ndonjë me llotari amerikane e kanadeze.
Pushtetin lokal tani e kishte në dorë ish-partia e punës, që i fitoi zgjedhjet pak muaj pasi ai kishte braktisur vendin për në detyrën e re të ambasadorit. Njeriu politik më i fuqishëm i Zulumbakut nuk ishte më sekretari i parë i partisë së tij, por një i majtë, e quanin Jaup Bilbili, burrë i shkurtër me kokën të madhe katrore, të shypur plloçë nga pas.
Nuk i ecej më, ndali hapat me zhgënjim, u kthye
kokulur për në shtëpi.
Çdo gjë i’u duk së prapthi e përmbysur si atëhere
kur e patën varur në hekur fytyrëposhtë për rolin e komandantit të ballit.
Ngjiste i menduar shkallët e pallatit i ndjekur nga kurioziteti i fëmijëve që braktisën topin për ta parë se tek cili kat do trokiste burri me atlete të bardha e kapele bejzbolli.
-Ueee, paska marrë hyrjen e xhaxhi P’lluuumit, dëgjoi të vinte nga poshtë zërin e një djali në momentin kur u ndal e i ra ziles së derës së vet.
Kur u fut në shtëpi i gjeti kalamajt në tavolinë, po hanin mëngjes, karrigia e tij ishte bosh dhe para saj Beça i kishte vendosur misurën e dikurshëm prej xingoje që ai e përdorte për përshesh me kos. Pëllumbesha atë enë kuzhine që e kishte sjellë në pajë nuk e pati falur si të tjetrat, por e kishte ruajtur për nostalgji.
P’llumi u përhumb dhe u fiksuar diku në një pikë në mur, vuri bërrylat në trapezë me fytyrën e mbeshteti mbi duart poshtë faqeve.
Amerika për të tani ishte një ëndërr e shuar, teatri i pati mbyllur dyert, aty luhej lloto.
Saga e ambasadorit kishte përfunduar me turp, sot ai nuk e fuste dot veten askund, as aktor, as diplomat. As kategoria e tornitorit nuk pinte më ujë, repartet mekanike ishin shkatërruar, metalprerëset, tornot, pjalat e barrenot qenë shitur për skrap.
E shkëputi nga mendimi i trisht garruzhda me kos që po i’a hidhte në tas Beça.
Zgjati duar instiktivisht, kapi dy copa buke në kanistër dhe filloi t’i bëj kafshita e t’i lëshonte në tasin me bulmetin e athët.
Të vegjëlit mbaruan vaktin e tyre dhe filluan të rendin me potere nëpër dhoma.
Nga aneksi i kuzhinës u dëgjua e çjerra e
Pëllumbeshës:
-Fëmijë rrini urtë, lëreni babin ta haj atë përshesh. (Fabul e patrilluar).