Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës festoi të mërkuren më 6 nëntor, 15-vjetorin e botimit të gazetës letrare e kulturore “Nacional”
Nga Gani Përshnjaku, Prishtinë
Në këtë manifestim, që u mbajt në sallën qendrore të Institutit Albanologjik të Prishtinës, morën pjesë qindra shkrimtarë, poetë, studiues, profesorë universiteti dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora
Prof. Dr. Shyqri Galica: “Për vite të tëra e vetmja gazetë e kësaj natyre në gjithë hapësirën shqiptare ka arritur të shpalosë çështje e probleme nga më të ndryshmet, nga ato letrare e kulturore deri tek ato aktuale politike, natyrisht, duke mos qenë apolitike në rrjedhat e saj.
Gazeta “Nacional” faktikisht ka pushtuar të gjitha trevat shqiptare dhe duke qenë e vetmja kësisoj, ka paraqitur vlerat letrare të penave më të njohura deri tek ato fillestare, duke afirmuar letërsinë e kulturën tonë gjithandej, gjithsesi pa asnjë dallim të krijuesve në çfarëdo forme qoftë.”
KREMTOHET NË PRISHTINË 15 VJETORI I GAZETËS LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës shënoi të mërkurën më 6 nëntor, 15-vjetorin e botimit të gazetës letrare e kulturore “Nacional”, që botohet në Tiranë, ndërsa shpërndahet edhe në Kosovë dhe pothuajse në tërë hapësirën shqiptare.
Në këtë manifestim, që u mbajt në sallën qendrore të Institutit Albanologjik të Prishtinës, morën pjesë qindra shkrimtarë, poetë, studiues, profesorë universiteti dhe akademikë nga: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora.
Për arritjet dhe rëndësinë e gazetës kombëtare Nacional dhe çështjet e ndryshme rreth saj, foli Prof. Dr. Shyqri Galica, Kryetar i LSHK-së dhe organizator i takimit.
Prof. Dr. Shyqri Galica, ndër të tjera theksoi se gazeta jonë letrare dhe kulturore “Nacional”, po mbush pesëmbëdhjetë vjet të botimit të saj, nëpër faqet e së cilës kanë paraqitur vlerat e tyre letrare, artistike, kulturore, historike, politike e të tjera, një varg shumë i gjatë krijuesish të fushave të ndryshme, duke provokuar lexuesit me vlera të veçanta letrare dhe artisike.
Për vite të tëra, e vetmja gazetë e kësaj natyre në gjithë hapësirën shqiptare, ka arritur të shpalosë çështje e probleme nga më të ndryshmet, nga ato letrare e kulturore deri tek ato aktuale politike, natyrisht, duke mos qenë apolitike në rrjedhat e saj.
Faktikisht, Gazeta “Nacional” ka pushtuar të gjitha trevat shqiptare dhe duke qenë e vetmja kësisoj, ka paraqitur vlerat letrare të penave më të njohura deri tek ato fillestare, duke afirmuar letërsinë e kulturën tonë gjithandej, gjithsesi pa asnjë dallim të krijuesve në çfarëdo forme qoftë.
Prof. Shyqri Galica, tha në vazhdim se: “Editori dhe themeluesi i gazetës javore “Nacional”, poeti me famë ndërkombëtare, studiuesi i letërsisë dhe profesori i universitetit, Dr. Mujo Buçpapaj, në mënyrë të denjë gjatë tërë kësaj kohe ka përgatitur çdo numër të gazetës me përgjegjësi dhe pa dyshim me dashuri të veçantë.
Një gazetë e këtillë jo vetëm që është e kushtueshme, por është edhe jo e lehtë për ta nxjerrë para lexuesit, duke pasur përgjegjësi sidomos për përzgjedhjen dhe sigurimin e materialeve, si dhe nivelin e lartë të punimeve, që jo gjithmonë është aq lehtë për ta përballuar një material të shumëllojshëm dhe një përzgjedhje specifike për të.
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtarësia e saj, janë të lidhura pothuajse me çdo botim të gazetës “Nacional”, ndaj ka dhe privilegjin për ta organizuar përurimin e saj në këtë përvjetor të rëndësishëm duke besuar se botimi i saj na ka afruar jashtëzakonisht në shumë aspekte për t’u bërë bashkë jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, i cili është synim i çdo shqiptari.
Sot është kënaqësi dhe nder që midis nesh kemi edhe themeluesin e revistës “Nacional”, Drejtorin e saj, Dr. Mujë Buçpapaj, i cili me aq përkushtim e profesionalizëm bën një punë shumë të madhe me ekipin e tij për të avancuar krijimtarinë letrare dhe për të trajtuar çështje e probleme të jetës sonë shoqërore e kombëtare, theksoi, ndër të tjera, Prof. Galica.
Për rrjedhat e punës dhe të publikimit të gazetës “Nacional” gjatë 15-vjetëve, foli Drejtori i saj, Dr. Mujë Buçpapaj, i cili ndër të tjera tha se “Në një kohë të papërshtatshme për shtypin e shkruar, gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” ia ka dalë prej 15 vjetësh të qëndrojë në tregun shqiptar dhe rajonal falë një politike editoriale të qartë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe idealizmit të stafit të saj. Duke vijuar në kohë moderne, një traditë të shtypit kombëtar të kulturës, letërsia shqiptare, kultura dhe çështja shqiptare kanë qënë për redaksinë qendrore në Tiranë dhe ato rajonale, jo vetëm obligim, por edhe frymëzim në punën tonë si profesionistë të fushës.
E themeluar 15 vjet më parë nga një grup shkrimtarësh, artistësh, studiuesish, përkthyesish dhe albanologësh të shquar në vend dhe jashtë tij, gazeta javore “Nacional”, ka hyrë me modesti në historinë e shtypit shqiptar në përgjithësi dhe atë kulturor në veçanti, me individualitetin e saj, me shpresat dhe ndijimet e saj për kombin tonë, për trashëgiminë kulturore, bashkimin kombëtar dhe të ardhmen.
Gazeta Nacional, tha Mujë Buçpapaj, lufton për forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan, forcimin e identitetit tonë kombëtar, duke e parë letërsinë shqiptare si një njësi unike kombëtare, ashtu siç jemi me të vertetë një komb, një gjuhë, një kulturë dhe një letërsi.
Dr. Mujë Buçpapaj, falenderoi të pranishmit e shumtë në sallë, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës “Nacional” në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, në Europë dhe SHBA, gazetarë, shkrimtarë, përkthyes, studiues të shquar dhe albanologë në rajon dhe në botë, artistë, shkenctarë, kërkues shkencorë etj, të cilët kanë bashkëpunuar me “Nacionalin” falas, me idealizëm dhe atdhetari, me dashuri ndaj fjalës shqipe, gjuhës së saj dhe letërsisë.
Dr. Mujë Buçpapaj falenderoi posaçërisht lexuesit e gazetës letrare Nacional në rajon dhe në botë, duke i konsideruar si pjesë të redaksisë prej themelimit të saj dhe në vazhdim si dhe redaksitë rajonale në qytete kryesore në SHBA dhe Europë dhe bashkëpunëtorët në disa universitete dhe qendra kërkimore shqiptare dhe të huaja. Falenderoi kryeredaktorin e gazetës Nacional per Kosovën, gazetarin dhe përkthyesin Gani Tërshnjaku.
Falenderoj me mirënjohje organizatorin e këtij manifestimi jubilar të gazetës Nacional, Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, Prof. Dr. Shyqri Galica, një shkrimtar dhe studiues i shquar i letërsisë.
POETË, SHRKIMTARË, STUDIUES, AKADEMIKË DHE PROFESORË UNIVERSITETI, FALENDERUAN GAZETËN “NACIONAL”
Oratorët që morën fjalën: poetë, shrkimtarë, studiues, akademikë dhe profesorë universiteti, falenderuan gazetën Nacional, stafin e saj botuesin, familjen Buçpapaj për rolin e saj për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe bashkimin kombëtar.
Ata theksuan se gazeta javore, letrare dhe kulturore Nacional, është një media me ndikim në hapësirat shqiptare dhe në botë, është një institucion që mban gjallë ndjenjat kombëtare shqiptare, me moton “ Pavarësi, demokraci dhe bashkim kombëtar, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Shkrimtari i mirënjohur Jusuf Buxhovi tha se gazeta kombëtare Nacional për 15 vjet me radhë i bashkoi shpirtërisht jo vetëm shkrimtarët dhe njerëzit e artit, por të gjithë shqiptarët.
Buxhovi vlerësoi politikat editoriale të gazetës dhe botesin e saj Dr. Mujë Buçpapaj, për vizionin dhe politikat e hapura ndaj të gjitha prurjeve letrare, përfshirë edhe elitat letrare dhe kulturore. Ai e vlerësoi Nacionalin, si gazetën më të mirë shqiptare të të gjitha kohërave, duke renditur disa arsye.
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Prof. Dr. Prend Buzhala, tha se ky manifestim për gazetën Nacional, përbën një ngjarje kulturore për jetën tonë kombëtare. Ai vlerësoi punën e gazetës për ruajtjen e një linje editoriale të pavarur me interes të fortë kombëtar. Nacional është një tribunë elitare e takimit tonë të përjavshëm pavarësisht ku jetojmë në rajone apo në botë, u shpreh ai, duke vlerësuar prurjet e gazetës dhe vlerat e larta letrare, në një kohë të vështirë për shtypin letrar.
Prof. Dr. Avni Presheva falenderoi botuesin Dr. Mujë Bucpapaj dhe këmbënguljen e tij si botues, intelektual dhe patriot, për t’u dhënë shqiptarëve një media të hapur për të gjithë ata që e duan fjalën shqipe dhe bashkimin kombëtar. Rasti i Nacionalit është i rrallë dhe i vetmi në historinë e shtypit shqiptar, tha ai, që bashkon intelektualët shqiptar dhe shkrimtarët dhe artistët rreth çështjes kombëtare pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Prof. Dr. Milazim Krasniqi poet dhe pedegog i njohur, tha se kjo gazetë ka luajtur rol të rëndësishëm në shkëmbimin tonë kulturor dhe në arfimimin e nacionalizmit shqiptar, duke iu kundërvënë shoviznimit serbo-grek si rrallë media, në hapësirat shqiptare me kopetencë të fortë shkencore dhe argumente. Ai falenderoi botuesin Dr. Mujo Buçpapaj, për përkushtimin e gjatë dhe të pandërprerë në 34 vite për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj, bashkë me familjen Bucpapaj.
Shkrimtari dhe botuesi i mirënjohur Nazmi Rrahmani, tha se e ndjek Nacionalin prej 15 vitesh dhe e vlerësoi lart gazetën dhe botuesin e saj Mujo Buçpapaj si poet, studiues dhe intelektual. Rrahmani tha se kjo gazetë po mban gjallë ideologjinë e bashkimit kombëtar duke bashkuar rreth vetes, të gjithë shqiptarët që besojnë tek liria dhe demokracia dhe sidomos elitat kulturore, intelektuale.
Poeti i njohur Shefik Shkodra ishte falenderues për gazetën Nacional, drejtuesin e saj Mujo Buçpapaj dhe të gjithë familjen Buçpapaj, për kontributin e saj për lirinë, demokracinë dhe bashkimin kombëtar. Ai tha se Kosova dhe trojet etnike, i janë mirënjohës kësaj familjeje për kontributet e pashoqe në historinë tonë moderne prej vëllëzërve Frashëri deri më sot, por edhe për vijimin e kësaj historie atdhetare si: intelektualë, shkrimtarë, ideologë dhe veprimtarë shoqëror në lëmin kombëtar. Ai vlerësoi takimin e organizuar shkëlqyeshëm nga LSHK dhe zoti Galica, ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha klubet letrare të Kosovës. Nacional na bashkon të gjithëve, u shpreh ai.
Prof. Dr. Ukë Buçpapaj, përkthyes i njohur, tha se ishte i prekur nga fjalët e mira që kishte dëgjuar në këtë manifestim dedikuar gazetës Nacional dhe se kjo e motivonte më shumë atë për mediat Nacional dhe posaçërisht gazetën kombëtare Nacional.
Ai falenderoi të pranishmit dhe posaçërisht Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Profesor Dr. Shyqri Galica, për organizmin e shkëlqyer të manifestimit, por edhe për rolin e tij si: shkrimtar, studiues, Professor universiteti dhe veprimtar i shquar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar.
Poeti Agim Desku vlerësoi politikat e qëndrueshme kombëtare të gazetës Nacional, duke qënë e vetmja media që prodhohet në Tiranë dhe shpërndahet me sakrifica në rajon, e cila dallon prej shtypit tjetër atje, për përmasat akademike, letare dhe filozofike kombëtare, tha ai. Desku falenderoi botuesin Mujo Buçpapaj dhe e uroi atë edhe për suksesin e fortë ndërkombëtar si poet dhe studiues i nivelit të lartë. Unë dhe shkrimtarët e tjerë, u jemi mirënjohës për këtë mundësi që na jepni, përfundoi ai. Gjithashtu, ai vlerësoi takimin e organizuar shkëlqyeshëm nga LSHK dhe zoti Galica.
Poetesha e njohur Kismete Hyseni, u shpreh e emocionuar për mundësinë që i ka krijuar Gazeta Nacional, për të qënë e pranishme në tregun shqiptar me krijimtarinë e saj. Ajo tha se gazeta i ka siguruar lexues në të gjitha hapësirat shqiptare dhe në botë, duke qënë një media e shquar në historinë e shtypit shqiptar. Znj. Hyseni falenderoi botuesin Mujo Buçpapaj dhe familjen Buçpapaj, për këtë investim kombëtar. Edhe ajo vlerësoi takimin e organizuar shkëlqyeshëm nga LSHK dhe zoti Galica.
Shkrimtari dhe studiuesi Izet Avdyli, shprehu konsiderata të larta për gazetën Nacional, rolin e saj për mbajtjen gjallë të letërsisë dhe çështjes tonë kombëtare, nivelin e lartë dhe gjithpërfshirës.
Poeti i njohur Burhan Hoti, falenderoi gazetën Nacional, për frymën moderne kombëtare, lëndën e përzgjedhur nga letërsia shqiptare dhe ajo ndërkombetare dhe shpirtin e pastër Nacional. Media të tilla i duhen kombit tonë dhe veçanërisht Kosovës, tha ai, për frymën kombëtare, shpirtin pluralist kombëtar dhe boshtin thellësisht shqiptar. Në çdo faqe të gazetës, është Shqipëria jonë e madhe dhe kjo na bën krenar. Në fund ai falenderoi botuesin e gazetës Dr. Mujo Buçpapaj për gjithçka që bën për letërsine, bashkimin kombëtar dhe çështjen shqiptare prej 34 vitesh pa ndërprerje.
MOTOJA E GAZETËS NACIONAL ËSHTË: PAVARËSIA, DEMOKRACIA DHE BASHKIMI KOMBËTAR, NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA-të
Sabri Maxhuni Novosela, studiues i historisë, tha në fjalën e tij se motoja e gazetës Nacional është: pavarësia, demokracia dhe bashkimi kombëtar në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe këtë e ka konstatuar çdo lexues dhe bashkëpunues i kësaj mediaje të rëndësishme, serioze dhe elitare. Për këtë shkak, i janë bashkuar kësaj gazete, të gjithë intelektualët shqiptar, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Ai tha se i bashkohet kësaj gazete, ideve të saj për bashkimin kombëtar dhe filozofisë që ajo mbron se nuk ka komb Kosovar dhe komb shqiptar, por vetëm një, kombi shqiptar. Ai apeloi se duhet të dalim nga koncepti i gabuar, sidomos mediatik, i popullit shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo Mal të Zi , por vetëm në konceptin: një komb, kombi shqiptar. Ai vlerësoi takimin e organizuar shkëlqyer nga LSHK dhe zoti Galica dhe në fund tha se biznesi shqiptar duhet ta ndihmojë këtë gazetë brenda ligjeve dhe rregullave për ta rritur dhe fuqizuar edhe më shumë çështjen tonë kombëtare.
Shkrimtari Nuhi Veseli, u shpreh entuaziast për gazetën Nacional, vlerat e saj dhe të ardhmen. Gazeta Nacional është një gazetë me shumë ndikim në jetën tonë kombëtare, tha ai duke falenderuar botuesin Mujo Buçpapaj për përkushtimin e tij të gjatë, për çështjen tonë kombëtare, letërsinë dhe bashkimin kombëtar.
Shkrimtari Rrahim Sadiku, velerësoi takimin e organizuar në LSHK dhe Prof. Galica, duke shtuar se takime të tilla, duhet të bëhen më shpesh në: Prishtinë, Tiranë, Shkup, Ulqin, Tetovë dhe Tuz. Ai tha se gazeta Nacional u kishte sigurar lexues në të gjitha hapësirat shqiptare dhe se kishte vlerësimin më të lartë për të. Jemi krenar me gazetën Nacional, e cila është së pari një gazetë e Kosovës dhe trojeve shqiptare, me frymë perëndimore dhe koncepte moderne elitare.
Prof. Dr. Zymer Neziri, studiues i shquar, tha se kishte bashkëpunuar ndër vite me gazetën tonë Nacional dhe e vlerësonte lart punën e saj në shërbim të kombit. E çmoj shumë punën e botuesit Mujo Buçpapaj, i cili ka ndërtuar një gazetë të një niveli shumë të lartë dhe me përfaqësim nga të gjitha hapësirat shqiptare. Kjo e bën të veçantë këtë gazetë në historinë e shtypit shqiptar. I urojmë jetëgjatësi!
Poetesha dhe studiuesja e letërsisë Migena Arllati, tha për gazetën Nacional, se e ka ndjekur prej 15 vjetësh gazetën Nacional dhe se kishte konsideratat më të larta për këtë media që u ka hapur dyer shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë, pa përjashtim. Ajo vlerësoi takimin e organizuar shkëlqyer nga LSHK dhe zoti Galica, duke i uruar gazetës jetëgjatësi dhe suksese në misionin e saj kombëtar, si rrallë media tjetër në hapësirat shqiptare.
Rajmonda Malecka, poete, studiuese dhe publiciste tha për gazetën Nacional, se ishte e emocionaur nga takimi i përzemërt dhe vleërësimet e larta dhe të sinqerta që gazeta Nacional kishte marrë në këtë manifestim të veçantë, ku morën pjesë studiues, profesorë, akademikë dhe shkrimatarë nga të gjitha klubet letrare, qendrat kërkimore dhe univesritet në Kosovë, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Kjo ndodh për herë të parë në Prishtinë këto 25 vitet e fundit dhe është meritë e Nacionalit që i bashkon të gjithë shqiptarët patriotë.
Gazetari i njohur dhe moderatori Tomorr Avdia, vlerësoi takimin dhe manifestimin që shpreh mirënjohjen e shkrimtarëve të Kosovës për gazetën Nacional dhe politikat e saj editoriale që kanë të bëjmë me lirinë, pavarësinë, bashkimin kombëtar, si dhe forcimin e miqësisë me SHBA-të. Gazeta Nacional, tha ai, është e një niveli të lartë shkencor, është një media pluraliste për nga politikat e botimit me bosht qendror çështjen kombëtare shqiptare, çfarë i siguron asaj sukses, respekt dhe vazhdimësi.
Studiuesi i UÇK-së Afrim Mustafa, vlerësoi takimin, organizimin dhe vetë gazetën Nacional për vlerat letrare, kulturore dhe kombëtare. E falenderojmë Dr. Mujon dhe gjithë familjen Buçpapaj, për këtë investim kombëtar, sidomos për mbrojtjen e kauzës së UÇK-së, tha ai.
Kryeredakroi i gazetës Nacional për Kosovën Gani Tërshnjaku, tha se ishte i lumtur nga manifestimi dhe që sakrificat tona u vlerësuan nga qindra pjesëmarrës, nga elitat kulturore në Prishtinë dhe nga e gjithë Kosova. Për mua ka qenë nder që kam drejtuar gazetën Nacional për Kosovën dhe kam bashkëpunuar me një botues dinjitoz dhe patriot si Mujo Bucpapaj, gazetar, poet dhe studiues i nivelit ndërkombëtar. Aktualsiht poeti me suksesin më të madh shqiptar në Europë dhe në botë, me botime në 36 gjuhë të huaja dhe vlerësime ndërkombëtare.
Drejtuesit e Institutit të Studimeve Albanologjike të pranishëm në këtë manifestim, takuan me fjalë të përzemërta botuesin e gazetës Nacional, duke i shprehur solidraritetin dhe mirënjohjen për kontributin e dhënë për gjuhën dhe letërsinë.
Takimi u mbyll në një atmosferë të përzemërt dhe vëllazërore.
Manifetsimin e përcollën disa nga televizionet kryesore të Kosovës si: RTK, A2 CNN Kosova, etj, si dhe portalet më të njohura në: Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi si dhe mediat e Tiranës: A2 CNN, RTV Nacional etj…
Përgatiti: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese