Lutje dhe lot nëne…!Eduart Veli


Një plakë të moshuar,të verbër pashë një ditë.

Aty tek pragu i derës,me zë të ulët mërmëriste.

Lotët si bulëza vese i rridhnin të gjorës nga sytë.

Me duart e mplakura,drejt qiellit,zotit i thërriste!

Kam kaq kohë që të lutem o Zot,ti pse s’më flet?

Birit tim të vetëm nga nëna e mjerë,çoi një fjalë…

Iku biri i nënës,në një ditë me shi për në kurbet…

Trokit në çdo portë,e të ma gjesh,të mirin djalë..!

Thuaji..,veç kockat dhe emri nënë më ka mbetë.

Për sytë,zërin tënd,më dogji malli si një vullkan.

Natën bisedoj me Hënën,ditën me diellin e retë..

Fryma jote biri im.., mua nënën në jetë më mban!

Zoti im,mos i thuaj,kur është në gjumë të thellë..

Sa të zbardhë dita,lëre të flejë edhe pak birin tim..

Thuaj lehtë,tek veshi..,haber nga nëna kam sjellë.

Të isha me ty doja..o Zot,ta shihja vetë atë gëzim!

Mos i thuaj ,që yt atë në tjetrën jetë ka shkuar !

Biri im,nuk mund të durojë,o Zot të atillë gjëmë.

Dua tim bir ta shoh përherë të qeshur..,të gëzuar.

Le të vuaj dhe të qaj unë e mjera,se unë jam nënë!

Mbase s’ka ngrënë,çoji këtë supë nga korba nënë..

Aman,Zot,shikoje vetë kur ta hajë,a është i uritur..?

Që ditën që iku,një pjatë për të në sofër kam vënë.

Nëpër vite, sofatin e portës me lot e kam vaditur..!

Biri im,kujtohu,nëna jote e gjorë,çdo ditë të pret.

Për ty o biri im, më harruan edhe gurët e varrit!

Malli për ty është bërë lumë,as dheu i zi se tret.

Për ty o biri im,i ka marrë malli,dhe urat e zjarrit!

Mund të jetë një imazh i 1 person, duhanpirja, këpucë me vrima me majë të plotë, kostum, puro, cigare dhe xhaketë për darkë