Nëse do më doje… yll i rënë nga qielli-Leonard Pipa


Nëse do më doje… yll i rënë nga qielli,

Ti që më verbon kur ndriçon si dielli,

Shpirtin m’a këput si lule në arë,

Ti që më shastis me vështrim të parë.

Ti që po të duash më luan si lodër,

Zemrën ma bën mal,shpresën ma bën kodër,

Ti që mua trimin më bën si kotele,

Mjafton të pimë kafe Vlorës një të diele.

Ti që Perëndia të ka mrekulluar,

Zogjtë me sqep argjendi të kanë vizatuar,

Ti që përvëlon brënda edhe jashtë,

Mua ma vë zjarrin sikur të jem kashtë.

Nëse do të dish…si mjalti në hojë,

Kur më kalon pranë ndroj nja dy tre bojë,

Për inat të hënës në m’a bëfsh me sy,

Unë nga hutimi do t’i shkel të dy.

Mos më dërgo puthje si lule në varg,

Se i bie botës dy herë rreth e qark,

Në më do vërtetë eja jepmë shpëtim,

Puthjesh të harrohemi deri në agim.