Rrofsh, Durrës!-Vaso Papaj


I pashë turistët.

Zbritën tek porta e kalasë,

mes vapës në shkallinat e amfiteatrit antik,

atje ku luftohej dikur.

Në vëndin nga vinin ata,

atëherë nuk kish asnjë burrë.

S’ e di nëse duhet të kem turp apo të krenohem,

por gjithsesi,

me korin e durresakëve të mi do të bashkohem

dhe do të thërras: Rrofsh Durrës!

Do të vazhdoj të shijoj peshkun tek Liali në Currila,

Të pi raki me qofte, ndanë Portit, te klubi i Kabilit,

Kafenë me shokët e fëmijërisë tek Kajzeri nga Vila,

Tek Dyqani i Luleve të dëgjojë barcaletat e Fadilit

E të jetojë akoma kohën mes urrejtjes dhe idilit,

Duke thirrur: Rrofsh, Durrës!

Torra veneciane

sonte tregon histori me të njejtën hënë.

Histori e largët me polake…

Këtu e takova atë turisten flokëverdhë lozonjare,

pikërisht,

dhe këtu këmbyem atë, puthjen e gjatë shqiptare.

E ndërsa më thoshte me zë të ulët:

“Pushimet mbaruan, po kthehem”,

Shallin e najlonit më la në dorë…

Sa trishtim të mbetesh me një shall në vetmi!

Një shall, përkthyer në njëzet vjet qeli.

E prapë të vazhdosh të thërrasësh: Rrofsh, Durrës!

Dua të kthehem përsëri tek Sefer Efendiu,

Të shoh shtëpitë si kuti shkrepsesh,

Që humbin nën hijen e shumëkatsheve.

Të kujtojë oborret, portat e hapura,

muret me gastare

Dacët pehlivan mbi ta, që jepnin shfaqje pa pare.

Lulet e shegës, jaseminët, karafilat ngjyrë gjaku

“Mirmëngjeset” dhe “Si u gdhitë” të lira fare

Në fund nënën me fshesë tek pragu…

Dhe prapë të thërras si durrësaku: Rrofsh, Durrës!

Dhe do të shkojë, do Zoti, një ditë atje,

Të shpie në Poloni perëndimet e tua tërë zjarr.

Aromën e molusqeve të Kallmit

Edhe atë do ta shpie në Varshavë.

Me vete tërë betimet e rinisë do të marr.

Dhe lakuriqësinë e saj,

që akoma më rrëshket nëpër damarë.

Bashkë me shallin, natyrisht,

Bashkë me njëzet vjet qeli.

Dhe do të uroj nga larg përsëri: Rrofsh, Durrës!

E ndërsa grupi i turistëve largohet,

Dy gjimnazistë në galeri, te kisha e Shën Stefanit,

Këmbejnë ndoshta puthjen e parë…

Ç’ puthje e gjatë!?… Janë shqiptarë…

Sa shpresoj që historia të mos përsëritet!

Por as mos u harroftë,

Tragjedi apo komedi qoftë

Dhe vazhdoj të përsëris me zemër: Rrofsh, Durrës!

*Ia kushtoj maturanteve të shkollës Gjergj Kastrioti

në zemër të qytetit. Kanë nevojë të njohin histori

të tilla e prapë ta duan qytetin e tyre.