Ti poezi-Rubjana Nika


Ti poezi

si orë,si zanë,

në pyllin me vargje më fton,

josh ,me ty

shpejt të miqësohem,

drejt botës magjike më drejton.

Ti poezi,

e lashtë sa bota,

ngjizur në pyje legjendare,

epike,lirike

bukur kënduar,

nga Eoda lajkatare.

Mnemosina

në Olimp të brumosi,

Kaliopën,Euterpën,Eratën,

me vargje i pajisi,

Apolloni rrugën udhëhoqi,

uji i burimit të Kastolisë,

me bukuri i stolisi.

Ti poezi,

dalë nga vetëdija hyjnore,

rrjedh si uji i burimit,

ndjenjat i shpreh prore.

Ti poezi,

gjumin me ëndrra

ma nanurit,

me burimin tënd magjik,

shpirtin ma flladit.