Troje Shqiptare-Manushaqe Hoxha Laçi


O troje shqiptare,

lule shekullore

çelur mes ferrave të pabesisë!

Sa shumë u dhemb

copëtimi i Shqipërisë!

Ndarja jote Kosovë

na ther në shpirt,

o lule e bukur maji

që don të shohësh dritë!

E vuajtura Luginë!

Për ty qajnë Bujanoci,

Presheva e Medvegjeja,

mbete mes mjergullës

e diellin ta mbulon reja!

Çamëri, moj bijë

nga gjiri mëmë të ndanë,

në ngricë e acar të lanë,

por rrënjët dot s’ti thanë!

Ti Martinaj

në komunën e Gucisë,

rrit djem e vajza të edukuara

me ndjenjën e atdhedashurisë!

O viset e mia!

Ju degët e një trungu

me ëndrra në zemër,

të nënës Shqipëri

doni t’bukurin emër!

O toka ime amtare

je pikë strategjike,

gjithkush të lakmon,

por t’gjunjëzohesh s’pranon!

Duan të t’shfrytëzojnë

e t’shkelin me këmbë,

por shkëmb graniti je

o zonjë e rëndë!

Je lis i fuqishëm

që kurrë nuk rrëzohet!

Ke popullin trim

që për liri flijohet!

Ke besë e nder,

me gjak shqiptari,

s’pranon pranga

t’asnjë barbari!

Ke bij të lindur

në mëmëdheun e tyre,

duan hënën, diellin,

qiellin e kaltër,

natën me yje!

Populli im krenar

zhytur rrënjët thellë në tokë,

ushqyer me gjak e lot,

askush s’ti shkuli dot!

O kombi im i lashtë,

me plagë e dhimbje gjer n’asht,

kompozues i refrenit të pavarësisë,

udhërrëfyes për shqiponjën e lirisë!