Unë nuk jam unë …(Poezi dhe jo-poezi)
O NJERI QË SHKON NË RRUGË
Dil nga lëkura jote, ëndërro
Mos rri vetëm me diellin në park
Bari ka zënë të harliset përqark.
Larg, shumë larg, dikush rri në pritje
Një barkë ende është gati për nisje
Limani i pafundëm shtrihet para teje
Dhe Zoti rri lart krejt i lakuriqtë
Ëndërro, o njeri, në gjurmë të dashurisë.
KUSH VDES, RIBËHET
Kush vdes, ribëhet
Në formën e tij fillestare,
Pa gungën e fajit
që i rëndon mbi shpinë.
Mbyll sytë dhe njëherësh
Shlyhet me brengat e tij
Dhe botën ku mori frymë
E nxit në marrëzitë e saj…
BOTË
Kjo është një botë
e ndarë mëdysh
nga xhelozia.
Njëra gjysmë
jeton për gjysmën tjetër
dhe, natyrisht, të dyja
i vënë emrin jetës,
që parapëlqen të vdesë
për të mbjellë pikëllimin
e preferuar nga të gjallët
dhe optimizmin-
hobin e të vdekurve
ETJA
Unë dhe etja ime
s’merremi vesh
asnjëherë
Ajo kërkon ujë
kur unë sapo kam pirë.
Ajo nuk don të pijë
kur unë jam i etur…
Kështu dashurohemi
me shkatërrimin tonë.
SHPIRT I TERRATISUR
Një shpirt i terratisur,
qesh
(e gudulisin djajtë)
Lereni të vdesë,
Nëse ka harruar të qajë…
NJË QIPARIZ
Në brengën time
mbiu një qipariz
me fytyrë nga qielli
me degë kah era;
i shpupurisur nga dielli.
Një qipariz, si metaforë
e dhimbjes
që iku
për të më lënë
krejt të vetmuar
në mjerimin gri.
E DASHUR
Merre në pëllëmbë
e dashur
kokën time
të zgjosh gjumin që fle.
Dhe luaj me të
kur orët e brengës
ndrydhen me hare
Kur unë nuk jam unë
Dhe ne nuk jemi ne…
ME HIJEN TIME
Me hijen time u njoha,
Nuk di nga ç’botë vija
Në qiell digjeshin yjet
E vdisnin nga dashuria.
Dhe humbëm të dy nëpër mjegull
Të dehur si nga magjia
Dhe hëna na varej mbi vetull
Dhe digjeshin buzët e mia…
MË RRËFE
Më rrëfe dhimbjet e tua
Thjesht, duke më besuar
Pa rendur për tek mbyllja
Që, natyrisht, është e gëzuar.
Më rrëfe dashuritë e tua
Thjesht, duke më dashuruar
Pa rendur për tek mbyllja
Që është përherë e trishtuar.
Më rrëfe jetën tënde
Thjesht, pa fantazuar
Pa rendur për tek mbyllja
Që është, për dreq, e sajuar.
FLI DHE ZGJOHU
Fli me mua
Në orën e mëkatit
Kur sytë m’i ka humbur gjumi
Zgjohu me mua
Në orën e brengës
Kur ëndërrat m’i ka terror dyshimi
Zgjohu, nëse fle
Në orën e mashtrimit!