Dhe ti pret diçka tjetër
kujtimit që rënkon, pasthirmë e ndjerë mes brinjësh
ecjes së gjatë, në pendulin e kohës që dridhet
në dekorin e dritave bluhe në dritare
duke fashuar plagët që zemra i la hapur
hematoma, ënjtur në mish.
Dhe ti pret diçka tjetër
diçka të ndritshme, të neontë
të ndriçojë enigmat e një dashurie që la pas hirin
kur gjithçka është asgjë, një hiq
jetës nihiliste, pjellë e një fantazme.
Ti pret, e djegur
zhurit që la koha piromane
duke marrë doraz copra trofesh të thyera
duke bashkuar grimat e mbetura hapërdarë
ditëve
që kalëruan pa kapistër.
Ti pret, ti pret…
diçka tjetër që do të vijë
nga grafomania e reve të tjerrura
në dizajnin e lindjes së diellit
zogun lajmëtar të ëndrrës që diku jeton…