Ah, kjo natë e parë-Petro Sota


Petro Sota

——————————–

Më habite mbrëmë,

Kur hoqe fustanin,

Shihja trupin tënd,

Por, edhe gjerdanin…

Por, gjerdani i jot,

Kish dyzetë karat,

S’po ta shihja dot,

Syrin këtë natë…

Syri hapur mbrëmë,

Po priste diçka,

Mbi fustanin tënd,

Një pikë lot të ra…

Lot të ra një pikë,

Si ëndërr e pritur,

Fshehur, nën qerpik,

Në faqe kish zbritur…

Në faqe kish zbritur,

Dhe të tjera ranë,

Si flutura, të ngjitur,

Perlat në fustan…

Në fustanin tënd,

Zbukuruar me ar,

Se për ty mbrëmë,

Ishte nata e parë…

Por, kjo natë e parë,

Si ëndërr, si muzë,

Buza ishte tharë,

Për puthjen në buzë,

Puthja, buzën sonte,

Flakë, e kishte nxehur,

Një gotë verë e donte,

Se m’ngjaje e zbehur…

Pak e zbehur ishje,

Por, aspak nga pija,

Kur fustanin zhvishje,

Me verboj magjia…

Po rrija mahnitur,

Shihja trupin tënd,

Hëna kishte zbritur,

Dhe mbeti pa mënd…

Pa mënd ajo mbeti,

Kur të pa si flutur,

S’kishte vajzë as mbreti,

Kështu më të bukur…

Të shihja me çudi,

Si të plotën hënë,

Ndoshta qe magji,

Që më bëre mbrëmë,

Se asgjë nuk pashë,

Tjetër, unë veç teje,

Nga qielli, sikur rashë,

Mbi shtëllungë reje…

Mbi shtëllungë rënë,

Gjithë qiellin shikoja,

Kur prekja trupin tënd,

Seç më thahej goja…

Goja tharë si eshkë,

Nuk më kishte ngjarë,

Për dy kokrra pjeshkë,

Ah, kjo natë e parë.