Angela Kosta – Maria Rosa Oneto poetja italiane përtej pafundësisë.


Angela Kosta –

Maria Rosa Oneto poetja italiane përtej pafundësisë.

“Nuk jam ndjerë kurrë poete, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shkrimi është një rrugëdalje e mendimit, një mjet komunikimi, një derë e hapur për emocionet e botës. Kërkoj dashurinë e jetës sime të burgosur në faqet e zbrazëta të librit.”
Maria Rosa Oneto ka lindur në Rapallo (Xhenova – Itali) dhe vdiq më 28 maj 2023. Me aftësi të kufizuara që në lindje, ajo iu përkushtua shkrimit dhe aq më tepër poezisë që në moshë shumë të vogël. Gazetare e pavarur, Maria Rosa ka bashkëpunuar online me Agjencinë për “Invalidët”, të quajtur “HPress” me qendër në Monza. Maria Rosa Oneto ka botuar disa antologji personale poetike, duke përfshirë “Sintoni kaltërsish” dhe “Në hapat e vallëzimit”. Ajo është vlerësuar me çmime të shumta, në konkurse të ndryshme letrare. Për shkak të gjendjes fizike dhe jo vetëm kësaj, ajo gjeti shumë pak “hapësirë” në panoramën e gjerë të publiçistikës dhe letërsisë italiane në përgjithësi. Megjithatë, dashuria për “vargjet e shkruar” e mbështetën dhe e përfshinë atë, duke e nxitur të ecte përpara drejt horizonteve më emocionuese sesa asaj ekonomike. Temat e dhimbjes, së “ndryshimit”, të vetmisë janë të ngatërruara dhe të përziera me “vizionin e peizazhit” dhe asnjëherë shterues të vendit të saj: Xhenova. Aty ku deti luan pjesën më të rëndësishme dhe më shprehëse të këtij udhëtimi të mrekullueshëm dhe “të vështirë” të ekzistencës.
Poezitë e saj janë të pranishme në antologji të shumta, duke përfshirë: “Të ndihmosh fëmijët është mirë për ne” (2007), “Me ngjyrat e dashurisë do të shkruaj”, “Frederiku” (2014), “Lule Dimri” (2015), “Në pranverë do të të tregoj një përrallë” (2015), “Sytë e rinj në Mugello” (2015), “Njëzet e njëshi në pranverë – dhuratë për Oriana Fallaci” (2015) , “Si fluturat do të bëhemi pafundësi ” (2015), “Poetë bashkëkohorë” (2015), “Për të mos harruar” (2015), “Anija Kusare” (2015), “Yje pafund – 1” (2014), “Shtatë ditë në poezi – Ti!” (2014), “Mosaik – 1” (2015), “Pasion” (2014), “Yje pafund –  2” (2015), “Mosaik – 2” (2015), “Mosaik – 3” (2015), “Ngjyra shpirti” 2015 – 2016). Në vitin 2015 botoi antologjitë personale “Guri dhe trëndafili i prerë”, “Këndojnë bilbilat” si edhe librin “Akoma do jetoj.” Në të njëjtin vit ajo ishte fituese e Konkursit Letrar “Vizione” të Revistës Oubliette dhe e konkursit të kombinuar me Antologjinë e Poezive “Opera Uno” n. 16. Maria Rosa Oneto përfaqëson rrethin e Ligurias si delegate e Bashkimit Botëror të Poetëve dhe është poetja më e vlerësuar në Konkurset e poezive të pabotuara. Jeta e saj gjymtohet nga një brishtësi e përjetshme e shkaktuar nga një sëmundje invaliditeti, por, në të njëjtën kohë, ndoshta falë kësaj paaftësie fizike, Maria Rosa ia arriti të zhvillojë një ndjeshmëri dhe mençuri përtej realitetit, duke shprehur me shumë talent dëshirat e saj të mohuara, ëndrrat e pa realizuara  mendimet dhe reflektimet përmes vargjeve gjithnjë e më prekëse dhe të thella si vetë thellësitë e detit. Në çdo lirikë, në çdo fjali të shkurtër e shkruar në prozë, perceptohet në mënyrë perfekte dashuria e madhe e autores për jetën. Dashuri kjo mëse e vështirë dhe e munduar, shpesh e mohuar dhe e vështirë si ekzistenca e saj e “skalitur” nga dhimbja dhe vuajtja, por gjithashtu një dashuri universale dhe fituese, sepse Nirvanën, Maria Rosa e gjen pikërisht nëpërmjet vargjeve që shkruan shpirti i saj.
VEZULLIMET E QIELLIT

Nën një ujëvarë
lulesh jasemini të bardha
në mesditë
që ka shije frutash të sheqerosura
braktis ëmbëlsinë e zemrës
transformoj fjalët në tinguj
kundrejt fatit
i mbetur pezull në një rreze dielli,
teksa mendoj
sa e vështirë qenka
të dashurosh.
Dhe më nuk shoh një vezullim qielli
për ta rigjeneruar këtë jetë.

TINGULLI I NATËS

Shpresat
si lule letre.
Origami
kadife qelibari.
Buzët e plagosura
nga shpërthimet e erës.
Nuk dëgjoj më
lehjen që kafshon
pulsimin e natës
në veshët e lodhur.

SË SHPEJTI DO TË AGOJË

Nuk u ndamë kurrë
kur era vinte nga shkëmbinjtë,
dridhte çatitë prej kallaji,
tufat e drurit të mbështetura pas murit,
kotece pulash me fat
ku gjeli këndonte çdo mëngjes.
Nuk u ndamë kurrë
kur era e ftohtë
hynte midis rrobave të varura për t’u tharë
dhe xhinseve të njollosura
prej ngjitëses së hekurit,
të arnuara me pëlhura ngjyrash.
Nuk u ndamë kurrë
në vitet që kaluan si vaji
në kohë mjerimi me fokaçe të pjekura,
supë me qiqra
kopshti i perimeve për ta punuar.
Nuk u ndamë kurrë
pa folur për dashurinë,
teksa ecnim të përqafuar,
në rrugët e fshatit.
Ne ecnim sy habitur
të lumtur, pa asgjë,
të shqetësuar nga breshëri i papritur,
me rizgjimin e shqisave në pranverë.
Era e fushave u ndal në buzët tona
të etura për puthje,
në trupat tanë dridhshëm dhe të djersitur,
në mendimet tona
me ëndrrime të pangopura.
Nuk u ndamë kurrë
në karuselin e zhurmshëm
të kafshëve dhe fëmijëve të rritur.
Tashmë
me flokë të thinjura
dhe fytyrat e zbehta
të atyre që kanë tejkaluar jetën.
Nuk u larguam kurrë
as kur vdekja na ndau.
Duke qëndruar e vetme
teksa vëzhgoja horizontin…
Vështrim i mbuluar
nga perëndimet e palulëzuara.
Zëri yt
i stamposur në zemrën time që më thoshte:
“Zgjohu, dashuria ime,
së shpejti do të agojë!”
Përktheu dhe pregatiti Angela Kosta.
28 Qershor 2023