Angela Kosta shqipëron vargjet e autores italiane Francesca Patitucci


ANGELA KOSTA SHQIPËRON VARGJET E AUTORES ITALIANE FRANCESCA PATITUCCI 

Francesca Patitucci ka disa vite që shkruan, sidomos në zhanrin e poezisë. Pedagoge e gjuhëve dhe kulturave të huaja, recituese e pjesëve muzikore, ka botuar dy përmbledhje me poezi dhe tregime të shkurtra, një të tretë në botim e sipër dhe një vëllim të katërt në bashkëpunim me një autor tjetër mbi negativitetet sociale të shprehura nëpërmjet trillimit dhe poezisë. Ajo është recensuese veprash; redaktore e përmbledhjeve poetike si dhe Presidente dhe Juriste në Konkurset Letrare – Artistike. Francesca ka marrë shumë çmime të rëndësishme në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe në anglisht.

Këtë vit, fitoi Çmimin e Kulturës “Festivali Urban 2024”. Francesca është e pranishme në antologji të ndryshme poetike, revista periodike dhe gazeta; është anëtare e disa Shoqatave Kulturore si dhe Presidente e Shoqatës Letrare Kulturore dhe Artistike “Incontri diVersi”; themeluese dhe Presidente e Konkursit Ndërkombëtar Letrar Artistik tashmë në Edicionin II, në vendlindjen e saj, në Kalabri; bashkëpunon me artistët ku promovon kombinimin e pikturës dhe poezisë; shkruan për revistën dymujorshe “Agire Sociale”; shkruan artikuj në revistën mujore online #Noiqui; është administrator e një grupi letrar online, menaxhon laboratore poetike dhe letrare, tek të cilat trajton tema me interesa sociale.

“Nuda l’anima in risacca” është publikimi i saj i parë, botuar nga “Dragonfly Edizioni”, një vëllim poetik në të cilin vargjet shprehin emocionin e saj më intim dhe ndjenjën e përkatësisë në tokën e saj të vendlindjes

“Dimensionet paralele”, botuar nga Noiqui, është botimi i saj i dytë, një përmbledhje e cila shkon thellësisht brenda “ndjenjës njerëzore”, duke prekur tema delikate të jetës së përditshme dhe duke eksploruar gjendjen shpirtërore të mbyllur në guaskën e konformizmit. 

Përmbledhja e saj e tretë me poezi, është në botim e sipër, “Libere sinestesie”, me të cilën është vlerësuar përveç Diplomës së Meritës, në Konkursin Kombëtar Letrar “Luigi Maria Lombardi Satriani” në qytetin Briatico. Aktualisht, Francesca jeton dhe punon në Salerno.

NDAJ VRULLIT TË DORËZUAR

Sot me dëshirën për të shtrënguar 

mes duarve dashuri të ikura

dëshiroj të kafshoj frymën

e cila eksploronte kthina të heshtura.

Kam dëshirë për jetën që plasaritet

mes gishtave… në këtë hap të lodhur.

Profum dashurie më pushton

nën dridhjen që flladi shkund 

në degëzat e zverdhura.

Dhe fryma e shënuar në qiell

veshur me blu

shpirtin tim shfleton

si krizalid flutur bëhet 

dhe gërmon, gërmon… deri në dorëzimin 

më të fshehur tek mua

të diellit të vakët të kësaj kohe.

Dhe gjej shkëmb e ëndrra ende të virgjëra

me lot të tharë

për t’u futur si kristale

në rrudhat më të vrerosura

për t’i dhënë zë vetes, atij që është prej

mjalti, i cili përkundet përtej gardheve

në çimentot e përkulura.

Kjo frymë ende parfumon erë toke

e cila dëshiron shumë dhe

me gjymtyrët e gjunjëzuar nuk dorëzohet.

Kam shumë rrugë për të bërë, xhevahire mbjell

derisa sërish të lulëzojnë tulipanët e mi 

në pranverën që rreh

në kraharorin tim dhe unë… rikthehem në vetvete…

në vrullin e dorëzuar.

AJËR VJESHTË

Era ka nisur sërish 

të ushtojë, ndërsa fluturimi

i zogjve të humbur paralajmëron

emigrimin e afërt.

Gjethet e ullinjve të rënduar

bien në tokën e lagësht

presin tejkalimin.

Vera e harlisur ka humbur

hapin

dhe unë endem nën refleksin

e gjetheve të këtij ajri 

melankolik vjeshte.

Është një fund bindës

prej dantelle dhe tyli

që vesh trupin tim

të transformuar.

Simfoni të largëta që shfaqen

përballë një hëne të pacipë

për të përshëndetur psherëtima intime, 

vetëm të miat.

E në këtë papirus

të mirë

shtyp harmoni qelibari 

të përkëdhelura, larg rrëmujërave

që çajnë të padepërtueshmen…

të paparashikuarën rrjet merimange

që shqyhet nga dollia

e një mushti në fermentim…

… Verë do të jetë

e kohëve të tjera të shkuara 

në rrugën e mëndafshit dhe të brymës.

Në shplodhje i vë mendimet e mia

dhe hëna tërhiqet 

pas malit.

Pres frutat, të arrave dhe manave

e diellin tim të zbehtë mbush.

DHE UNË RILIND

Mishrat dhe zemra e copëtuar

nga fuqia e kalbur

nuk do ta shtypin forcën

jetësore që më sulmon

sa herë që urrejtja

më përplas…

Do të jem manushaqe në lulëzim

e ditëve të mëkatit

për të lulëzuar sërish në shkurre

në kaoset më të egra dhe barbare.

E një mijë herë do të rrëzohem

E një mijë herë do të ringrihem…

Për mua dhe në emër

të dashurisë në kurth

në arteriet e etura

të nimfës së re

tani pa fjalë e vajtim

por që pulson më shumë se kurrë

në valët derdhëse të

shpresës së gëzueshme…

Pa pushim.

teksa unë rilind…