Armata e dijes-Seti Pezaku Vladi


Seti Pezaku Vladi

Në terre lëngatash të gjata,

martirët zgalemë të diturisë

ngjeshën kollanin me shkronja alfabeti,

sollën ujëvarën e bardhësisë.

U ngrit tufa e pëllumbave të bardhë,

poleni u shpërnda lulnajave blerim,

këndoi gjuha shqipe me ngjyrat e ylberit

në psherëtimën e thinjur të tokës vajtim.

Armatë e dijes pa dafina kurorë,

argjendoni të heshtur si rrezet mbi brigje,

u bëtë vlagë e ngrohtë e rrënjës në shpërthim

nga jeshilojnë fusha, male, shtigje.

Avuj trëndafilash fytyrat ju ndizen

nëpër acare dimrash stuhi,

me zjarrin e shkronjave Promete udhëtoni

abetaren pergamen agimesh në gji.

Presin sytë e etur trokun e dritës

ashtu si toka shiun pas një zhegu tharë,

gurgullojnë krojet në dejet e tyre,

historinë u mësoni shkruar me zjarr.

Jeni katarakt i bardhë dashurie paskaj,

bilbila ligjëronjës të ëndrrës së blertë,

në të njomtën kujtesë rrënjët lëshoni,

mbeteni suvenire të kombit për jetë.