Ata që humbëm-Bledi Ylli


Bledi Ylli

Luftën me shpirtin nuk e ndal dot

Prej kohësh tinëz, ajo ka nisur.

Nuk mund të them si ndjehem sot

Si një qytet krejt i braktisur!

Si një kështjellë pas një rrënimi

Që hirin gri e ka si ngjyrë

Të hedhësh sytë nga perëndimi

Edhe të shohësh një fytyrë!

Nuk mund të jesh gjithmonë i fortë

Dhe pse kështu të gjithë më njohin

Ata nuk dinë si ndjehem sot

Është tjetër gjë ajo që shohin …

Ata nuk shohin brenda meje

Si shpirti i djegur ndahet më dysh.

A duket gjaku nëpër deje?

Kush mund të shohë thellë brenda sysh?!

Njeriu që syve të mi u fliste

Që u përcillte veç lotë gëzimi.

Tani është brenda një kornize

Andej larg nga perëndimi.

————————————————

Bledi Ylli poezi by B.Ylli Ora e leximit

#yllidheunë