Deveja dhe tre shokët e pabesë-Agim Xh. Dëshnica


         DEVEJA DHE TRE SHOKËT E PABESË 

-Përkthim nga „turqishtja“ e Kazakistanit nga Agim Xh. Dëshnica-

Dhelpra po vraponte nëpër stepë. Papritur i doli përpara deveja. Ajo u ndal dhe e pyeti:

  • Deve, moj deve, nga vete kështu?
  • Po kërkoj vende të begatshme, ku të ketë plot për të ngrënë e për të pirë! – iu përgjigj deveja.
  • Kur qenka kështu, merrmë dhe mua me vete!
  • Meqë dashke, eja!
    Nisën të ecnin të dyja tok. Në rrugë takuan ujkun.
  • Për ku veni kështu? – i pyeti ujku.
  • Po kërkojmë vende të mira për të jetuar.
  • Merrmëni dhe mua!
  • Meqë dashke, eja!
    Ecën më tej të tre bashkë. Në udhë takuan luanin.
  • Ej, miq, nga kështu? – i pyeti luani.
  • Po kërkojmë vende pjellore me shumë ushqim.
  • A nuk më merrni dhe mua?
  • Pse jo, hajde!
    Bën tutje të katër.
    Ec e ec, mbërritën te një grykë e gjelbër mali. Atje kishte gjithçka: bar të dendur, që mezi kalohej, gjë të gjallë pa numër dhe ujëra burimesh.
  • Qenka vend i mrekullueshëm! – thanë kafshët me një gojë dhe vendosën të qëndronin.
    Luani, ujku e dhelpra nisën të gjuanin shpendë. Deveja kulloste bar. Ditët kalonin dhe ata jetonin në miqësi. Nuk grindeshin dhe nuk e shanin njëri – tjetrin.
    Erdhi dimri. Shpendët shtegtuan për në vendet e ngrohta, kafshët e vogla u strukën në strofkat e tyre. Tashti luani, ujku dhe dhelpra e kishin tepër të vështirë të gjenin ushqim. Vetëm devesë nuk i mungonte bari. Ajo e gjente atë me lehtësi poshtë dëborës, e hante dhe shëndoshej.
    Atëherë luani, ujku e dhelpra u mblodhën më vete dhe vranë mendjen si ta përballonin atë dimër të ashpër.
    Fytyra e luanit ishte e ngrysur. Ai, si heshti për pak, tha:
  • Kështu s’durohet! Njëri nga ne duhet të bëhet fli për shokët!
    Dy kafshët e tjera në fillim e miratuan mendimin e tij, por pasi u menduan një copë herë, u trembën. Asnjë nuk donte të vdiste.
    Por, papritur dhelprës seç i ra ndër mend. Me një zë lajkatar iu kthye luanit:
  • Dëgjomë, o i dashur, – i foli e buzëqeshur, – ti ke plotësisht të drejtë, por lejomë t’i them dhe unë dy fjalë! Kush është më i bëshëm në mes tonë? Deveja! Kush ka më shumë mish? Deveja! Pra, ajo duhet të flijohet për ne!
    Ata të dy, si luani, ashtu edhe ujku, e pëlqyen atë mendim, ndaj vendosën ta vrisnin devenë dhe të ushqeheshin me mishin e saj.
    E dëgjoi këtë prapësi deveja dhe nisi të qante.
  • Miqtë e mi, ju e dini mirë, se unë kam qenë përherë shoqe besnike e juaja! – u tha ajo atyre të treve. – Kini mëshirë për mua! Mos më vrisni! Unë do t’jua shpërblej!
    Luanit dhe ujkut i erdhi keq për devenë dhe nuk e trazuan. U qetësua deveja dhe shkoi të gërmonte dëborën, të kulloste dhe të shëndoshej më tepër.
    Por kafshët e tjera, si më parë, vazhdonte t’i grinte uria. Ato, çdo ditë e më tepër po dobësoheshin aq shumë, sa nuk po dalloheshin më se cilat qenë.
    Një mëngjes dhelpra iu lut shokëve ta linin të bisedonte një herë vetë më devenë, se mund ta bindte të flijohej për ta.
    Kafshët pranuan.
    Kështu, ajo bëri sikur shkoi tek ajo, u kthye sakaq e gëzuar dhe gënjeu, se gjoja shoqja e tyre, pasi kishin folur të dyja, nuk kishte më kundërshtim. Por, ama, kërkonte që mishin ta ndanin të tre në mënyrë të barabartë. Përndryshe, do të ngjallej dhe do të arratisej. Luani e ujku e besuan dhelprën. E zunë devenë, e therën dhe e rropën. Pastaj, ende pa e ndarë, ujku rrëmbeu mëlçitë dhe i gëlltiti. Luani e pa, u egërsua dhe iu sul ujkut. Ky vrapo e vrapo, që të mos binte në kthetrat e luanit, dhe kësisoj, shumë shpejt u zhdukën të dy pas malit.
    Dhelpra aq deshi. Pa humbur kohë, e copëtoi mishin dhe e fshehu nëpër vrimat e një shkëmbi. Pastaj u kthye tek kishte qenë më parë dhe po rrinte shumë e mërzitur.
    Mbërriti luani dhe pyeti:
  • Ç’u bë mishi!?
    Dhelpra qau me hidhërim dhe iu përgjigj:
  • Ja, ju e keni fajin, se nuk e mbajtët fjalën, ndaj deveja u ngjall dhe u arratis!
    Luanit i erdhi të pëllciste, por s’kishte ç’të bënte. I besoi dhelprës dhe ra e fjeti i uritur.
    Natën u qas ujku fshehuras. Dhelpra i tha edhe atij po ato fjalë. Dhe kur edhe ujku rënkoi e u shtri sa gjatë e gjerë, ajo shkoi te shkëmbi, nxori zorrët e devesë dhe filloi t’i shqyente.
    Por, veshët pipëz të ujkut e kishin ndjerë, kur qe ngritur e ishte larguar. I qe vënë pas ai dhe tani po e shikonte i habitur.
  • Dhelpër, moj, çfarë po bën aty? – e pyeti.
  • Ja, – ia ktheu ajo, – aq shumë po më grin uria, saqë kam nxjerr zorrët e mia dhe po i ha.
    -Po dhimbje nuk ndjen?
    -Në fillim ndjeva ca, vërtet, kurse tani – aspak.
    Ujku iu afrua dhe i tha:
  • Në qoftë se është ashtu, bëmë një të mirë, m’i nxirr zorrët edhe mua!
    Dhelpra atë priste. Ia nguli dhëmbët në bark ujkut dhe u dha një të shkulur zorrëve jashtë. Ai s’duroi dot më, u përplas në tokë dhe mbaroi. Kurse luani, si u zgjua në mëngjes, pa se e kishte dhelprën pranë. Ajo se përse e vështronte në sy me dinakëri dhe shkulej së qeshuri.
  • Ç’ke që qesh si budallaqe!? – e pyeti i vrenjtur e i habitur ai.
  • Luan, o trim, – iu përgjigj ajo, – duke të vështruar, m’u kujtua yt atë. Pah, çfarë kreshniku pat’ qenë! A e shikon atë shkëmbin atje lart?
  • Po, e shikoj!
  • Shpesh i ndjeri babai yt i kacavirej atij deri në majë dhe prej andej hidhej në humnerë! – tregoi e qetë dhelpra. – Eh, nuk pjell më kjo botë guximtar si ai! Po edhe ti nuk them se s’i ke ngjarë për nga fuqia, kurse nga guximi ndryshon shumë. Ja, për shembull, kurrë nuk do të ta mbante të hidheshe në fundin e humnerës!
  • Ashtu thua zotrote, moj zonja dhelpër, se nuk më njeh mirë cili jam! – ia ktheu luani me mburrje dhe sytë i shkëlqyen. Me tre kërcime u ndodh mbi majën e shkëmbit. Vështroi poshtë humnerën dhe mendja i erdhi vërdallë.
    Dhelpra qeshte dhe e nxiste:
  • Eh, or qyq! S’thashë kot unë se nuk ta mban!
  • Të thashë, ti nuk më njeh mirrë! – iu çirr luani, fluturoi pingul mbi gurët maja – maja. Mbeti i shtrirë pa lëvizur nëpër ta. Gjaku i derdhej çurk.
    Dhelpra zbriti me kujdes dhe i vajti pranë.
  • Si e ndjen veten, o luan guximtar? – e pyeti.
  • Keq, shumë keq, po vdes! – mezi sa iu përgjigj ai duke rënkuar.
    Ajo, kur pa se luani s’kishte fuqi të ngrihej, iu hodh sipër dhe ia nguli dhëmbët në trupin e gjakosur.
  • Të lutem, – bëlbëzoi luani, – që të mos ulurij nga dhimbja, më parë më pri gjuhën!
  • Mos u shqetëso, i dashur , çdo gjë me radhë! – ia ktheu dinakja. – Do të filloj nga bishti, kurse atë do ta lë për në fund!
    Mishi i devesë, i ujkut dhe i luanit, i mjaftoi dhelprës për gjthë dimrin. Por, në pranverë barku nisi ta trazonte sërish. Një ditë i tha një shkurteje plakë, që sapo e kishte zënë me shumë përpjekje:
  • Në se më jep zogëzat e tua, unë të liroj.
  • T’i jap, qysh s’t’i jap! – iu përgjigj shkurta duke u dridhur. – Janë fshehur tek ato shkurret atje. Shko u thirr tri herë, duke e bërë zërin si timin: “Ejani te nënokja, se erdhi me thërmokla!” Dhe ato do të vinë tek ti sakaq! Dhelpra e lëshoi shkurtën, u fut fshehurazi e me kujdes në shkurre dhe thirri: “Ejani te nënokja! Ejani te…” Ajo i harroi fjalët që duhej të thoshte më tej. Zogëzat e njohën, u ngritën fluturim sipër saj dhe e gjuajtën me glasa.
    Zonjëza Dhelpër mbeti me dhëmbët çakërritur lart.
    Pas disa kohësh, ajo po shkonte nëpër një zabel. Kur, e pa shkurtën mbi një degë! Mendoi ta kapte prapë, por me dredhira, ndaj i foli me zë të ëmbël:
  • Shkurtë, moj e bukur, a ke dëgjuar vallë se çfarë ka ndodhur?
  • Jo , pse, si është puna?
  • Këtej e tutje kafshët dhe shpendët kanë vendosur të jetojnë në paqë, të mos e fyejnë dhe të mos e dhunojnë njëri – tjetrin. Hajt, pra, e dashur, të pajtohemi edhe ne! Zbrit nga dega dhe m’u afro të të përqafojë si motrën time!
    Shkurta nuk bëri zë, por nisi të shihte sa majtas – djathtas.
  • Pse e lëviz kokën ashtu!? – e pyeti e habitur dhelpra.
  • Se prej këtej lart, po shoh që po vijnë drejt nesh me vrap një tufë langonjsh! S’po marr vesh se çfarë u paska hipur në kokë!
    Dhelprës i kërcëllitën dhëmbët në gojë. Lëshoi një “ah!” dhe krisi e iku e tmerruar.
  • Prit, prit, ku shkon!? Pse ikën ashtu gjithë frikë!? – i thirri shkurta nga prapa. – Ti sapo the, se gjithë kafshët këtej e tutje do të rrojnë në miqësi e paqë!
  • Ashtu, ashtu, po nga ta di në e kanë marrë vesh lajmin edhe ata! – ia ktheu dhelpra dhe u zhduk