Disa dukuri në librin “Pengjet e heshtjes”-Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ditë më parë një telefonatë e bërë nga Hamit Toçi më kërkoi një takim. Ai më njihnte nga larg, por nga afër, unë nuk e kisha njohur dhe parë më parë. Lamë takimin për t’u takuar tek bar kafe “Agolli”, një vend i preferuar për takime dhe për shkëmbim mendime dhe ide. Në kohën e caktuar m’u prezantua dhe u ulëm për një kafe…

Kishte qenë punonjës policie në disa rrethe të vendit dhe në përfundim të karrierës në një komisariat në Tiranë. Më foli shkurt për jetën e tij dhe familje. Në fund më kërkoi që t’i shikoja një libër që do ta publikojë për jetën në radhët e policisë dhe përkushtimin ndaj këtij profesioni të heshtur, por të lavdishëm dhe atdhetar. Librin e kishte të printuar, bile e kishte dhe të faqosur. Ishte hera e parë që ndeshesha me një libër për policinë dhe natyrën e saj…

E shikoja në heshtje këtë burrë që qëndronte përpara meje si një kreshnik malesh të mbirë në sheshin “Skënderbej” dhe më tregonte e tregonte për profesionin, për librin e shkruar, për kohën dhe shërbimet, për përvojën dhe për respektin ndaj detyrës, e të kolegëve ku ka pasur fatin të punojë dhe t’i njohë. Në një farë mënyre, ende pa e prekur librin, para meje u shfaq një profesionist i mirëfilltë i policisë, një specialist me gjykim dhe fjalështruar, një ndër ata, që me përkushtim i kishte çuar punët deri në fund.

Më tregoi se me një angazhim shumë serioz dhe shumë të gjatë në vite, tashmë në vitet e pensionit ka arritur të sjellë përpara publikut disa libra të thjeshtë, si një dëshmi shumë e rëndësishme e punës së kryer, por dhe e ndërgjegjes së treguar një jetë në ndihmë të shoqërisë dhe zhvillimit të policisë. Më tej vazhdoi dhe më tregoi për angazhimin e tij gjatë gjithë viteve të punës, për përkrahjen e organizatave të veteranëve dhe të dëshmorëve, si dy organizata model për ruajtjen e vlerave më të mira të popullit tonë, por në mënyrë të veçantë të vlerave dhe idealeve të padiskutueshme të LANÇ-it.

Vlera e libër, dashuria për jetën…

Nisa leximin e librit “Pengjet e heshtjes” të Hamit Toçit. Libri duket sikur është me tregime, me skica dhe ese, por në realitet është një libër që sjell gjurmë jete dhe përvojë në një detyrë fisnike, si ajo e punonjësit të policisë. Me një kujtesë të admirushme ka sjellë në libër përvojën e gjatë të punës, ku ka shprehur mbresa dhe kujtime të sjella në formë emocioni dhe poetike. Kryefjala e çdo copëze të shkrimeve në libër është shprehur në dashurinë për jetën.

Në të gjitha shkrimet që përmban libri vijnë natyrshëm mbresa, gjurmë jetë, meditime për përkushtimin e punonjësit të policisë, nostalgji për detyrën dhe shokët, kujtesë dhe një dashuri e pafund ndaj detyrës për t’u shkuar problemeve edhe të harruara në dosje deri në fund. Autori duke shetitur në rrugëtimin e tij në policinë e shtetit, ka ditur të na japë ndodhi, personazhe realë dhe të legjendës, mjedise të bukura dhe të zymta, njerëz problematik dhe të sinqertë. Nëpërmjet shkrimeve të shumtë me ide dhe mendime mjaft orgjinale, për të cilat nga një fjalë e thjeshtë, e përsëritur, e shkujdesur kanë çuar punonjësin e policisë në zbardhjen e të vërtetës. Kështu autori, duke qenë dhe vet një personazh, ka bërë që dhe lexuesi të ballafaqohet me të vërtetat e jetës, duke e çuar ndodhinë në hapësira të mëdha, të cilat autori dhe lexuesi ndeshen me hone të thella dhe shtigje të vështira për t’u kapërxuer, për të gjitha histori të ndodhura realisht në mjedisin shqiptar.

Hamit Toçi në këtë libër të shkruar me majën e thikës e ka gdhendur në gurë, tërë përvojën e tij, duke na dhënë një tabllo të jetës dhe të shpirtit të tij, plotë shëndet, plotë mirësi të shprehura me një gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël. Fjalia e tij është e thjeshtë dhe e butë, por që ecën në rrugë dhe shtigje plot me ferra dhe driza, kapërcimi i tyre e ka nxjerrë përpara në një bulevard jetësor të një shoqërie plot vrull dhe energji për të ecur përpara…

Nëpërmjet rrëfimit, investigimit, portretizimit dhe përshkrimit me ngjyra letrare, diku të bukura e diku të shëmtuara, Hamit Toçi na sjell jetën reale, sjell shqetësimet e tij për të arritur në një botë të vlerave. Në shkrime ka plagë, ka denoncim të ndodhive, ka dhimbje, ka thirrje për shoqërinë, të cilat e shqetësojnë autorin, të cilat ai i ka skalitur në detaje dhe i ka paraqitur me një thjeshtësi dhe vërtetësi duke na krijuar një emocion njerëzor.

Autori në libër nëpërmjet krijimeve, ka sjellë rrëfime të shumta të jetës së tij dhe të shoqërisë, për të cilat kërkon një vëmendje edhe më të madhe të qëndrimit ndaj tyre, por edhe të qëndrimit të lexuesit ndaj këtyre fenomeneve negative të shfaqura në mjedisin shoqëror në vitet e fundit. Autori në mjaft prej shkrimeve, me thirrje apo me analiza, futet thellë në dukuritë e ndodhura, kërkon të zbulojë thelbin e çështjeve, kërkon zgjidhje, sjell emocione të një kohe që është në një lëvizje dinamike të një vrulli të paparë, si pasojë edhe të tekonllogjisë.

Në të gjitha shkrimet ka përshkrime të imta, ka tipa dhe karaktere të ndryshme, ka jetë reale, ka detaje, ka kujtime dhe ka një ndjesi në përshkrimin e tyre, duke na dhënë një emocion dhe ndjesi të veçantë. Libri i Hamit Toçit përbën një dukuri të re, sepse ka kapur gjini dhe zhanre të veçanta letrare, duke lënë gjurmë në përcjelljen e realiteteve të historisë sonë.

Legjendë e gjallë

Libri nis me shkrimin ‘Legjendë e gjallë’ dhe i gjithë libri është një legjendë e gjallë. Përshkrimi që i bën autori një personazhi historik si Zenel Isufi, na shfaqet në të gjithë grimcat, tregimet dhe esetë e shkruar në libër. Autori shprehet se legjendat, të lodhura dhe të rraskapitura nga pavdekësia e tyre, bien në gjumë dhe flenë me vite e shekuj, derisa vjen dikush dhe i zgjon, ashtu siç dua unë të zgjoj një legjendë të gjallë, e cila nuk diti të vdesë. Çdo ndodhi dhe rrëfenjë të librit autori e lidh me shenjtorin Zenel Isufi.

Autori që në nisje të shkrimit bën thirrje për emrin e tij, i shkruar nëpër libra për mirësinë dhe veprën që la pas, ndaj kërkoj ta kujtoj, t’iu tregoj për ‘të, që kjo legjendë e gjallë të vazhdojë edhe nëpërmjet nesh, siç jeton nëpërmjet shkrimeve të autorit dhe sot.

Dhe nis tregimin për një burrë malësorë, të besës, trim, dhe që trimërinë nuk e shiti për emër, por nderoi emrin e të parëve dhe u la pasardhësve një emër me të cilin krenohen dhe sot. Me një përshkrim mjeshtëror, autori na jep tiparet e këtij burri fisnik, që kishte fytyrë esmere, zemër bardhë, si plisi që mbante në kokë, ku në fytyrë i lexohej fisnikëria, burrëria. Ndërsa hijeshia e portreti të tij të impononte respekt dhe nderim të madh, me një shtat të hollë, të veshur me tirq e xhamadan që i ngjante një lisi të gjatë. Kishte një gjoks burëror, që kurrë nuk u fry për t’u mburrur. Edhe pranë oxhakut e shikoje këtë burrë legjende kur thithte llullën e tij dhe rrinte i heshtur dhe i menduar, duke parë flakët e zjarrit se si me gjuhën e tyre ia puthnin duart… Me këtë legjendë autori bën krahasimet me dukuritë e ndodhura gjatë gjithë shkrimeve në libër, duke i vendosur të gjitha ngjarjet në një odë të madhe, me pushkët që rrinin varur mbi oxhak… sepse Zenel Isufi i dukej vetja si mbret e kulla kalaja e tij…

Autori i bën një përshkrim fshatit të lindjes dhe kërkon gjurmët e Urxallës. Ai kujton miq e shokë, familjarë, bashkëmoshatarë, intelektualë, biznesmenë e njerëz të thjeshtë, të cilët janë bërë pjesë të udhëtimeve të tij. Të gjithë në jetë kanë ecur me autorin në rrugëtimin e dashurisë dhe të fisnikërisë, gjithmonë të përmalluar, për t’u kthyer në Urxallë, si Odiseu në Itakën mrekullore…

Autori nuk di nga ta nis më parë për të rrëfyer për fshatin e dashur, të flas për krenarinë, për bujarinë, për fisnikërinë, për mënçurinë e fjalëve e moçme të burrave në konakët e tyre, moj Urxullë! Autori shprehet se ndjen dashuri dhe se “për ty diçka ndiej se je si një mrekulli e potencialit tënd mënçuror, Urxalla ime e dashur”!

Urxalla, fshati i lindjes së Hamit Toçit në rrethin e Matit, për dekada e vite nuk ka pasur ngjarje të rënda, për dekada nuk njeh krime. Urxallasit e mi, shprehet autori, gjithmonë kanë rendur pas punës e fjalës, gëzimit e dhimbjes, respektit e bujarisë. Kështu në shekuj e vite kanë ecur në gjurmë të njeri-tjetrit, familje e fise, burra e gra fisnike, duke mësuar nga përvoja e njeri-tjetrit, duke e shtruar udhën e brezave që vijnë me përvojë mençurimi për sot e për nesër…

Biografia policore në vetvete përmbledh përpjekje, sakrifica, histori ku dhe flenë kujtime. Ajo është një pasyrë e shoqërisë, të cilën koha e shqipeve e mat me hapat e saj në rritje.

Të qënit polic është një vullnet i shfaqur në çdo kohë, një mendësi e praktikë veprimi, ku fisnikëria humane vjen e bën fole në zemrën e tyre. Në rrugëtimin e gjatë 111 vjeçar, trupa policore ka shfaqur vlera shpirtërore… dhe në këtë rrugëtim, shprehet autori, kanë mbetur shumë bij nënash, që u bënë yje e që shndërrijnë si flakadanë në qiellin e dashurisë njerëzore, emblemë për strukturat e policisë në luftë me krimin në të gjitha kohët.

Puna e të gjithë policëve veteranë që kanë shërbyer në armatën e madhe të policisë shqiptare është gdhendur dhe të të gdhendet me gërma të arta në shpirtin e shoqërisë dhe të popullit shqiptar. Aty, thekon autori, bëhet një punë titanike, ka një qëndresë të hekurt, ku rrezaton një bukuri e përndritur, nga vjen shkëlqimi i të cilës nuk do të shuhet kurrë, sa të ketë jetë dhe breza luftëtarësh në trojet shqiptare…

Kështu, autori Hamit Toçi, ka rujatur në arkivin e tij të kujtesës, mjaft ndodhi, dukuri, ngjarje të cilat i ka hedhur në formë tregimi, përshkrimi, eseje, por që në realitet ato janë histori dhe shembuj nga të cilat duhet të nxjerrim mësime. Nëpërmjet këtij libri autori jep mesazhin se kombi që e ka policinë model dhe të gatshme për t’u përballur me të keqen, si dhe për të ruajtur paqen e vlerat njerëzore.

Ai ndjehet krenar që ka shërbyer me dinjitet gjatë gjithë jetës së tij në këtë institucion që ka mendim dhe veprim, model sjellje të armatës së madhe të policisë, ku është shpalosur dhe shpaloset dashuri dhe respekt në breza…