Elegji për ty-Suzana Rama


Kisha kohë që më brente mendimi,

të shkruaj për ty, në vargëzimet e mija,

dhe pse kjo ëndër, pas do të më kthente,

një botë me të mira e me të këqija.

Më vjen keq, që ti tashmë, nuk jeton më,

se ike për të mos u kthyer më kurrë,

zëmra s’do të desh, ta pranonte këtë,

se të kisha edhe shok’ edhe burrë.

Ishe pjesë e jetës sime për shumë kohë,

e buzeqeshjes, e lotit, e jetës intime,

ishe meraku,brenga, puthja e ngrohtë,

ngarkesa barrë – mall në jetën time.

Për fillimet tona, do të falenderoj,

se veç ngarkesës dhe e lumtur isha,

në jetën tënde do të isha gruaja,

por ti do të ishe, gjithçka që kisha.

I kisha lënë mënjanë,por nisa të kujtoj,

t’i hedh në vargje e me ato të lotoj,

kujtoj si bashkë në shtratin bashkëshortor,

këndonim këngët tona deri natën vonë.

Në netë të tjera kur gjumi harronte,

pranë nesh të vijë, të ulet mbi qepalla,

barcaleta nisnim, në garë të tregonim,

e qeshnim me lotë sa tundej mëhalla.

Ndonjëherë dilnim përdore nga deti,

errësira na zinte tej Ujit të ftohtë,

në belvedere uleshim, të qetë në kthim,

pinim ndonjë birrë e bënim pushim.

Kujtoj kur mbrëmjeve,rrinim në ballkon,

teksa në bulevard xhirua shtohej,

dhe qeshnim me lotë e papushim,

me ndonje tip që duke ecur pengohej.

Dhe ishim gati të binim nga ballkoni,

kur ndonjë bebush rrëzohej në rrugë,

ishim socialë që të dy në këtë pikë,

loti i voglushit, në zëmër na lëndonte.

Por kishte dhe ditë të zymta, të errëta,

kur loti çapitej mbi faqe, si kristal,

kish ëndra që mbetën në zëmër të mjera,

s’po i vazhdoj më dhe për kaq më fal.

Tre ditë mbajta zi kur lajmin tënd mora,

s’më qeshej, nuk doja të bëja asgjë,

largohesha tinëz, të rrija vetëm doja,

të flisja me ty, heshtur e nën zë… .

Ditën e katërt hapa face book-un

diçka postova, s’mbaj mënd si dhe pse,

PO TA DIJA, DO TE KISHA ARDHUR,

TE HIDHJA TË PAKTËN, NJË GRUSHT DHE.

Ndokush aludoi, ndoshta dhe më shanë,

ndokujt keq i erdhi,se më ngushëlloi,

askënd nuk prita që të më kuptonte,

bëra veç atë që zëmra më diktoi.

Sa keq që nuk je, t’i lexosh këto fjalë,

si dikur tregimet, në bllokun tim jeshil,

u bëfshin për ty, shtresë n’atë varr,

dëshiroj, në paqe, të prehesh i lirë…