Është diku një grua dhe një rrugë-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Është diku një grua dhe një rrugë

Është diku një rrugë dhe një grua

Në lagjen B të qytetit T

metropolin e ri

Rruga ka një shtëpi

Një shtëpi me drita të kuqe

Shtëpia “Hotest girls”

Gruaja ka përpara një tabelë

Një tabelë ndalim shpejtësie

Një tabelë kthesë e rrezikshme

Gruaja vështron drejt rrugës

Tabelat i parakalon

Gruaja e re me mini

Me taka të larta prej ebaniti.

Është diku një grua dhe një rrugë

Është diku një rrugë dhe një grua

Gruaja është e bardhë

Rruga është asfalt i zi

Gruaja nuk është rruga

Rruga nuk është gruaja

Gruaja dhe rruga janë në sinkroní

Nga shtëpia te shtëpia tjetër

Nga e sotmja deri dita nesër.

Është diku një grua dhe një rrugë

Është diku një rrugë dhe një grua

Rruga e josh gruan:

– A do të vish nesër?

Gruaja me qesëndi pranon:

S’kam rrugë tjetër!

Gruaja u mburret të tjerave:

– S’jam nga soji juaj!

Të tjerat me ironi:

– Mos qofshim nga soji yt!

Është diku një grua dhe një rrugë

Është diku një rrugë dhe një grua

Gruaja dhe rruga shkruajnë çdo ditë

Një rrëfenjë të re urbane.