Faleminderit diell-Anileda Xeka


Anileda Xeka

Faleminderit diell

që më dhe sytë

ta shoh tokën

me mirënjohje.

Faleminderit tokë

që më dhe veshët

ta dëgjoj detin

me mallëngjim.

Faleminderit det

që më dhe kokën

ta bëj mal

mendimin tim.

Faleminderit mal

që më dhe krahët

t’më bëjnë shqipe

shtrënguar ta mbaj

Atdheun tim.

Faleminderit shqipe

që më dhe gjuhën;

për diellin të digjem

për tokën të tretem

për detin të heshtem

për malin të krenohem

nën qiellin e të parëve të mi

nga gjeneza në zbulim

ku më shtrihen rrënjët

e shpirtit.