Fjalim për idealin në gostinë e mjerimit Arjan Ramaj



Shkak për këtë shkrim u bë një aforizëm i M.L.King-ut, pastorit protestant, udhëheqësi shpirtëror i lëvizjes afrikano-amerikane për të Drejtat Civile, i njohur edhe si ” çlirimtari me fytyrë të zezë.” Ai shkruan, “nëse një burrë nuk ka zbuluar ende diçka për të cilën mund të vdesë, nuk ka filluar ende të jetojë.” Sikur pjesa më e madhe e frutave kanë nevojë të zhvishen (qërohen) nga lëkura (epikarpi) për të shijuar tulin e tyre aromatik, ashtu edhe ky aforizëm ka nevojë të pastrohet me durimin e një amviseje të mirë nga lëvoret e kontekstit historik, kulturor dhe shoqëror. Mbasi të jetë qëruar kësisoj, mund të shijohet mrekullisht d.m.th. të diskutohet me pasion për rrugëtimin e tij në psikologjinë e shqiptarit të sotëm.
Atëherë, çfarë do të thotë të zbulosh diçka për të cilën mund të vdesësh? Përse qenka kaq e nevojshme ti afrohemi vdekjes që të zbulojmë diçka? Vërtet ka diçka që e meriton këtë sakrificë sipërane? Pyetje të vështira për ne

shqiptarët e sotëm. Koha që jetojmë është një kohë e djallëzuar dhe dinake sepse është përmasa e një realiteti mizor në thjeshtësinë e tij. Çdo njeri i zakonshëm përpiqet të luftojë me mish e me shpirt për bukën e përditshme, të kacaviret mureve të ftohtë e të thiktë të ngrehinës financiare si një hardhucë e shastisur nga vezullimi i diejve të begatisë së premtuar, të zhytet humnerave ekonomike për të gjetur thesaret e fundosur të mbretërive të lashta plutokratike, të rendë me gulçe deri në kufirin e fundit të ëndrrave për të mbërthyer erërat e besimit për një jetë më të mirë. Pra, çdo njeri i zakonshëm është një: ” s’kam kohë të merrem me fjalë, lëri idealizmat dhe shtroju punës, vari teneqet, akoma nuk hoqe dorë ti nga këto profka?” Në turravrapin e tij për të mbërritur i pari në fundin e ferrit, pra, për të siguruar vendin e parë në garën e vështirë të mbijetesës, njeriu i zakonshëm dhe shqiptari i mirë të jeni të bindur se nuk mbetet pas maratonomakut, atij rendësit të famshëm grek, Filippides-it të vitit 490 p.e.s. Sikur heroi i Elladës së vjetër flakte armaturën e rëndë të hoplitit për të qenë më i lehtë në kalvarin atletik të kumtit të fitores mbi persët, ashtu edhe shqiptari i zakonshëm flak tej

moralizmin e elitave intelektuale për thelbin heroik të vdekjes së shtetasit, për të qenë më i lehtë dhe i shpejtë në garën e tij me kohën. Por pikërisht këtu qëndron edhe ndryshimi i madh, ai ndryshim që nënkupton aforizmi. Edhe maratonomaku edhe shqiptari i zakonshëm rendin e cfiliten për të dhënë kumtin e fitores, i pari gati të vdesë për një fjalë-“fitore” dhe i dyti për të thënë, “jetoj,e shtyj si mundem.”
I pari, ka zbuluar diçka të madhe për të cilën mund të vdesë dhe vdes, ndërsa i dyti nuk zbulon asgjë veç zakonit për të fituar mbijetesën. I pari, ka një ideal, një vizion të përsosmërisë morale të përpunuar nga arsyeja historike e qytetërimit të tij, ndërsa i dyti nuk ka as ideal, dhe as vizion sepse ai është thjesht vetëm fuqia e arsyes natyrore të egzistencës (edhe pse rend po aq tërbimthi sa i pari). I pari, me shëmbullin e tij e sfidoi vdekjen jo vetëm duke filluar të jetojë, por duke jetuar përjetësisht, ndërsa i dyti fillon të jetojë thjesht si një gjallesë, pa sfiduar asgjë veç heshtjes së tij.
Duke vazhduar më tej, kuptimi thelbësor i aforizmës është padyshim, rëndësia e idealit në

jetën tonë të përditshme. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se çdo njeri i jep kuptim jetës së tij nëpërmjet besimit në një ideal, në një vizion. Çdo njeri i jep jetë, jetesës së tij mjerane nëpërmjet guximit për të imagjinuar, guximit për të krijuar një imazh të të paarritshmes. Sado e mjeruar dhe e pashpresë të jetë gjëndja shoqërore e një qënieje njerëzore, ajo duhet të kërkojë në shkretëtirën fatit të saj, currilin e pastër të idealit. Jeta shoqërore nuk do të kishte kuptimin që ka realisht, nëse njeriu nuk do të çante tisin e netëve për të kapur yjet edhe pse ai e di shumë mirë se yjet nuk mund të kapen, dhe pikërisht këtu ai ndryshon nga ujku që në çdo yll sheh vetëm një flakë të ftohtë që ndriçon masakrën ku vdesin bagëtitë avulloshe.
Por kjo aforizëm ka edhe një kuptim tjetër. Mungesa e idealit përpos sa thamë më lart, ushtron një ndikim të fortë edhe tek mënyra që njeriu i zakonshëm dhe shqiptari i mirë është i detyruar të përdorë në marrëdhënien e tij (në kufijtë e fatalitetit) me njerëzit e fortë dhe të pushtetshëm të vendit. Po të shfletosh diturinë njerëzore të ngulitur në mijra vëllime të lëndës arkivore dhe kujtesës pamore, mëson se njerëzit

e dijes pothuaj gjithmonë i referohen monumenteve dhe akteve madhështore të njerëzve të fuqishëm të kohrave, gjenive dhe mbrojtësve të pasur të tyre. Shumë pak merren ata me skllevërit dhe brezat e panumërt të punëtorëve me mëditje që i ndërtuan monumentet e lavdisë, ditë pas dite, vit pas viti, shekull pas shekulli, në një lëngatë të tmerrshme shfrytëzimi dhe përbuzjeje ku koha nuk ishte më rrëshqitje rëre ndër gishtërinjtë apo ulluku i klesidrës, por një përbindësh konkret, shëmbulli i parë në historinë e shkruar se si njeriu nën pushtetin e njeriut mund ta frenojë edhe vetë kohën. Studiojmë shkëlqimin e trashëgimisë së qytetërimeve duke kuruar pasurinë e luksit të tyre deri sa mbrrijmë tek fosilet e mjerimit. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot nëse shohim, bie fjala, se si mogul-ët tanë pasqyrojnë personazhet e luksit në televizionet e tyre. Mjafton të ndjekësh emisionet për bëmat dhe pasurinë e oligarkëve, për fitoret dhe festat e shpurës së politikanëve, për reklamat verbuese të të verdhës së floririt dhe fytyrat e profetëve të injorancës që për të vrarë ndershmërinë përdorin Instagramin si shotgun, për spektaklet “kaba-re me gërnetë” me

përmasat e karnavaleve latinë të paguar nga padrinot e psikologjisë së turmave dhe nga kultura kriminogjenike e “jakave të bardha” të kompanive private dhe monopoleve, për gjithfarë skeçesh dhe parodish të avangardistëve të rinj me ” protagonist syndrome” që nën ombrellën e programacioneve klanore, vrasin dinjitetin njerëzor, jo duke e tallur me zgjuarësi, por duke e poshtëruar me elegancë, dhe…po njeriun e zakonshëm, të thjeshtë ku mund ta gjejmë sepse na duhet të mbrrijmë tek mjerimi apo jo? Duartrokitësit që paguhen 500 lekë/emisioni për të mbushur studiot televizive ku aktrojnë krahas talentit dhe ambicjes për famë, edhe narcizi, mania e madhështisë, shterpësia kulturore, banalitetet rozë, injoranca proverbiale deri tek padjallëzia fëmijërore e virgjërisë morale, këta pra, duartrokitësit nuk janë njerëzit e thjeshtë, të zakonshëm për të cilët flas, por fantazma prej qelqi.
Tani, aforizma na shërben edhe kuptimin e saj sublim. Ajo duket sikur na thotë:” Mos u gënjeni o njerëz të thjeshtë, të zakonshëm ! Ju mund të jeni pasuri, ju mund të shndërroheni në në një pasuri të shëndetshme jo për hir të

sovraniteteve shtetërorë e kombëtarë dhe martirëve që vdiqën në luftrat e heshtjes, por për hir të idealeve tuaja që burojnë nga e drejta për t’u larguar nga skllavëria e idhujtarisë pa patur frikë nga liria e zemërimit të ligjshëm.Ju bëheni të pasur vetëm nëse zbuloni brenda vetes tuaj diçka për të cilën mund të vdisni. Kjo “diçka” mund të duket e thjeshtë deri në rëndomësi, e njëtrajtshme dhe pa shkëlqim, e përvuajtur dhe e trishtë si një hënë dimri, e ngathët dhe gati disleksike si një mëngjez që vjen për asgjë, por nuk është ashtu, përderisa përfaqëson fuqinë tuaj të vërtetë. Shkulini ventuzat që oktapodët e ideologjive shekullare dhe pushtetit politik të mesianizmit të rremë i kanë ngjitur në indet ende të buta të mjerimit. Merrini në ruajtje ninullat mbi kokat e foshnjave tuaja, këngët e vjetra të dashurisë dhe urrejtjes, kostumet e stërgjyshërve që vdiqën të zhveshur lakuriq nga rrobaqepësit e gjeopolitikës, fotot bardhë e zi të dinjitetit të vetmive të mëdha, kujtimet e humbjeve të thella më shumë se sa fanfarat e fitoreve të cekta, lulet e thara të iluzioneve fisnike në saksitë e thjeshtësisë, më shumë se sa kurorat e freskëta të meskinitetit folklorik në herbariumin e

ngatërresnajës, gëzimin e ditës që punon më shumë se sa hidhërimin e natës që mediton, damarin nervoz të indinjatës ndaj falsitetit më shumë se sa muskulin e flashkët të përuljes ndaj pushtetit. Merrini në ruajtje ëndërrimet tuaja, mos i katandisni ato në pleshtat e bezdisur që nuk bëjnë gjë tjetër veçse pickojnë krifat e pista të luanëve dembelë të savanës demokratike.”