Hasan & Irma Kurti:“Duhet të rrimë këtu”


Hasan & Irma Kurti

Këto ditë jemi te shtëpia e vajzës tjetër, në rrugën “Moroni” në Bergamo. Ajo banon në katin e fundit të pallatit dhe punon në një strukturë për të moshuarit. Sapo hyjmë, apartamenti na duket më i vogël se ç’është, ngjason me shtëpinë e një kukulle, por pozicioni është i mirë dhe në më pak se dhjetë minuta arrin më këmbë në qendër.
Rruga është plot me bare e restorante, natën s’ka qetësi. Nuk mungojnë bisedat me zë të lartë dhe britmat e njerëzve të dehur, sidomos në fundjavë. Brenda një çasti gjallëria e gëzuar degjeneron në grindje dhe në sfond dëgjohen sirenat e makinës së policisë. Ky është një skenar me të cilin jemi mësuar. Zgjohem, ngrihem, zgjas kokën nga dritarja, e cila arrin të më maskojë për shkak të errësirës ose ngaqë është e vogël.
Kalojmë mirë me vajzat, por vendi ynë na grish, na tërheq dhe dëshira për t’u kthyer rri e fshehur në një cep të zemrës. Shtëpia, kujtimet, të afërmit, miqtë dhe fakti që mund ta flasim gjuhën tonë me natyrshmërinë më të madhe përbëjnë ndryshimin.
Kur ishim në Shqipëri, e vetmja urë komunikimi me të dyja ishin telefonatat. Ne ishim në kërkim të ofertave, kurse vajzat na merrnin nga kabinat telefonike me tarifa ekonomike. Lidhja ishte e dobët, ndërpritej, zëri dublohej apo kishte zhurmë. Telefonatat nuk mjaftonin, sidomos në raste datëlindjesh, kur nuk mund të shkëmbenim një dhuratë, por mbi të gjitha një puthje ose një përqafim. Teli i telefonit s’mund të përcillte ndjenjën, sigurinë dhe qetësinë për të cilat kishim nevojë në ato çaste.
Kur lindi nipi ynë u ndjemë si të zënë në grackë. Do të donim t’i përqafonim të dy, t’i përkëdhelnim, t’i gjendeshim pranë vajzës sonë Lili, që për herë të parë po bëhej nënë, por mungesa e një vize s’na lejoi ta kapërcenim detin. Dhe kështu do të ishte për disa vite.
Situata aktuale është ndryshe. Vajzat i kemi pranë, edhe dashurinë e tyre. Ime shoqe do të ketë mundësi të bëjë ndonjë vizitë më të specializuar, do të përmirësohet dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
Duhet të rrimë këtu, mendoj. Ta bëjmë tonën këtë të përditshme që tani na duket e huaj, e largët dhe që na flet me një tjetër gjuhë. Nuk kemi një datë kthimi në biletë, nuk e kemi as në mendje.
Duhet të rrimë këtu, mendoj. Dhe sado që ia përsëris vetes, kjo frazë më duket e pavërtetë, e paarritshme, sikur nuk më përket.

                                                                          8 prill 2006

Marrë nga libri “Kujtimet e një mjeku” shkruar nga HASAN KURTI e IRMA KURTI, botuar në Itali nga Shtëpia Botuese Kimerik, 2020. Vepra është botuar në gjuhën shqipe nga ADA, Tiranë, 2021.