Irini Qirjako-Nga Panajot Boli


Profil: Irini Qirjako.
NGA PANAJOT BOLI
Nga libri :”Njerez si ata”.

Irini Qirjako me shpirtin në Finiq,si iu zbulua talenti nga gjitonia.

…Është kënaqësi dhe nder të takosh divën e këngës popullore shqiptare Irini Qirjako, këngëtaren e shquar që ka nxjerrë minoriteti grek.

Dhe mua m’u dha rasti ta takoj, t’i bëj intervista në gazetë, në radio, ta shoqëroj në një koncert në Greqi, ta ndjek në skenë me grupin polifonik të Finiqit.Tashmë ky grup polifonik mban emrin e saj dhe ajo është bërë anëtare këtu prej shumë vitesh. Megjithëse arti e ka ngjitur në skenën e këngëtarëve korifej të këngës popullore shqiptare dhe greke, ajo mbetet vajza e thjeshtë finiqiote. Medaljoni magnet në qafen e saj e ka tërhequr kudo që ka shkuar, drejt Finiqit, vendlindjes së saj, atje ku siç thotë e vogël, pas babait të saj, një këngëtar i mrekullueshëm në dasma e trapeza, rufiti nektarin dhe u dashurua me këngët popullore të krahinës së saj. Ndjente mallëngjim e ia mbushte trupin me mornica, i ngjethnin mishin ato melodi të dhimbshme, të bukura, të mrekullueshme, brilante, ato valle burrërore, ato këngë vajtimtare që çonin edhe të vdekurin.
…Të mohosh vendlindjen tënde në emër të lavdisë,- flet
Irini-

do të thotë të mohosh të gjitha, të zhvishesh nga njerëzillëku, të mohosh dashurinë për të shtrenjtët e tu që ke në jetë. Kurrën e kurrës”.

Nostalgjike bëhet Irini, pasi kujton veten e saj çamaroke, kur i hapi krahët, ëndrra për të kënduar aq bukur si babai që e adhuronin të gjithë.

“Kur isha e vogël, vetëm ulesha pranë oxhakut dhe këndoja. Sikur doja të ma përcillte ai. Mirëpo shtëpia e gjitones ishte gati ngjitur dhe ajo më dëgjonte. Një ditë i tha mamasë sime:

–Moj, Dhimitrullë, ajo vajza jote ka një zë të ëmbël dhe këndon shumë bukur. Më dëgjo mua, do të bëhet këngëtare e madhe.

-Mamaja ime e pa me nënqeshje dhe mosbesim .

–Lena edhe ti moj, mos i ngre mendjen.

Mësuesi im i klasës së parë, Petro Kurti, u mahnit kur më dëgjoi në një program që bëmë për shkollën.

-Ti ke zë bilbil – tha i menduar. Këto fjalë më dhanë krahë. Pastaj në shtatëvjeçaren në Finiq, se unë rrija në SMT(Çlirim), ku punonte babai me mekanizmat, mësuesja ime e dashur, Linda Kordha, me mandolinën e saj më futi në magjinë e këngëve dhe në realizimin e ëndrrës sime. Ajo më çoi në konkurrim ku mbaj mend në juri ishte Çesk Zadeja dhe Kostandin Trako dhe njëri nga ata, pa dalë rezultati, s’e mbaj mend, më pëshpëriti në vesh:

“Mirë se të na vish në Tiranë”.

Ky ishte starti i Irinit nga Finiqi ,që do të ngjitej me zërin e saj brilant në piedestalin e këngëtarëve të shquar dhe më të dashur për publikun shqiptar dhe të huaj. Irini e mban të paharruar momentin kur i ra të fikët në skenë .

‘Ishin koncertet e majit. Kënga më emocionoi shumë kur e këndova. Këtë efekt bëri te salla e cila më kërkoi përsëri me duartrokitje të papërmbajtura. Më ra të fikët. Nuk e di si më sollën në vete. Salla nuk ndalonte me asgjë. Dola e këndova përsëri…

Tashmë Irini do të shkëlqejë si yll në Asamblin e Këngëve dhe Valleve, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, në turnet artistike në vendet e tjera. Ajo rrëfen një çast tepër emocionant. Vërtet ishte minoritare, por në regjimin komunist, lirinë të këndonte në gjuhën e saj, të babait dhe të nënës, ia kishin ndrydhur duke mos i dhënë hapësirë.
“Para 22 vitesh, kisha bërë dy albume muzikore në Paris të Francës dhe një në Spanjë. Një ditë më bie telefoni. Më fliste greqisht.
-Irini Qirjako je?
-Po- i thashë
Ishte një muzikologe greke, që jetonte në Amsterdam. Ajo më tha se e dëgjoi albumin dhe pa emrin tim Irini Qirjako, nga Shqipëria me kombësi greke nga Finiqi i Sarandës. Më kërkoi të bëj disa koncerte në disa qytete të Holandës dhe të Belgjikës me këngë të përziera popullore shqiptare e greke,50 me 50 raporti. E ndjeva veten time shumë të lumtur që do të më jepej rasti në publikun e jashtëm të këndoja në gjuhën e prindërve të mi. Isha kaq e lumtur, njëkohësisht zemra më rrihte fort. Atëhere prindërit e mi kishin vajtur në Korfuz. Vrapova aty dhe akoma e përqafuar i thashë babait.

-Do të këndoj greqisht këngët tona. Duhet t’i rikujtojmë së bashku. U ulëm në breg të detit dhe kënduam të tre. I rrufita me një etje të llahtarshme. Ishte dita më e lumtur e jetës sime. Mornica më kalojnë dhe më ngjeth mishin kënga:”Zogu im mërgimtar”.

Suksesi im në Holandë ishte i papërsëritshëm.Më ndoqën edhe grekë që banonin atje dhe më duartrokitën me gjithë zëmër e fuqi. Është kaq e bukur dhe kaq e mrekullueshme të këndosh këngët e nënës dhe të atit tënd. Atë moment mora vendim të jap koncerte në gjuhën time amtare, të bëj CD me këngë popullore të minoritetit Etnik Grek. Janë aq të bukura, brilante , të mrekullueshme këngët tona. Ndjeva vërtet Irini Qirjakon brenda meje, sepse këndoja me këngët e babait tim që ishte këngëtar i mrekullueshëm në dasmat dhe trapezat që bëheshin në Finiq e në fshatrat rreth tij. Ndjeva rolin e madh të artistit, sepse artisti është ura më e mrekullueshme që bashkon shpirtrat e gjithë botës, ai nuk njeh kufi, nuk njeh dallime etnike, ngjyre , feje , është i gjithë botës, i mirësisë , i paqes, i dashurisë njerëzore.’