KA DITË
Ka ditë të zbehta me gjunjë të thyera.
Penel që zhgaravit, tablonë çjerr.
Si një tingull i trishtë i mjerimit të zemrës.
Si një violinë e çakorduar me të këputur tel.
Ka ditë, që më mungon dhe unë
si rrjedhë e gabuar liqeni derdhem në det.
Nuk do shumë, një pikë e hidhur loti,
Si naftë të nxijë një oqean me dert.
Ka ditë që dua të djeg mendimet,
Të ngushëllohem me fatin tim të shkretë.
Ka ditë, që dua të dal shtratit si lumë,
Me dashuri të përmbyt një qytet.
Ka ditë të nemitura, vaj me det.
Ka ditë, zemra pushton diellin,
ndier mbret.
Në zjarr hyn e zjarri se djeg.