Kohë mbijetese, kohë shprese-Ildije Xhemali


KOHË MBIJETESE, KOHË SHPRESE

Shpesh më bije rruga të kaloj në kodrën në formë krahu të përthyer në 180 gradë( dikur fshati i ngritur dhe i sajuar si qendër banimi) që i mbronte banorët nga erërat, jo të thëllimta të Veriut.Kam mall dhe si tek çdo njeri, ngjarjet e fëmijërisë, edhe pse mund të kenë lënë vraga plagësh, kujtohen me nostalgji.

Tani, kodra jeshilon nga ullinjtë që nuk quhen më të rinj, midis tyre ngrihen vilat njëra më e bukur se tjetra.Anës rrugës automobilistike gjenden: restorant, hotel, pikë furnizimi nafte, një shesh ku qëndrojnë mikrobuzat, taksitë.

Sado që ka ndryshuar pamje kodra ime e fëmijërisë, sikur nxiton dhe më nxjerr panoramën e dikurëshme: shtëpi të vogla, rrugë të ngushta që ngjanin me dy degë të një lumi, njëra që dredhonte nga ana veriore nëpër shtëpitë e atij krahu,tjetra gati e ndante përmes dhe dilte sipër në kodër ku nga krahu tjetër, takonte me rrugën e fshatit vendali që shihte nga Rrogozhina.

Rrotull banesës ku jetonin bashkëfshatarët e mi punëtorë, kishin mbjellë ndonjë rrënjë kumbull, dardhë, fik të hershëm, ndonjë man, edhe për hije, edhe për t’u ushqyer.

Diku, në atë dy dynimshin e dhënë muhexhirëve, banorët ndërtonin edhe një kasolle për dhentë, ku çdo familje sipas mundësive mbante disa kokë dele, hapte një pus për të siguruar ujë për zarzavatet e stinës.

Barra më e rëndë për të mbajtur familjen u binte grave, se puna në shtet sigurohej me vështirësi ato vite mbas lufte.

Unë do t’ju sjellë vetëm përjetimet e mia në fëmijërinë time, jo të të rriturve se nuk jam e zonja. Për ne fëmijtë, dritare drite dhe diturie që do na ndihmonte për të nesërmen, ishte shkolla.Mbaj mend që nuk kishte mbledhje prindërish të rregullta, se mësuesi ishte një figurë që nderohej nga e gjithë familja.Nuk kishte rrahje, grindje, se sa mbaronte orari i mësimeve nxitonim në shtëpi për të kryer detyrat tona, edhe pse ishim fëmijë.

E kuptoja unë dhe të tjerët nënën që shiste djathin, gjalpin( edhe pse nuk ishte i tepërt) qingjat e atyre pak deleve që miqësoheshin me ne se ishin edhe pjesa shpirtërore jonia, ashtu si fëmijtë sot kanë qenushat e tyre.

Dhe ne nuk e njihnim dëshpërimin se mbeteshim pa ngënë mishin, që ishte lluks për atë kohë mbijetese, por që ndaheshim me miqtë tanë,qingjat manarë që ishin edhe shokët tanë të lojës.Lotët tanë nuk ishin lotë tekash të paplotësuara.

Por s’ishte e vetmja kjo dhimbje.Kur gati po hidhnim rrënjë si komunitet, në fermën e Tërbufit, e kulluar nga hidrovori, duheshin krahë pune. Pushtetarëve, të parët që u erdhi në mëndje për t’u shpërngulur aty, si punëtorë krahu bujqësie së bashku me të internuarit, ishte fshati ynë me banorë muhexhirë.

Një çrrënjosje po e dytë për prindërit tanë, e dhimbshme, pa e kërkuar, por e detyruar.

Makina që trasportonin familje drejt Tërbufit ngjanin me makinat e internimit, por me një ndryshim, shpërngulja kryhej ditën dhe fshaçe.

Buldozieri i atyre ditëve tregonte edhe fuqinë, edhe mesazhin që u jepte pushteti bashkëfshatarëve të mi. Shëmbeshin shtëpitë njëra mbas tjetrës.

U larguan të gjallët, po të vdekurit?

Ata e pësuan edhe më keq.E humbën edhe atë dy metërsh që i takon çdo njeriu për t’u tretur.

U sheshuan varret dhe u mbollën ullinjtë dhe hardhitë.

Në kujtesë nuk e ruaj fytyrën e tm eti,( isha shumë e vogë) por as edhe varr nuk ka ku t’i prehen kockat.