Ku isha unë…Erjon Muca


Ku isha unë kur njeriu shkeli

për herë të parë mbi hënë?

Jo, atëherë nuk isha,

Madje as për të dytën herë,

E as në të tretën

Nëse ka patur një të tretë.

E meqë isha kur shpërtheu

Chernobyl-i, çfarë po bëja?

Nuk e di, nuk më kujtohet

Madje më duket sikur

As atëherë nuk kam qenë;

Më duket si një histori

E pajetuar ndonjëherë.

Por kur muri i Berlinit

Çfarë po bëja vallë?!

As kjo s’më kujtohet

Dhe jam i bindur se diçka

Kam qenë duke bërë

Pasi kjo nuk më vjen në mendje

Si histori e treguar, por e jetuar.

Ndoshta ky është talenti, handycap-i

I normalëve si unë, i atyre,

Që jetojnë por që historia

I shket mbi supe, por pa i prekur.

I atyre që pa i vënë re

Kalojnë pa reshtur.

Nuk jemi nga ata që kujtojnë

Me përpikëri se ç’po bënin

Ndërsa Hitleri festonte

Pushtimin e Polonisë,

Ose në çastin kur u vetëvra.

Kanë të dhëna të sakta

Me përpikëri kronometri

Se çfarë po bënin

Kur dha shpirt Stalini.

Jo, unë dhe shumë të tjerë

Nuk e kemi këtë fat;

Ne nuk jemi të historisë,

Sepse për ne nuk do të ketë,

Një tjetër që të kujtojë se

Çfarë po bënte, kur ne

Do të jemi duke dhënë shpirt.

Pisa 21-03-2024